Shkodër, hasmët vrasin në derën e shtëpisë të dyshuarin për disa vrasje

0
2295

Elton Qyno

Edmir Koçia është qëlluar me katër plumba. Vdiq në spital teksa operohej nga mjekët

RENEA e arrestoi në 2007-ën për vrasje të dyfishtë, por u dënua me 1 vit burg për armë pa leje

Vritet me katër plumba Edmir Koçia, njeriu që konsiderohet si i forti i Shkodrës. 38-vjeçarit i është ngritur pritë afër banesës së tij dhe teksa ai ishte duke u kthyer me makinë në shtëpi, është qëlluar me breshëri automatiku nga dy persona, duke marrë katër plumba në trup. Pas atentatit, autorët teksa largoheshin kanë qëlluar dhe katër herë me armë zjarri në ajër, duke lënë të nënkuptohet tek babai i viktimës dhe të afërmit që dolën me shpejtësi në ballkonin e shtëpisë për të parë se ç’kishte ndodhur, se vrasja ishte kryer për hakmarrje. Edmir Koçia njihej si person problematik në qytetin e Shkodrës dhe se ai mendohet se është autor i një sërë vrasjesh të njëpasnjëshme, duke filluar me vrasjen e shtetasve Çim Cafi dhe Astrit Meshunit, më pas me eliminimin e Artur Talanit dhe Fatbardh Trumës në 1999, ndërsa vrasjen e fundit mendohet se e ka kryer në qytetin e Vlorës në vitin 2007. Në të gjitha këto krime, 38-vjeçari ka qenë i dyshuar si autor, por më pas ka mundur t’ia hedhë drejtësisë, për shkak se nuk janë arritur të mblidhen provat e mjaftueshme nga policia dhe prokuroria. Nisur nga kjo situatë, këto dosje janë pezulluar, ndërkohë që viktima ka marrë vetëm një dënim në vitin 2007 me 1 vit burg për akuzën e “Armëmbajtjes pa lejë” nga Gjykata e Shkodrës. Në 2007, RENEA bëri arrestimin e Edmir Koçisë dhe gjatë operacionit u sekuestrua një arsenal i tërë me armë, si snajperë, automatikë dhe pistoleta. Koçia e pranoi akuzën në sallën e gjyqit dhe për pasojë përfitoi 1/3 e uljes së dënimit.

Prita e mirorganizuar

Krimet e kryera nga 38-vjeçari Edmir Koçia kanë shtyrë palën kundërshtare të vënë në zbatim një plan tepër të organizuar, me qëllim vrasjen e hasmit të tyre. Nisur nga kjo situatë, kundërshtarët kanë menduar të marrin gjakun, në ditën e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë të vendit, kur edhe vëmendja e forcave të rendit ka qenë e përqendruar në garantimin e sigurisë në qendër të qytetit të Shkodrës, ku dhe kryheshin festimet zyrtare. Duke shfrytëzuar këtë moment, dy persona të armatosur kanë arritur të dalin nga banesa e tyre në orët e mbrëmjes dhe të pozicionohen shumë afër shtëpisë së Edmir Koçisë, që ndodhet në një kodër në lagjen “Tepe” të Shkodrës. Teksa dy autorët kanë qëndruar në pozicione, një tjetër person mendohet nga policia se ka qëndruar prapa 38-vjeçarit Koçia, duke mbajtur në vëzhgim të gjitha lëvizjet e tij. Në mbrëmje viktima ka qenë nën shoqërinë e disa personave, duke festuar në një lokal festën e pavarësisë dhe rreth orës 21:00 ai ka dalë nga lokali dhe ka hipur në automjetin e tij tip fuoristradë. Prej andej ka marrë rrugën për t’u kthyer në shtëpi dhe pikërisht në këtë moment, dy autorët e krimit kanë marrë sinjalizimin me telefon nga personi vëzhgues se objektivi po afrohej në drejtim të tyre. Burime policore thanë se sapo Edmir Koçia është afruar pranë shtëpisë, ai është qëlluar me automatik, duke marrë katër plagë të rënda në trup. Ka qenë i ati i viktimës, Hamdiu, ai që ka dalë i pari në ballkon dhe më pas të afërmit e tjerë, të cilët kanë bërë transportimin e menjëhershëm në spital të 38-vjeçarit të plagosur. Edhe pas ndërhyrjes së mjekëve të spitalit rajonal Shkodër, Koçia nuk ka mundur të jetojë, duke dhënë shpirt rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm.

Shoqërohen 25 persona

Lidhur me ngjarjen e rëndë, policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë bërë shoqërimin e rreth 20 personave që mendohet se kanë marrë pjesë në krim apo që kanë dijeni rreth rrethanave të ndodhjes së vrasjes. Mes të shoqëruarve janë edhe disa anëtarë të familjeve, me të cilat ka pasur hasmëri 38-vjeçari. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë sërish të lirë, ndërkohë që policia e Shkodrës ka ngritur dyshimet paraprake për disa persona, por që në pamundësi të sigurimit të provave, nuk është bërë arrestimi i tyre. Në vendngjarje janë sekuestruar vetëm gëzhojat e plumbave, ndërkohë që janë marrë dhe deklarimet e babait të viktimës, shtetasit Hamdi Koçia si dhe të afërmve të tjerë. Sipas deklarimeve të tyre, autorët gjatë largimit kanë qëlluar dhe katër herë të tjera më armë, duke lënë të nënkuptohet se vrasja kishte si motiv hakmarrjen. Ndërsa për sa i përket identifikimit të tyre, ata s’kanë mundur për shkak të errësirës dhe shiut të dendur që binte në zonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency