Rikthim në shtëpinë e paqes

0
149

Çelo Hoxha

Shpallja të pafajshëm i tre komandantëve ë UÇK-së dje nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ishte lajmi më i mirë i mundshëm me të cilin kombi shqiptar mund të zgjohej në ditën pas festës dhe të sillte shekullin e dytë të pavarësisë së tij. Me kthimin në atdhe të Ramush Haradinajt, Idriz Balës dhe Lahi Ibrahimjat, mbyllet me faqen e bardhë një kapitull i hidhur në historinë e Kosovës, e cila ka qenë viktimë persekutimi prej një shekulli. Kosova kishte një shekull që i rezistonte dhunës serbe, por ndërkombëtarët i kthyen sytë vetëm kur Ibrahim Rugova e ktheu në vepër arti qëndresën paqësore të popullit shqiptar. Lufta nisi kur edhe ndërkombëtarët u bindën se Serbia ishte e vendosur të mos hiqte dorë nga dhuna.

Në luftën çlirimtare të Kosovës, Haradinaj, shokët e tij dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës ishin viktimat, dhe jo iniciatorët e luftës. Pjesëmarrja e shqiptarëve në atë luftë ishte e detyruar nga ushtria, policia dhe milicia serbe, të cilat drejtoheshin nga politika e Beogradit. Shqiptarët zgjodhën të mbroheshin nga një agresion, të cilin nuk e kishin provokuar, kurse Gjykata e Hagës ka kërkuar prej tyre – me anë të arrestimeve – të organizonin një mbrojtje me mirësjellje. Të kërkosh një gjë të tillë është cinizëm i pastër dhe jo drejtësi.

Filozofia e dënimit të viktimës për krime ndaj agresorit është prodhim i politikës sllavo-komuniste dhe shqiptarët kanë qenë viktimë e saj dhe herë të tjera, por me kalimin e kohës e vërteta ka dalë në shesh dhe ato gjyqe janë dëshmi groteske të karikaturimit të drejtësisë. Gjyqi Special i Tiranës, 1945, i organizuar nga komunistët shqiptarët, të cilët udhëhiqeshin nga Beogradi, është njëri nga dhjetëra shembuj të tillë që ndodhën gjatë gjysmë shekulli komunizëm në Shqipëri dhe në Kosovë. Në atë gjyq u dënuan me vdekje – dhe u ekzekutuan – 17 persona. Historia ka zbuluar tashmë se autorët e krimeve gjatë luftës ishin prokurori i Gjyqit Special dhe anëtarët e gjykatës, të cilët gjatë luftës kishin qenë pjesë e palës agresore, ushtrisë partizane.

Me arrestimin e anëtarëve të UÇK-së, të akuzuar si kriminelë lufte, Haga e uli statusin e saj të krahasohet me gjyqet politike të komunizmit, me dallimin e vetëm se ajo është përbërë nga juristë të nivelit të lartë dhe jo juristë gjysmakë, teneqexhinj, gjysmanalfabetë dhe analfabetë.

Kriminelët e luftës së Kosovës gjenden në anën e palës agresore dhe ata duhen kërkuar në Serbi. Asnjë banor i Kosovës, të cilët iu bashkuan UÇK-së, nuk duhet të ishte arrestuar (Fatmir Limaj është ende i burgosur) i dyshuar si kriminel lufte. Qëndresa e shqiptarëve të Kosovës nuk u organizua nga një ushtri e rregullt, Kosova nuk kishte ushtri. Para konfliktit, Kosova nuk ishte një shtet, por një njësi administrative e Serbisë, kështu që konflikti nuk ishte përballje mes dy ushtrive të rregullta, ndaj të cilave të veprojnë të njëjtat ligje.

Presioni politik i Serbisë ndaj gjykatës sigurisht që ka qenë i madh, por Beogradi gjithmonë e ka shfrytëzuar ndikimin e tij politik në Evropë për të bërë krime dhe jo të mira. Edhe në Kongresin e Berlinit, 1878, edhe në Konferencën e Londrës, 1913, edhe më vonë, Beogradi pati një ndikim më të madh sesa shqiptarët të fuqitë e mëdha, por cili ishte rezultati? Ndarja e Ballkanit sipas orekseve të politikës serbe, e cila më pas prodhoi të gjitha konfliktet që e shoqëruan Jugosllavinë gjatë shekullit të 20-të, derisa u zhduk nga harta. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkani ka qenë më paqësor, pikërisht sepse u zvogëlua ndikimi i ekzagjeruar serb. Edhe kur Serbia u tkurr brenda kufijve të saj natyrorë, pati konflikt me Kosovën dhe u nda me Malin e Zi, sepse ishin dy pjesë joorganike të saj.

Ramush Haradinaj e tha shumë mirë dje, kur foli pas lirimit, se ai ishte i gëzuar më shumë për fatin e Kosovës se për fatin e tij. Arrestimi i tij dhe shokëve të tij, përfshi dhe Fatmir Limajn që është ende në arrest, nuk është çështje e disa individëve që akuzohen për ca krime, por çështje e një populli, të cilit i njolloset imazhi i tij. Pasi humbën luftën, serbët, të cilët nuk i mundi UÇK-ja, por NATO-ja, u përpoqën të dilnin nga humbja sa më pak të turpëruar, dhe këtë u munduan ta bënin duke njollosur edhe kundërshtarët e tyre.

Pritja që iu bë Haradinajt nga institucionet shtetërore, gjatë zbritjes në aeroportin e Prishtinës, u bën një nder institucioneve të Kosovës. Mungesa e Presidentes të Kosovës në aeroport linte diçka mangët. Ajo është përfaqësuesja e popullit të Kosovës dhe do të kishte dalë aty në emër të tyre, por edhe të bashkëkombësve kudo që janë.

Politika shqiptare, në Prishtinë, Tiranë e kudo tjetër, tani duhet të punojë që të kthehet në gjirin e familjes së tij, të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve sa më shpejt edhe Fatmir Limaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency