Bonot e thesarit në euro, strategji efikase për t’i dhënë impuls rritjes ekonomike

0

Blendi Hasani

Loading...

Pse e ndryshoi strategjinë qeveria, por hodhi letrat me vlerë në valutë të huaj? Çfarë mendojnë bankat e nivelit të dytë për impulsin pozitiv?

 

Këtë vit, qeveria shqiptare për herë të parë ka hedhur për publikun e gjerë – jo vetëm për bankat – një formë të re të letrave me vlerë, bonot e thesarit në valutë të huaj. Ankandet lidhur me këto bono u ndoqën me interes të madh, natyrisht nga bankat, por edhe nga emigrantët dhe të gjithë ata, që kanë kursime në euro dhe nuk duan t’i “mbajnë nën dyshek”.

Zakonisht, detyrimet e borxhit në monedhë të huaj financohen nëpërmjet euro-obligacioneve (eurobono) ose nëpërmjet obligacioneve sovrane. Si komentohet mënyra e re, është ajo një mekanizëm i ri për grumbullimin e fondeve në monedhë të huaj në tregun e brendshëm apo ky është një mekanizëm normal financimi nga ana e qeverive qendrore?

Sipas Hubert de Saint Jean, drejtor i përgjithshëm i bankës Societe Generale, kjo përbën një mënyrë normale, të cilën qeveritë qendrore e përdorin për grumbullimin e fondeve në valutë të huaj, me qëllim përmbushjen apo shlyerjen e detyrimeve të tilla si: shlyerja pjesore ose e plotë e borxhit të jashtëm, pagesat në favor të investuesve të huaj, që i kërkojnë pagesat në monedhë të huaj, operacionet që lidhen me politikën monetare, etj. Nga ana e tij, Christian Canacaris, drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank, përdorimi i këtij instrumenti është më se normal. Shumë vende e përdorin atë kryesisht për dy arsye: për diversifikimin e klientëve të tyre dhe për të arritur te klienti individual. Kurse Periklis Drougkas, drejtor i përgjithshëm i Alpha Bank, ve në dukje se kjo nuk është mënyrë e re financimi, por pjesë e strategjisë së një qeverie për të menaxhuar borxhin publik nëpërmjet diversifikimit të portofolit të borxhit, monedhave dhe mbajtësve të këtij borxhi etj. Borxhi i brendshëm publik i qeverisë stimulon financimet në dobi të qytetarëve, thotë ai, duke shtuar se njëkohësisht rrit sovranitetin e saj nëpërmjet zvogëlimit të nivelit të borxhit, që zotërohet nga investuesit ose nga institucionet financiare të huaja, që në kthim ndikon dhe te shpenzimet për interesa për borxhin e huaj. Tregu i titujve në euro po kthehet në një realitet edhe për individët, që deri më tani përdornin vetëm produktet bankare për kursimet e tyre. Të gjitha këto pohime ata ai kanë shprehur për revistën e specializuar Bankieri.

Eranda Shehu, drejtore e Thesarit në Tirana Bank, mendon se nëpërmjet një politike huamarrje të kujdesshme qeveritë qendrore mund të marrin borxh në monedhë të huaj edhe në tregjet e tyre lokale. Kjo politikë ndikohet nga një kombinim faktorësh të rëndësishëm, si: specifikat e tregut financiar lokal dhe të gatishmërisë së pranisë të investuesve të huaj, nëpërmjet pjesëmarrjes në emetimet në tregjet financiare ndërkombëtare. Gjithsesi, në kushtet e krizës shumëdimensionale, që ka mbërthyer tregjet ndërkombëtare, një emetim tjetër eurobondi në tregjet ndërkombëtare, nga ana e qeverisë sonë, mund të rezultojë me kosto shumë të larta. Le të jemi realistë, kriza e borxheve që ka mbërthyer shumë nga vendet e eurozonës, përveç të tjerave erdhi edhe si rrjedhojë e faktit se këto qeveri fillimisht i “thanë” plotësisht likuiditetet e vendit të tyre duke u orientuar më pas drejt tregjeve ndërkombëtare për të siguruar likuiditetet e tjera të nevojshme.

Po a ka rrezik një formë e tillë e borxhit të brendshëm?

Hubert de Saint Jean thekson se rreziku kryesor në këtë rast është ai i kursit të këmbimit. Zakonisht, euroobligacionet janë tituj afatgjatë e për rrjedhojë, një rivlerësim afatgjatë i monedhës së huaj mund të dëmtojë qeverinë në momentin e shlyerjes së pagesave. Nga ana tjetër, një zhvlerësim i saj do të ndikonte negativisht tek investuesit, e duke qenë se këto janë obligacione qeveritare një situatë e tillë mund të krijonte një klimë jo të këndshme. Christian Canacaris deklaron se dallimi kryesor qëndron te lloji i monedhës. Klienti ose blerësi i një titulli të tillë mund të ndeshet me rrezikun e kursit të këmbimit, në rast të zhvlerësimit të euros. Për sa i përket rreziqeve të tjera nuk ka dallime mes tyre.

 

Zhvillim pozitiv

Bonot në euro janë pa dyshim një zhvillim që do të ketë dy ndikime pozitive: së pari, publiku do të ketë mundësi të investojë në të ashtuquajturit tituj “pa rrezik” edhe në monedhë të huaj dhe së dyti, do të jetë një mundësi e mirë që publiku të familjarizohet me investimet në monedhë të huaj (përveç depozitave) e më tej të orientohet drejt tregjeve të tjera të huaja jashtë vendit për investime në tituj të tjerë në të ardhmen.

Tregu shqiptar duhet të zhvillohet dhe të ndjekë të njëjtat prirje si edhe tregjet e tjera për sa i përket instrumenteve financiare. Sigurisht, duhet punuar në drejtim të edukimit të publikut. Por, ky mund të jetë një tregues që tregu financiar shqiptar po bëhet më dinamik dhe i gjerë në të gjithë dimensionet e tij.

Shitja e këtyre produkteve financiare kërkon një nivel të caktuar edukimi financiar dhe ky proces edukimi duhet të fillojë tashmë. Klientëve duhen t’u shpjegohen rreziqet që shoqërojnë këto instrumente e kjo është e domosdoshme jo vetëm për bonot e thesarit, por për të gjitha llojet e reja të instrumenteve financiare.

Interesi i qytetarëve për të investuar në bono thesari në euro në fakt u rrit nga 1.8 milionë euro në ankandin e dhjetorit të vitit 2011 në 9.85 milionë euro në ankandin e fundit të zhvilluar në gusht të këtij viti. Ky është një tregues i qartë i ndikimit të fushatës masive për marketing, organizuar nga Ministria e Financave, por dhe e ndërgjegjësimit të qytetarëve për mundësitë e investimit në titujt qeveritarë.

 

Si mund të blihen bonot në euro

 

Një numër i madh qytetarësh janë të interesuar të sigurojnë kursimet e tyre në valutë të huaj me fitim të lartë dhe siguri absolute, që garanton qeveria me letrat e saj me vlerë. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove te thesarit nëpërmjet subjekteve të licencuara nga AMF që janë: Banka Raiffeisen, Banka Intesa Sanpaolo, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka e Tiranës, Banka Credins, Alpha Bank dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB). Investimi në bono thesari është forma më e sigurt e investimit pasi garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky investim është i lehtë, me kosto të ulët, dhe shumë fitimprurës. Një individ për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet subjekteve të licencuara nga AMF, duhet që përpara organizimit të ankandit:

Të çelë një llogari pranë subjektit të licencuar nëpërmjet të cilit kërkon të marrë pjesë në ankand, të bllokojë fondet që do të investojë në llogarinë e çelur dhe të plotësojë kërkesën për pjesëmarrje në ankand.

 

 

 

Loading...