Takimi me krerët e delegacioneve, Topalli merr mbështetje për statusin në BE

0
136

Florenc Drizari

Topalli: Mirënjohje për të gjithë miqtë që festuan bashkë me ne këtë kryefestë të kombit

Zv.presidenti i Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer: Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë

 

Një ditë pas mbylljes së festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti në takime të veçanta krerët e delegacioneve nga vendet e ndryshme të botës që vizituan Shqipërinë më 28 nëntor. Duke shprehur mirënjohjen në emër të institucionit që drejton, Kryetarja e Kuvendit gjatë bisedimeve me zyrtarët e lartë kërkoi mbështetje në proceset integruese për Shqipërinë, veçanërisht në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit me Kryetaren Topalli, përfaqësuesit e delegacioneve të huaja vlerësuan festimet për 100-vjetorin e pavarësisë dhe shprehën mbështetjen e tyre për proceset integruese të Shqipërisë. Pas takimit me Kryetarin e Parlamentit të Italisë, Gianfranko Fini, Kryetarja e Kuvendit priti në takime secilin delegacion të ftuar prej saj si, zv.presidentin e Parlamentit të Austrisë Fritz Neugebauer, nënkryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski, nënkryetarin e Parlamentit të Polonisë, Jerzy Wenderlich, nënkryetarin e Parlamentit të Marokut, Muhammed Belmahi, përfaqësuesin e lartë të Senatit të Pakistanit, Mohammad Jahangir Badar, kryetarin e grupit të miqësisë në Senatin francez, Michel Berson.

Fritz Neugebauer

Zv.presidenti i Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer, në takimin me Kryetaren e Kuvendit theksoi: “Rasti i Shqipërisë është një shembull i mirë optimist për hapat e shpejtë drejt BE-së. Ne do të jemi shoqëruesit dhe bashkudhëtarët tuaj në këtë rrugë. Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë”. Zoti Neugebauer u shpreh i entuziazmuar nga festimet e 100-vjetorit, që siç tha ai, ishin tregues i përpjekjeve pozitive të Shqipërisë për t’iu afruar Evropës me energjinë, devotshmërinë entuziazmin dhe me miq të mirë si Austria. “Austria është një vend mik shumë i veçantë, – tha Kryetarja e Kuvendit. – 100 vjet më parë ishte pikërisht vendi juaj që luajti një rol kyç që Shqipëria të mos zhdukej nga harta. Dy popujt tanë kanë një miqësi me të kaluar të fortë dhe një të ardhme të rëndësishme”. Nga ana e tij, zv.presidenti i Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer, tha se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. “Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë”, – tha ai.

Michel Berson
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti në takim kryetarin e grupit të miqësisë në Seantin francez, Michel Berson, i cili me ftesë të Kryetares së Kuvendit erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në festimit e 100-vjetorit të pavarësisë. Në fjalën e tij Berson tha se “Shqipëria është një vend i vogël por me një popull të madh”. Duke vlerësuar kontributin që Franca i ka dhënë Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Shqiptarët, – tha Kryetarja e Kuvendit, – kanë kaluar një kalvar vuajtjesh në 100 vitet që kaluam, nga të cilat vetëm 20 vitet e fundit mundëm të ishim vërtet të lirë pas regjimit diktatorial gati gjysmëshekullor. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për vetëm 20 vjet dhe shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane”.

Georgi Pirinski

Po ashtu, nënkryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski, gjatë takimit që zhvilloi me Kryeparlamentaren Topalli tha se ndihej i privilegjuar që ishte pjesë e festimeve të 100-vjetorit dhe se kjo ditë, sipas tij, do të kujtohet gjatë në historinë e vendit. “Ju përgëzoj për hapat e sigurt, për energjinë, për vendosmërinë për të ecur përpara”, – tha ai. Gjithashtu, Georgi Pirinski vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon. “Paqja, siguria, stabiliteti janë tre faktorë kyç të politikës së jashtme, – tha ai, – dhe Shqipëria ka faktuar se ka një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e këtyre tre faktorëve”.

Jerzy Wenderlich

Nga ana e tij, nënkryetari i Parlamentit të Polonisë, Jerzy Wenderlich, në takimin me Kryetaren e Kuvendit vuri theksin në ndryshimet e jashtëzakonshme që Shqipëria ka njohur në këto vite. “Kam qenë më parë në Shqipëri nga mesi i viteve ‘90. E kam parë Tiranën si dëshmi të regjimit totalitarist, ndërsa këtë herë pashë ndryshimet e jashtëzakonshme që Shqipëria ka bërë. Kjo tregon se vendi juaj po zhvillohet në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po drejtohet me mençuri”, – tha Wenderlich. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen që Polonia i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Mohammad Jahangir Bader

Kryetarja e Kuvendit u takua edhe me Kryetarin e Senatit të Pakistanit, Mohammad Jahangir Badar, i cili, me ftesë të saj, ishte në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e organizuara për 100-vjetorin e pavarësisë. “Pakistani ka shumë për të mësuar nga Shqipëria në lidhje me forcimin e demokracisë së brendshme dhe në fushën e diplomacisë. Gjithashtu, vendi juaj ka potenciale të shkëlqyera për t’u zhvilluar ekonomikisht”, – tha Kryetari i Senatit të Pakistanit. Nga ana e saj, zonja Topalli shprehu mirënjohjen për ndjenjat miqësore që Pakistani ka treguar ndaj Shqipërisë, veçanërisht vitet e fundit. “Sot ju bashkoheni me festimet tona, çka provon edhe një herë ndjenjat miqësore që vendi juaj ushqen ndaj Shqipërisë”, – tha Kryetarja e Kuvendit.

Muhammed Abbou

I ftuar nga Kryeparlamentarja Topalli me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, ishte edhe nënkryetari i Parlamentit të Marokut, Muhammed Abbou. Zyrtari i Marokut nënvizoi se pjesëmarrja në festimet madhështore për 100-vjetorin e pavarësisë ishte një rast shumë i mirë për t’u dhënë një shtysë zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe vendit të tij. Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetari i Parlamentit të Marokut folën për intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare si një instrument për thellimin e njohjes mes dy vendeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok. Muhammed Abbou ftoi Kryetaren e Kuvendit për të marrë pjesë në festimet e 50-vjetorit të Parlamentit të Marokut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency