Politika në Shqipëri e Kosovë: Vendimi legjitimon luftën e drejtë të UÇK-së

0

Politika në dy shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, është shprehur tejet entuziaste për lirimin e tre ish-luftëtarëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj. Krerët e shteteve e kanë cilësuar tërheqjen e akuzave nga Tribunali i Hagës si më të mirin dhe që i “vuri vulën” luftës së drejtë të UÇK-së për çlirimin e trojeve shqiptare nga Serbia.

 

Nishani

“Vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate”, – e cilëson Presidenti shqiptar, Bujar Nishani. Në një deklaratë për mediat të Presidencës thuhet se “ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë. Përpjekjet e pandërprera për të krijuar konfuzion në lidhje me autorësinë e krimit dhe të viktimës për qëllime politike duhet të ketë marrë një mësim. Ne popujt e rajonit duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë. Harresa dhe, aq më keq shtrembërimi i të shkuarës mund ta cenojnë të ardhmen tonë, sepse nuk na garantojnë se tragjeditë e së shkuarës nuk do të përsëriten. Drejtësia e paanshme është garancia më e mirë për të ndërtuar themelet e forta të ardhmërisë sonë”.

 

Jahjaga

“Presidentja e Kosovës shpreh kënaqësinë që Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të Kosovës dhe vendit për të vazhduar të japë kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Presidentes së Kosovës, Atifeje Jahjaga. “Po ashtu, Presidentja e Kosovës falënderon institucionet dhe qytetarët e vendit për përcaktimin e tyre që të bashkëpunojnë me këtë tribunal, duke u bërë shembull për tërë rajonin dhe duke dëshmuar gatishmërinë tonë si shtet dhe shoqëri t’i përmbushim obligimet tona ndaj drejtësisë ndërkombëtare, në të cilën qytetarë t e Kosovës kanë pasur besim të plotë”, – thuhej më tej në njoftim.

 

Ministria e Jashtme

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme përshëndet përfundimin e procesit gjyqësor dhe shpalljen e pafajësisë për zotin Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe një nga komandantët e spikatur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“MPJ e çmon dhe respekton plotësisht këtë vendim të drejtë e përfundimtar të Gjykatës, me bindjen se ai kontribuon në mënyrën më të shkëlqyer drejtësisë historike dhe së drejtës ndërkombëtare, thuhet në deklaratë. Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të përcjellë urimet më të përzemërta për zotin Haradinaj dhe të gjithë institucionet e Kosovës për këtë ngjarje që ndriçon edhe më shumë luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe përpjekjet e tyre të mëdha për konsolidimin e shtetit të tyre”.

 

Topalli

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli, përshëndeti lirimin e komandantit legjendar të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministrit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

“Asnjëherë ne nuk kemi dyshuar për pafajësinë e Ramush Haradinajt.

Asnjëherë s’kam për të harruar kur Ramush Haradinaj, ish-kryeministër, shkoi në mënyrë vullnetare për të demonstruar pafajësinë e tij. Shpallja e pafajësisë së tij është një lajm i bukur, që vjen menjëherë me jubileun e 100-vjetorit të pavarësisë. Tashmë të gjithë ata që u përpoqën të hidhnin hije mbi luftën çlirimtare të Kosovës, dështuan.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë i bëj urimet më të mira zotit Haradinaj”, – u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

 

Meta

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit se lirimi i heroit të gjallë të UÇK-së, siç e cilësoi ai, Ramush Haradinaj, nga Tribunali i Hagës i ka dhënë edhe një herë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë. Sipas tij, lirimi i z. Haradinaj është një arritje dhe një sukses tjetër i përpjekjeve të popullit shqiptar në afirmimin e tij.

“Sot është një ditë e madhe dhe ka filluar mbarë, sepse vijnë lajme shumë të mira nga Tribunali i Hagës, ku heroi i gjallë i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka fituar për herë të dytë pafajësinë, duke i dhënë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë dhe duke shënuar një arritje, duke shënuar një sukses tjetër përpjekjeve të popullit shqiptar në afirmimin e tij, aq më tepër kur kjo ndodh pas 28 Nëntorit dhe më 29 Nëntor”, – tha ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

Vetëvendosja

Lëvizja Vetëvendosje përshëndet lirimin e Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, nga akuzat në Tribunalin e Hagës.

“Vendimi për pafajësinë e komandantit të UÇK-së dhe ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe një herë dëshmi se lufta jonë ka qenë e drejtë, e dinjitetshme dhe çlirimtare”, – thotë Vetëvendosje nëpërmjet një deklarate.

Më tutje theksohet se me këtë rast, “përpjekjet për ta zhvendosur dhe transformuar qëllimin e luftës për çlirim nga Serbia u hodhën poshtë si të pavërteta e të pavlefshme” dhe shtohet: “Gjejmë rastin të shprehim mirënjohje e nderim të thellë për të gjithë luftëtarët që kontribuuan me jetën, përpjekjet dhe qëndresën e tyre në çlirimin e Kosovës”.

 

Krasniqi

“Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës, me të cilin shpallen të pafajshëm Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, rikonfirmon pastërtinë e luftës, që e kanë bërë këta luftëtarë dhe shokët e tyre”, – thuhet në deklaratën për media të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Më tej, ai konstaton se “u dëshmua se drejtësia mund të vonojë, por vjen përfundimisht”. “Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare dëshmoi profesionalizmin e saj, besueshmërinë e lartë që gëzon”, – tha Krasniqi duke shtuar se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe sipas zakoneve e rregullave ndërkombëtare të luftës, prandaj nuk mund të inkriminohet nga asnjë gjykatë”.