Ali Pashë Tepelena / Si hartoi projektin e fshehtë me rusët për Shqipëri të pavarur

0

Dr. Irakli Koçollari

Loading...

Speciale/ Gjetje të reja mbi fillesat e nacionalizmit shqiptar që lidhen me ndërtimin e shtetit të pavarur në shek. XVIII

Për herë të parë dr. Irakli Koçollari zbulon dokumente historike, të marra nga arkivat britanike, që lidhen me përpjekjen e Ali pashë Tepelenës për të ndërtuar shtetin e pavarur shqiptar. Ekskluzivisht për “standard”, studiuesi për 25 vjet i Pashait të Janinës sjell fakte të reja që marrin edhe kontekstin e lindjes së nacionalizmit në Shqipëri, para shpalljes së pavarësisë prej Ismail Qemalit, në vitin 1912. Materiali i mëposhtëm ka ngjallur debatin më të madh në ditët e albanologjisë dedikuar 100-vjetorit të pavarësisë

 

 

Gati-gati është formatuar apo është kthyer në një konkluzë dominuese historike, sa të studiuesve vendas, por edhe atyre të huaj, pretendimi se fillesat e nacionalizmit (shqiptarizmit) shqiptar zënë rrënjë apo zhvillohen si të tilla vetëm aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Nën këtë këndvështrim e shikojnë këtë çështje botimet e studiuesve edhe kohët e fundit, madje duke i cilësuar edhe përpjekjet e intelektualëve shqiptarë të viteve 1850, si ato të Naum Veqilharxhit, De Radës, Vinçenso Dorsës, Jani Vretos, Thimi Mitkos etj., si të dyshimta për të qenë një fillesë e nacionalizmit shqiptar (Nathalie Clayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, Tiranë 2009, botime “Përpjekja”, f. 170-172)

Në këto studime, autorët pohojnë se “në gjysmën e parë të këtij shekulli, XIX, pati fenomene që kontribuuan, në ato që mund të quhen fillesat e shqiptarizmit, por vetëm si rrethana që ndikonin dhe jo më shumë se kaq” (Nathalie, Clayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, Tiranë 2009, botime “Përpjekja”, f. 143).

Nën vazhdën e këtyre analizave arrihet në përfundimin pothuaj të njësuar se zgjimi i vetëdijes dhe i identitetit nacional shqiptar mbetet të vijë i fundmi në radhën e zgjimeve të etnondërgjegjeve ballkanase, në raport me popujt e tjerë të këtij gadishulli… për pasojë edhe çlirimi dhe pavarësia kombëtare e shqiptarëve erdhi e fundit në radhën e popujve të Ballkanit.

 

S’ka dyshim që edhe ne vlerësojmë dhe respektojmë të gjitha analizat dhe qëndrimet, e mësipërme.

Por, respekti për kontributet dhe prurjet shkencore nuk nënkupton pajtim në çdo rrethanë me vlerësimet e së shkuarës, pasi asnjë kërkim nuk mund të rrokë në mënyrë definitive dhe asgjësuese subjektet që përpiqet të trajtojë.

Prandaj, duke e kuptuar “respektin” si një vlerësim të parimit “historiografia është një proces në dinamikë”, do të bënim të njohura disa dokumente të gjetura rishtazi, të cilat hedhin dritë të një spektri të veçantë, në çështjen e zgjimit të vetëdijes nacionale shqiptare, pikërisht për një kohë më të hershme nga ajo që tradicionalisht njihet dhe pranohet, – pra e kemi fjalën jo për fundin e shekullit XIX, sikundër pretendohet, por fundin e shekullit XVIII dhe fillimet e shekullit XIX.

 

***

 

Përpara se të bënim të njohura gjetjet e reja, së pari do të donim të parashtronim mendimin se “zgjimi i ndërgjegjes nacionale në Ballkan nuk mund të lidhet vetëm me zbritjen e misionarëve dhe përhapjen e influencës së shteteve perëndimore mbi to. – sikundër rëndom përmendet nga vëzhguesit e kësaj kohe, pasi – “Kjo ndërgjegje përbënte një dukuri, thelbi i së cilës kishte ekzistuar në territoret ballkanike që në momentet e vendosjes së sundimit osman dhe me kalimin e kohës ajo u zhvillua dhe u forcua” (Nurai Bozbora, “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, Tiranë, botimet “Dituria”, 2002, f. 159-161).

 

Kështu, shekulli XIX, pra ai i lindjes së nacionalizmave në Ballkan, paraprihet nga shekulli i XVIII, një shekull trazirash, rebelimesh dhe lëvizjesh të fuqishme kryengritëse, të cilat nuk bëheshin të zhveshura prej shkaqeve dhe motiveve politike dhe nacionale. Historia e këtyre lëvizjeve, që në të gjitha hapësirat ballkanike njihet si “lëvizja e hajdutëve” apo “kleftëve”, komitëve tronditi seriozisht pushtetin perandorak osman, aq sa ato shpesh vlerësohen se këto kohë Ballkanin nuk e dominonte “turkokratia”, por “kleftokratia”. Këto përpjekje dhe qëndresa e gjatë, gati njëshekullore (1700-1800) janë vlerësuar si shtrati që përgatiti dhe krijoi lëvizjet për çlirim nacional të popujve të Ballkanit (John W. Baggally, “The clephtic ballads”, Oxford, London, 1936, f. 4-14), por në të njëjtën kohë vlerësohet se “rrënjët e saj, kjo lëvizje i pati tek shkolla e komitëve shqiptarë”, dhe se “brumi i çelikut të këtyre “hajdutëve” si nxënës të një bote të varfër dhe të pamëshirë, ishte kalitur në gurin e ashpër të kudhrës së trimërisë shqiptare” (John, S. Koliopulos, “Brigands with a cuse – Brigandage and Irredentism”, Clarendom press Oxford, New York, 1987, p. 26).

 

Këto lëvizje të qëndresës së gjatë, të ashpër dhe të përgjakshme vlerësohen se tek popujt e Ballkanit “frymëzuan idenë e lirisë, të drejtën e të jetuarit të pavarur në tokat e tyre dhe ashtu të pavarur ata ngritën strukturat e para të shtetit të ardhshëm” (Plamar, William, The diamond of Joanina – Ali Pasha, 1741-1822, London, 1961, f. 42; Jelaviç, Barbara, “Histori e Ballkanit”, Tiranë, 2001, f. 69).

 

S’ka dyshim që shqiptarët, të përfshirë thellësisht në këto lëvizje të rezistencës së gjatë antiosmane, të këtij shekulli (XVIII) dhe të vlerësuar, si “elementi që mbushte këto çeta, u kthyen në symbol të rezistencës kundër shtypjes politike duke i ofruar individit që jetonte nën sundimin osman një alternativë…çlirimin nga robëria…” (Stavrianos, L. S. “The Ballkans since 1435”, London, 2000, f. 87).

 

***

 

Brenda kësaj klime të mbarsur me revolta dhe rebelimet të shekullit XVIII, shfaqet mes të tjerëve një figurë më tipike që i kalon këta kufij, – ajo e Ali Pashës.

Duke iu referuar njërit prej studiuesve francezë të shekullit të kaluar, August Bop, i cili u mor me dokumentacionin e kohës dhe marrëdhëniet mes Francës dhe Ali Pashës, ndër të tjera ai nënvizon:

“Për sa u përket krerëve të klaneve, fiseve shqiptare, nga radhët e të cilëve Porta zgjidhte guvernatorë për provincat (pashallëqet) shqiptare… njëri nga ata, Aliu nga Tepelena, u ngrit gjer atje sa të aspironte për pavarësinë e vendit të tij” (Boppe, August, “L’albanie et Napoleon”, Paris, 1914, Globus, Tiranë, 1999, f. 4).

 

***

 

Pikërisht, në këtë klimë, në ëndrrat e Pashait përpunoheshin projekte më të avancuara. Nuk duhet të konsiderohet i rastit një dokument mjaft i rëndësishëm, i hartuar prej tij dhe dërguar Carit të Rusisë, në fillim të vitit 1791, kohë kur ky hegjemon kishte vetëm katër vite që kishte marrë pushtetin. Është fjala për një “Projekt marrëveshje” të fshehtë, që gjendet në arkivat ruse dhe që është bërë i njohur prej akademikut rus Grigori Ars (Ars, L. Grigori, “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII qe stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160-167).

“Projekt-marrëveshja”, ligjore, është hartuar prej Ali Pashës dhe ruan të gjithë parametrat e një marrëveshjeje ndërkombëtare me detyrime dhe të drejta ligjore mes palëve. Ajo është në thelb një plan konkret për shkëputjen e territoreve të Pashallëkut të Janinës prej autoritetit dhe Perandorisë Osmane, për krijimin e një monarkie të pavarur, duke kërkuar ndihmën, përkujdesjen dhe mbrojtjen e Rusisë (Ars, L. Grigori, “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160-167).

 

Në nenin 2 të kësaj projekt-marrëveshjeje, hartuesi i saj Ali Pasha përcakton:

Nenin 2… Gjatë negociatave (me palën ruse) të përcaktohen zotërimet, territoret e tij (Ali Pashës), brenda të cilave ai do të njihet si Sovran (Monark i pavarur). (Ars, L. Grigori: “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, faqe 160-167).

 

Një tjetër dispozitë me rëndësi, që i shkon edhe më tej, bile institucionalisht kësaj ndarjeje, është gjuha zyrtare që do të përdorte ky shtet i pavarur, për t’u shkëputur përfundimisht nga gjuha zyrtare – osmanishtja. Në të thuhet:

 

Neni 4. Ligjet dhe urdhëresat do të përshtaten (hartohen, përpilohen) në gjuhën greke, pasi ajo është më e përhapur në territoret ku Pashai dëshiron të ushtrohet pushteti i tij (Dhe natyrisht, meqë shqipja në fundin e shekullit XVIII ende nuk shkruhej). (Ars, L. Grigori, “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160-167).

 

Ndërsa në nenin 8, të po kësaj projekt-marrëveshje, për të parandaluar çdo kundërveprim ushtarak që mund të ndërmarrë Porta ndaj këtij “rebelimi” të Ali Pashës, ky i fundit i ka kërkuar palës ruse që “të mbajë në territoret e tij, një trupë ushtarake të rregullt si dhe të formojë një të dytë të përbërë nga (ortodoksë), për ta mbështetur, dhe përforcuar ushtarakisht Pashain, në atë mënyrë që kjo mbështetje të jetë e dukshme (demonstrative) para të gjithëve, me qëllim që kështu të imponojë largimin e komandantëve turq që janë të prirë të reagojnë kundër tij, si dhe të shuajë çdo dyshim tek ata njerëz, që Pashai beson se do ta mbështesin. (Ars, L. Grigori; “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160-167).

 

Duke e analizuar në tërësinë e tij këtë projekt-marrëveshje, akademiku rus Grigori Ars tërheq konkluzionin përfundimtar se: “Nga dokumenti mësipërm mund të konkludojmë se Ali Pasha, që prej vitit 1791, kishte të parashikuar qartë idenë e një shkëputjeje të plotë të territoreve të tij nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një “principate”- mbretërie të trashëgueshme…”. (Ars, L. Grigori; “I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160-167).

Pra, Ali Pasha nuk shfaqet vetëm me ide për një shkëputje të mundshme, por edhe me një projekt konkret, për ndarje nga Perandoria dhe krijimin e një shteti të mëvehtësuar, me territore dhe kufij të përcaktuar, ndërsa në pikëpamje të sistemit politik qeverisës të këtij shteti – një shtet të tipit monarki të trashëgueshme, – ashtu sikundër pjesa më e madhe e shteteve evropiane.

Por, megjithëse projekt-marrëveshja e mësipërme nuk u realizua, duket se Ali Pasha edhe më tej i ka vazhduar përpjekjet e tij për një shkëputje të mundshme nga Turqia. Kështu, nuk mund të merret jashtë këtij konteksti një e dhënë tjetër që vjen tanimë nga Franca. Në një shkrim të saj, të datës 19 prill 1791, gazeta franceze “Monitor” shkruante se “Epiri dhe Maqedonia dominohen nga trazirat dhe banorët vendas përgatiten të flakin tej zgjedhën e huaj… ” (Ars, L. Grigori; “ I Allvania qe Ipiros sta teli tu XVIII që stis arqes tu XIX eona”, Gutenberg, Athina, 1994, f. 160).

 

* * *

Nëse do t’i referohemi një dokumenti tjetër, pohimeve të këshilltarit më të afërt dhe të besuar të Ali Pashës, Haxhi Shehretit, njeriu që i qëndroi në gjallje, por edhe në vdekje më pranë se kushdo tjetër monarkut, në biografinë e vargëzuar që ai ka bërë për tepelenasin thotë:

“Ka të tjera ëndra thellë, me dëshirë të perëndisë

DIBREN do dhe GEGERINE t’i bashkojë, t’i ketë nën hisë

Plane ka të tjera brënda do t’i bëjë sa të jetë !

SHKODREN edhe KARADAKUN nën një shtet të vet t’i ketë

Kështu them unë që i shkruaj, m’i ndjen zëmra me t’vërtet

Gjer në BOSNJEN rreth e rrotull don t’i vërë nën pushtet

(Koçollari, Irakli, “Alipashaida e Haxhi Shehretit”, “Onufri”, Tiranë, 1998, f. 221)

 

Siç shihet, rreshtat intimë të Shehretit na sjellin një informacion me mjaft interes. Ato zbulojnë projektet e fshehta, “planet që ai mban brenda ventes”, plane këto që bëjnë fjalë për kufijtë e shtetit që ai synon dhe ëndërruar të ndërtojë.

 

* * *

Një tjetër zhvillim politik, i mëvonë, ka rinxjerrë në skenë dhe ka detyruar Ali Pashën të rishfaqte përsëri qëndrimet e tij, prirjet për shtet dhe indipendencë. Në vitin 1807, kur Franca rimori ishujt e Jonit dhe bazat kontinentale bregdetare të Prevezës, Pargës, Vonicës dhe Butrintit, ministri i Jashtëm britanik, Xhorxh Kaning, dërgoi me urgjencë pranë Pashait të Janinës për të biseduar nga afër çështje me mjaft rëndësi, misionarin e njohur, kapitenin e ri të Artilerisë Mbretërore, Uillim Martin Lik (Letër e Ambasadorit Britanik në Stamboll, Zotit Arthur Paget për Kapitenin Lik. Nisur nga Dardanelet me 19 Tetor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/68).

Përmes këtij misioni, qeveria britanike kërkonte të dinte se ç’qëndrim do të mbante Ali Pasha në rastin e një largimi të mundshëm të Turqisë nga territoret e saj, në pjesën evropiane dhe si do ta priste Ali Pasha një pushtim të mundshëm francez të territoreve të tij?! (kujtojmë faktin se aso koha Franca dhe Turqia ishin në raporte aleance dhe miqësore). (Letër e Ambasadorit Britanik në Stamboll, Zotit Arthur Paget për Kapitenin Lik. Nisur nga Dardanelet më 19 Tetor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/68).

Në përgjigje Ali Pasha i ka kërkuar mesazherit që të njoftojë qeverinë britanike se “deviza, vendimi (maksima) i tij ishte – të ndeshej me armikun (francezët) kudo që ai do të shfaqej! Dhe për këtë ai mbështetej në bashkimin dhe unitetin e tyre (shqiptarëve) për t’ju përgjigjur dhe për të mbrojtur çdo cep të territorit ku Shqipëria mund të sulmohej”. (Letër e kapitenit, U. M. Likut për Ministrin e Jashtëm britanik, George Cunning, 10 Nëntor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/69).

I pyetur nga ushtaraku britanik se cilat do të qenë qëndrimet e mundshme të dy pashallarëve të tjerë shqiptarë, të cilët kufizoheshin me të, gjeografikisht, pra të Pashait të Beratit dhe të Pashait të Shkodrës?! Në raportin e Likut, që pasqyron këtë përgjigje thuhet: “Në koniunkturat kritike aktuale, ai (Aliu) më siguroi mua se të gjithë ata (pashallarët shqiptarë) ishin të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të shporrur çdo agresion të huaj, po kështu edhe Ismail beu i Seresit, (preferonte një pavarësi, indipendencë të ngjashme me atë të Pashallarëve të Shqipërisë, por me një shkallë pushteti më inferiore se sa të këtyre Princave), pra edhe ai ishte gjithashtu po aq i vendosur në këto ndjenja, pra kishte sentimente të njëjta me ata”. (Letër e kapitenit U. M. Likut për Ministrin e Jashtëm britanik, George Cunning, 10 Nëntor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/69).

