Sekuestrohet letra kërcënuese Gjobitet me 10 milion lekë pronari i një lokali, policia nis hetimet

0

Pronari i një lokali në Tropojë është gjobitur nga disa persona ende të paidentifikuar, duke i kërkuar një shumë financiare prej rreth 10 milionë lekë të vjetra. Abedin Matoshi në datën 15 nëntor ka qenë duke hapur lokalin e tij në Tropojë, kur poshtë derës ka konstatuar një letër të bardhë, në të cilën ishin shkruar disa rreshta. Pikërisht në tekstin e kësaj letre kërkoheshin në formën e presionit 10 milionë lekë, pasi në rast se nuk do të dorëzoheshin nga pronari i lokalit, atëherë autorët do të ndërmerrnin masa të tjera, duke i vrarë anëtarët e familjes. Një kërcënim të tillë pronari i lokalit Abedin Matoshi e ka marrë si një shaka të ndonjërit prej shokëve të tij, por pas dy ditësh në telefonin e tij kanë mbërritur disa telefonata kërcënuese nga një person i cili i ka përmendur letrën e gjetur poshtë derës. Në këtë bisedë, personi që e telefonoi i kërkoi të dorëzonte 10 milionë lekë, pasi në të kundërt familja e tij do të zhdukej. Nisur nga kjo situatë, Matoshi është konsultuar me familjen dhe ka denoncuar kërcënimin në komisariatin e rrethit me qëllim identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. Aktualisht, çështja është duke u hetuar nga policia dhe prokuroria dhe janë marrë në pyetje disa persona.

Loading...