Operacioni “Dajko”, kapen dy persona me 180 kg drogë, do ta çonin Greqi

0

Policia e Sarandës ka sekuestruar një sasi prej 180 kg marijuanë, vetëm 500 metra larg kufirit grek. Sipas burimeve zyrtare, janë arrestuar shtetasit Ajaz Lila, 35 vjeç, dhe Haxhi Cumani, 56 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi V. Xh. Falë informacioneve të marra policia ka organizuar operacionin e koduar “Dajko”, ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e plotë të rrjetit të trafikut. Destinacioni i drogës ka qenë Greqia. Dy personat e arrestuar si dhe personi i shpallur në kërkim, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë arritur ta sigurojnë lëndën narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës dhe prej andej e kanë transportuar atë në drejtim të Sarandës, gjatë natës. Pasi kanë qëndruar një ditë në qytetin e Sarandës, tre personat, duke shfrytëzuar dhe mungesën e efektivave të policisë në rrugë, për shkak të angazhimit të një pjese të madhe të tyre në sigurimin e qetësisë në festat e 100-vjetorit të pavarësisë, kanë vendosur që lëndën narkotike prej 180 kg të llojit hashash ta transportojnë në drejtim të Konispolit. Droga ishte futur në disa çanta sportive dhe se tre personat po bënin përpjekjet e fundit për ta kaluar përtej kufirit të gjelbër Shqipëri-Greqi. Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë policia e Sarandës, e cila ka bërë arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e lëndës narkotike. Gjatë operacionit shtetasit Ajaz Lile, në cilësinë e provës materiale i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri gjahu teke, të cilën e posedonte pa lejë. Dyshohet se ky shtetas ka qenë një prej personave më të rëndësishëm në organizimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të marijuanës nëpërmjet kufirit jugor nga Shqipëria në Greqi.

Loading...