Pra, dokumenti britanik shpreh fare qartë qëndrimin e vendosur të Ali Pashës për t’u ndeshur me agresorin e mundshëm, Francën, që synon zbarkimin në territoret e tij, megjithëse Franca këto kohë ishte aleate e Perandorisë Osmane. Në këtë rast ai nuk flet në emër të Perandorisë Osmane, subjekt politik i së cilës ishte, por në emër të “unitetit të shqiptarëve”, të “Shqipërisë” dhe të “territoreve të saj”, për të mbrojtur çdo cep të tyre në rast se ata do të sulmoheshin.

Për më tepër, këtë dokument e bën interesat pohimi në vazhdim i Aliut se edhe dy Pashallarët e tjerë shqiptarë (Bushatllinjtë e Shkodrës dhe Ibrahim Pasha i Beratit) ishin të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të shporrur çdo agresion. Por, vazhdimi i informacionit të Likut më tej, nxjerr në dritë një synim tjetër politik, të panjohur më parë, të dy pashallarëve shqiptarë, atë për “pavarësi, indipendencë“… (Letër e kapitenit U. M. Likut për Ministrin e Jashtëm britanik, George Cunning, 10 Nëntor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/69).

Ky pohim i tepelenasit e bën akoma më bindës idenë se synimi për një shtet të pavarur dhe indipendent ka qenë një tendencë apo qëllim permanent i tij. Por, nuk përjashtohet gjithashtu që edhe Ibrahim Pasha i Beratit të ketë ruajtur të njëjtat qëllime, nëse do të marrim në konsideratë pohimet e Likut, kur u kujton eprorët e tij, përmes këtij raporti se “do të më duhej t’u kujtoja me këtë rast se mendimet e tij (Aliut) përputheshin plotësisht, me ato, që Ibrahim Pasha i Beratit kishte shprehu para meje dhe Z. Morier, dy vjet më parë” (Letër e kapitenit U. M. Likut për Ministrin c Jashtëm britanik, George Cunning, 10 Nëntor 1807 – U. K., Arch. Hardfordshire – F.O. 75/69).

Ne nuk e kemi dokumentin e kësaj bisede, që na bën të njohur Liku, por gjetja e tij në arkivin britanik do të ndriçonte edhe më tej këtë subjekt me mjaft interes që ne trajtojmë. (Baggally, John, U; “Ali Pasha and Great Britain”, Basil Backwell, Oxford 1938, f. 30).

 

Duke iu referuar një raporti tjetër sekret të Likut, disa vite më vonë, të vitit 1809, ai na bën me dije:

“Nëse Pashai do të jetë i suksesshëm në realizimin tërësor të ekspeditave (ushtarake) që ai është duke ndërmarrë aktualisht, ai do të jetë zot i tërë brigjeve perëndimore të Greqisë, nga Kepi i Matapanit gjer në afërsi të Durrësit me një përjashtim të vetëm, Pargën, dhe nuk përjashtohet që pa hezituar ai mund të shpallë vetveten Zot të këtij vendi, të cilin ai e ka pretenduar shumë herët”.

(Hardford Arch, C. C.,F.O. 7865, Janinë, 12 Tetor 1809, Kapiteni Lik për Zotin G. Cunning.)

 

***

Një tjetër dokument me mjaft interes na zbulon së fundmi “Arkivi i Ali Pashës”, i cili është publikuar para pak kohësh, për herë të parë pas 200 vitesh, që mban datën 10 Mars 1808, shkruar nga Ali Pasha, dërguar gjeneralit francez, Julian Besier, Komisari Perandorak për Shtatë Ishujt e Jonit….thuhet: “Lëreni njeriun në vendin e tij, në shtëpinë e tij, dhe në dëshirat e tij. Sepse edhe unë për shtëpinë (nënkupton Atdheun e tij) time mendoj, që siç e di edhe ti (Besjer) fare mirë, pjesë e kësaj shtëpie janë edhe Butrinti, Parga, Preveza, dhe Konica, për mbrojtjen e të cilave e gjithë Arbaria është gati të derdhë gjakun e saj”. (Arxio Ali Pasa”, Tomos A, 1747-1808, Athina 2007, Nr. Doc. 372, Janinë, datë 10 Mars 1808, faqc 692, Letër e Ali Pashës – Besjerit)

 

***

Ndërsa një material mjaft interesant na vjen nga ditari personal i Kancelarit austro-hungarez, Metemiku, i cili na bën të njohur përpjekjet periodike dhe insistuese të Ali Pashën për shkëputje dhe krijimin e një shteti të pavarur, bile të ngritur mbi bazën e normave ligjore kushtetuese të standardeve të një monarkie. Ai shënon sa më poshtë: “Ali Pasha më dërgoi më 3 Mars 1820 një njeri të besës me një letër, me të cilën pasi më lavdëronte shumë, më lutej t’i dërgoja një këshilltar për t’i hartuar një Konstitucion (një Ligj Themeltar Shteti) për Shqipërinë…”.. “Memoires du prince de Metternich”, Paris, 1881, Volumi III, f. 535-536. – Shih gjithashtu Faik Konica, Vepra I, botime “Dudaj”, f. 124.)

 

***

Por, ndoshta rrëfimet më të sinqerta, të drejtpërdrejta dhe tanimë të zhveshura prej fasadës politike dhe censurës, janë ato që ka parashtruar vetë Ali Pasha në momenteve e fundit të jetës së tij, ndërsa parashikon pasojat e tmerrshme që kërcënonin atdheun e tij – Arbërinë dhe fatet e shqiptarëve.

 

Si pantera ‘jani Toskë, brezit ngjeshur pallë e thikë

Osmanllijtë i coptoni, derdhi gjakun pikë-pikë

Ejani Gegë luanë! Krah më krah me Labërinë

Nëpër sulme si pantera shtyni tej Anatolinë

………..

Se do vijnë në vendin tënë që t’u vënë nën pushtet

Dhe Atdheun tonë të bukur do ta shkelin për ibret

Po dhe nderin do humbasim në na vënçin ndënë këmbë

Dhe në turp të madh do mbesim do të jetë gjëmë e rëndë

(Legrand. Emil; “Vaje për Ali Tepelenën, Pashai i Janinës”, Paris 1886, përkth. I. Koçollari, Tiranë më 2010, f. 91-94)

 

Pra, siç shihet është fati i Atdheut të tij, në emër dhe për interesat e të cilit ai bën thirrje. Po kush është për Ali Pashën, Atdheu dhe dimensionet e tij demografike?

 

Kurrë në gjunjë Gegë e Toskë, lufta, vdekja nuk i gjeti

K’tu i thonë Arbëri, mos ngatroni, s’është Haleti!”

(Legrand. Emil; “Vaje për Ali Tepelenën, Pashai i Janinës”, Paris 1886, përkth. I. Koçollari, Tiranë më 2010, f. 91-94)

 

* * *

Në konkluzionet e studimit e tij për marrëdhëniet mes “Ali Pashës dhe Britanisë së Madhe”, studiuesi britanik Xhon Begëlli, konkludon:

“Ky njeri i jashtëzakonshëm, përpara se të vritej, më 1822, ishte bërë praktikisht një monark indipendent – mbret i pavarur – në pothuaj tërë Greqinë kontinentale…”  (John W. Baggally; “Ali Pasha and Great Bitain”, Basil Blackwell”, Oxford, London, 1938, f. 4).

 

Dhe duke përfunduar, po ky autor nuk ngurron të bëjë të njohur se cilat qenë arsyet që Britania u tërhoq nga mbështetja që priste Ali Pasha, në përpjekjet e tij përfundimtare për shkëputje dhe indipendencë:

“Në vitin 1822, “Britania e Madhe ishte gati të mbështeste pavarësinë e tij (indipendencën), pasi Perandoria Osmane dukej se ndodhej në procesin e shpërbërjes; por kur një Sulltan më i fortë, Mahmuti II, kishte parandaluar prishjen (e Turqisë), ishte në interesin e Anglisë të ruante integritetin e Turqisë kundër mësymjeve, ekspansionit të Rusisë” (35) (35). (John W. Baggally; “Ali Pasha and Great Bitain”, Basil Blackwell”, Oxford, London, 1938, f. 80).

 

Loading...