Gjykata e Hagës liron Ramush Haradinajn dhe dy ish-luftëtarët e UÇK-së

0

Thaçi e Haradinaj, konferencë në aeroport: Vendimi vërtetoi luftën e drejtë për liri të Kosovës

Loading...

Tre ish-luftëtarët e UÇK-së janë liruar dje nga të gjitha akuzat në Gjykatën për Krime Lufte në Hagë. Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “Vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës”, u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto. Rigjykimi i pjesshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj, kishte nisur në korrik të 2010-ës.

Treshja akuzohej për “Trajtim mizor, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve”, në atë që quhet kampi ushtarak i Jabllanicës, në periudhën 1 mars – 30 shtator të 1998-ës.

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, u dënua me gjashtë vite heqje lirie për “Trajtim mizor dhe torturimin” e të burgosurve të UÇK-së. Rigjykimi që nisi më se dy vite më parë, pati ardhur si kërkesë e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.

Pavarësisht mosangazhimit të tij politik gjatë kohës sa zhvillohej rigjykimi i pjesshëm, Haradinaj ka mbetur kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, drejtimin e së cilës pritet ta vazhdojë pas kthimit në Prishtinë.

Vendimi i Tribunalit të Hagës në rastin “Haradinaj” e të tjerët vjen rreth dy javë pasi kjo gjykatë hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë për dy ish-gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markaç. Sipas vendimit në fjalë, të dy gjeneralët ishin dënuar me 24 dhe 18 vite heqje lirie për shkak të bashkëpunimit gjatë operacionit “Stuhia” të kryer në verën e vitit 1995 në Krajinë të Kroacisë.

Lirimi i tre ish-luftëtarëve të UÇK-së u bë pasi nuk u siguruan prova dhe dëshmi që mund t’i mbanin ata në burg.

Kryetari i AAK-së ka mbërritur dje pak pas orës 17:00 në aeroportin e Prishtinës, ndërkohë që qeveria e Kosovës i kishte organizuar një pritje protokollare. Në aeroport kishte dalë për ta pritur dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bashkë me Haradinajn u ndalën para mediave, për një konferencë për shtyp.

Kryeministri Thaçi, teksa i uroi mirëseardhjen në atdhe bashkëluftëtarit të UÇK-së dhe një rikthim të suksesshëm në jetën politike, vlerësoi se vendimi i Hagës konfirmoi besimin në drejtësi të popullit të Kosovës dhe luftës së UÇK-së. Gëzimi i kësaj dite, sipas Thaçit, përkon edhe me vitin jubilar të pavarësisë së Shqipërisë, ndaj çdo shqiptar feston rikthimin e Haradinajt. “Sot është një lajm i gëzuar për familjen Haradinaj dhe gjithë Kosovën, që lidhet me luftën e pastër dhe të drejtë që kemi zhvilluar si Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Sot u konfirmua besimi ynë në drejtësi dhe durimi i Haradinajt, drejtësia e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij. Sot është një lajm i mirë i gjithë shqiptarëve, pafajësia e Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve është plotësim i festës madhështore të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe festës së flamurit. Në emër tim personal dhe të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë ju dëshiroj mirëseardhjen në Kosovë, punë të mbarë dhe rikthim të suksesshëm në jetën tuaj politike. Dëshiroj të përshëndes familjen tuaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët dhe jam i bindur se sot çdo familje shqiptare ndan gëzimin me ju”, – deklaroi Thaçi.

Ndërsa i sapoçliruari nga Haga, Haradinaj, u shpreh i gëzuar, duke e cilësuar lirimin e tij si vendimin më të drejtë të Hagës. Sipas tij, me këtë vendim u provua se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. “Unë kam jetuar me ju, me vendin, por sot jam i gëzuar që drejtësia ndërkombëtare e provoi që rruga jonë për liri ka qenë e drejtë. Ju siguroj që do punojmë me gjithë ju, që do zhvillojmë vendin e do arrijmë fitore të tjera”, – tha Haradinaj.

 

Loading...