Shpifjet e garniturës socialiste ndaj Kryeministrit Berisha

0

Skënder Mulliqi

Loading...

“Bota sot”

Kolumnisti i rregullt te gazeta “Shqip”, Andrea Stefani, me disa të tjerë të shtypit majtist thua se i kanë mbaruar të gjitha punët e kësaj bote dhe se nuk kanë për çka të shkruajnë tjetër, vetëm t’i vërsulen nga të gjitha anët pa pasur argumente Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës. Çdo shkrim autorial i Stefanit lidhet me figurën e Kryeministrit Berisha. Të shprehë dikush gjithë atë urrejtje do të thosha patologjike kundrejt një kryeministri të vendit të vet, është jashtë çdo norme të moralit dhe të etikës gazetareske. Në të gjitha shkrimet ai shpreh haptazi urrejtjen dhe fjalorin denigrues ndaj Berishës. Në asnjë të vetmin shkrim nuk më ra në sy se Stefani kritikon opozitën komuniste në krye me Edi Ramën dhe garniturën udhëheqëse të PS-së. Nuk ka njeri pa të meta dhe pa gabime në këtë botë. Nuk janë të përkryer as ata të cilët janë në krye të shtetit, por do të duhej mirë të peshohet fjala kur i bën kritika dikujt, se mbi cilat baza je duke ia bërë kritikën. Nëse dikush meriton lëvdata në vendin e shqiponjave nga të gjithë ata, të cilët e drejtuan shtetin shqiptarë në demokraci, është z. Berisha. Është njeriu që bëri shumë për rrëzimin e njërës nga diktaturat më të egra në Evropë. Berisha për këto 20 vite të shtegtimit të Shqipërisë në pluralizëm, nuk kurseu asgjë nga vetja që populli i vet të jetojë më mirë. E di se ky farë Andrea Stefani bashkë me mendimtarët e vet do të mendojë se po e mbroj Berishën për faktin se kam simpati ndaj tij apo që është i krahut të djathtë politik. Në asnjë mënyrë nuk ekziston as varianti i parë dhe as varianti i dytë. Z. Berisha e mbrojnë arritjet e mëdha të shtetit shqiptar si në planin e brendshëm gjithashtu edhe në planin e jashtëm. Çdo tranzicion është i vështirë, dhe vështirë është të kalohet, por Kryeministri Berisha është treguar i guximshëm dhe i aftë të ballafaqohet me të gjitha sfidat e kohës. Në shkrimin e fundit të Andrea Stefanit, “Sali dhe Salibi”, ai qëllimisht harron se piramidat i krijuan mbeturinat komuniste, të cilët nuk kanë pësuar as më të voglin reformim as sot. Ai thotë se kur u ngrit opozita, Berisha e sulmoi atë me avion dhe paramilitarë. Kjo që e shpreh Stefani është turp i të gjitha turpeve. Avionët dhe paramilitarët ishin nën kontrollin e komunistëve-socialistëve, të cilët e kallën Shqipërinë duke e shfrytëzuar vetëm si pretekst pse z. Berisha dhe forcat demokratike erdhën në krye të shtetit. Shqipëria vetëm sa kishte hapëruar në demokraci. Por këtë gjë nuk e deshën forcat retrograde komuniste. Ngjarjet e vitit 1997 Andrea i quan revolucion!!! A i thonë revolucion kur dikush ia fut flakën vendit të vet siç e bënë komunistët, të cilët sot po quhen socialistë? Berisha e rrëzoi diktaturën bashkë me shumë bashkëmendimtarë të tij, që vendi përfundimisht të dilte nga izolimi i egër 50-vjeçar, e jo të kthehet prapë në izolim. A justifikohet vrasja e pionierit të demokracisë, Azem Hajdarit, në atë mënyrë siç pretendon Stefani? Berisha bëri dhe po bën kompromise me opozitën, vetëm që Shqipëria të inkuadrohet në strukturat evropiane. Vetëm ai që është miop politik ose këtë e bën qëllimisht, i justifikon veprimet destruktive të Edi Ramës për ta stopuar Shqipërinë drejt Evropës. Mosmiratimi i tri ligjeve dhe gjendja në Qarkun e Fierit janë vepër e strukturës socialiste, e cila nuk po gjen forcë, që të jetë bashkëpunuese në Parlament. Destruktiviteti i saj natyrisht se po bëhet që Shqipëria mos ta fitojë statusin kandidat. Këtë lojë politike e bëjnë vetëm ata, të cilëve nuk u intereson prosperiteti i vendit, por e kanë dert ngjitjen në pushtet me çdo kusht. Brumi komunist i tipit të Putinit dhe shumë komunistëve të vjetër dhe të rinj janë garnitura socialiste, e jo Kryeministri Berisha siç pretendon Stefani. Por, nuk ke faj jo, se ju socialistët e keni trurin e programuar ashtu, dhe as që keni mundësi të mendoni dhe veproni ndryshe. Garnitura socialiste ende po jeton me idetë e shekullit të kaluar, duke mos e pranuar realitetin e ri të krijuar pas rënies së komunizmit në Evropë. Socialistët e Edi Ramës kanë zgjedhur rrugën e bojkotit, në vend të rrugës së progresit dhe prosperitetit të Shqipërisë drejt Evropës së bashkuar. Socialistët bojkotuan edhe rivarrimin e Mbretit Zog në Shqipëri si një njeri me ide të përparuara që ishte. Ti Andrea Stefani bashkë me të preferuarin tënd Edi Ramën keni mbetur peng i së kaluarës së hidhur komuniste për shqiptarët …

 

Loading...