Rita Ora e tund Tiranën nën shi

0

Rreth orës 23:30 këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, veshur me një fustan gotik, dantellë transparente, të gjatë deri në fund të këmbëve, me një dekolte të hapur ndoshta pa domethënie patriotike, ka ftuar shqiptarët në kryeqytet të ngrenë duart lart për ta mbështetur në nisjen e minirecitalit të saj. Me dorashka të kuqe, shenja e kollajtë simbolike në kryqëzim duarsh ka çuar hovin emocional të publikut, mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” dhe pse shiu binte rrëke, pa ndalur.

Loading...

Si një Hirushe që ka gjetur “këpucën” tjetër në kryeqytetin shqiptar, pas koncertit në Prishtinë, Rita Ora reflektonte emocionin dhe dinamikën e moshës 22-vjeçare. Shoqëruar në skenë nga Kryeministri shqiptar Sali Berisha, Rita ka përshëndetur shqip publikun derdhur nga të gjitha trevat në kryeqytet. Herë pas here, duke kënduar këngë nga hitet e saj, entuziazmi i këngëtares shkrihej me përshëndetjet gjysma në shqip e anglisht! Kalibri i artistes ishte i padiskutueshëm zotërues në skenë. Një këngëtare e rangut botëror, pasardhëse e popit tashmë e përfolur për famën aq të shpejtë dhe të menjëhershme ka shuar dhe kureshtjen e fansave shqiptare, duke ndjekur nga afër daljen e saj të parë në Shqipëri. Ashtu siç është bërë e ditur ajo ka perferomuar pa pagesë në Tiranë, si dhuratë simbolike në 100-vjetorin e pavarësisë, pa ndarë emocionet për ftesën që iu bë.

Sigurisht publiku ka pritur me orë që të dilte në skenë Rita Ora. Ndonëse këngët e saj ishin të regjistruara dhe mikrofoni zbulonte zërin “live” të saj, Rita ka shpërthyer në skenë në mënyrë krejt të natyrshme, duke lëshuar vetveten krejtësisht në duart e emocioneve të publikut. Ka qenë mjaft e dukshme kjo, pasi Rita ka shkundur skenën, ka kërcyer me sharmin dhe entuziazmin e dukshëm në të. Por moti i keq nuk i dha shansin që ta përjetonte të plotë pritjen shqiptare, pasi njerëzit ishin larguar shumica më parë nga sheshi.

Loading...