100 vjet Shqipni – 100 vjet vetmi

0

Halil Matoshi

Loading...

“Koha ditore”

 

Historia e atdheut të shqiptarëve është e ngjashme me atë të Makondos (Kolumbi) fshatit personazh të Gabriel Garcia Marquezit…
Makondo është jashtë botës (100 vjet vetmi), mes fantazisë dhe reales, mitit dhe gënjeshtrës…
Prej kryeplakut Hose Arkadio Buendia (ta marrim si prototip i Ismail Qemalit) e deri tek i linduri i fundit në Makondo – fëmija me të cilin mbyllet romani – kanë kaluar plot 100 vjet…
Duke u martuar me kushërirën e tij, Ursula, të gjashtë brezat jetojnë në ankthin e incestit (lindja e fëmijëve me bisht derrkuci…)
Një shekull kohë ka pasur familja Buendia për t’i përmirësuar karakteret nebuloze e të degjeneruara, por del të jetë e kotë.
Mujshia egërshane, urrejtja e tjetrit/tjetrës (në këtë vend askush s’ia ka besën askujt, askush nuk vlen, askush s’i thotë askujt “ti vlen”, askujt t’i shkojë në mend t’i thotë tjetrit “Je i mirë plako” – për ta nxitur e tunduar që vërtet të bëhet më i mirë…
Personazhet e romanit shumë herë kanë të njëjtët emra, bash si tek shqiptarët. Baba merr emrin e gjyshit, pastaj djali të stërgjyshit, për t’u rikthyer sërish në rendin e parë të trashëgimisë, djalit i vihet emri i babës e kështu më radhë…
Pse u gjet Shqypnia n’këtë vetmi të madhe?
Thjesht, shqiptarët s’dimë me ba miq – dhe kur ata i kanë, i shpërfillin, s’dinë me i mbajtë ose ndërkohë i harrojnë!
Po pse jemi t’rrethuem me armiq?
Sepse këto janë fanitjet tona, krijesat tona mendjeliga!

Vetmi, vetmi, vetmi…

Më 1912, Ismail Qemali, ideologu i Republikës së Parë, të krijuar nga idealistët, ngatërrohet në ndërgjegjen e tij, si një ish-punonjës i shtetit otoman, që merr ndihmë diplomatike nga austro-hungarezët dhe mbështetje logjistike nga grekët.
Hapësira gjeografike rrudhet, bien varg e vi troje t’banuara me shumicë të një kolektiviteti historik, që kishin tashmë një identitet të dallueshëm etnik shqiptar, por që ende ishin të “politizuar osmanisht”.
Ato troje, gjithandej bëheshin përpjekje të mbroheshin nën flamurin osman dhe në emër të Mbretit. Kosova dhe krejt gjeografia rreth saj bie nën pushtimin e Serbisë dhe Malit të Zi. Ismail Qemali nuk jep ndihmë për kryengritjet e Hasan Prishtinës, me gjithë premtimet për dhjeta mija pushkë e napalona ari!?
“Del nga historia” i braktisur dhe thuajse i harruar!?
Edhe Kosova braktiset vrazhdë.
Qeveria e Vlorës izolohet. Mbetet në vetmi.
Princi Wied vjen në vitin e mbrapsht, 1913. Në vend ka shumë tendenca fetare e politike, shumë grupe militare e lëvizje bajraktarësh, po pa asnjë projekt unik shtetndërtues. Princit i kërkohet një nder: të bëhej synet dhe ai ikën me suitën e tij – toka shqiptare mbetët në vetminë e saj – pa krah përjashta e më shumë çarje përbrenda.
Lufta e Parë Botërore Shqipninë e zë si mos më keq. Të ruajtur nga rastet.
Deri sa në skenë del kontroversi Ahmet Zogu, që i jep vendit pak erë shtetndërtimi, veçmas në aspektin konstitucionalist dhe që ndërmerr disa reforma të rëndësishme. Gjithnjë mbetet i rrethuar nga armiq e komplotistë, të qenë e të paqenë, të jashtëm e të brendshëm. Përjeton atentate madje edhe një përmbysje me revolucion nga peshkopi Fan S. Noli. Ia del të rikthehet në pushtet për pak muaj – por pa lavd dhe me aleanca të diskutueshme. Pastaj Republika e Parë shpallet Monarki. E cila përfundon shpejt me pushtimin italian, 1939. Mbreti braktis vendin, siç kishte braktisur edhe Kosovën, madje duke hyrë edhe në aranzhmane me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, por që mbeten hala të pazbardhura, pra të diskutueshme.
Lufta e Dytë Botërore e gjen Shqipërinë po aq të thyer e të ndarë në dhjetëra krahina e ideologjira koti. Fashizmit i çelet udhë. Kosovarët emotivë por pa struktura politike ndihen të gëzuar se po bëhej Shqipnia Etnike.
Lëvizja partizane ngjallet nga disa serbë të ardhur me mision dhe të ideologjizuar nga Rusia e Kuqe. E djathta shqiptare nuk e pëlqen këtë, por krerët kryesorë u bashkohen komunistëve në luftën antifashiste. Mukja prish sërish gjithçka.

Hetohen shenja të një lufte qytetare.

Me përfundimin e luftës, partizanët e Enver Hoxhës marshojnë në Tiranë dhe vendosin një qeveri të brishtë. Nis të forcohet krahu terrorist brenda partisë komuniste që fillon reprezaljet ndaj secilit që nuk ishte me këtë krah. Suspendohen Kushtetuta dhe ligjet civile. Nis epoka e hekurit dhe zjarrit. Hoxha lidhet me Titon që i kishte rënë në qafë Kosovës. Tito prishet me ‘48-ën me Stalinin, Enveri i futet në gji ‘vozhdit’ gruzian të Bashkimit Sovjetik, J. V. Stalin. E kap shtetin me “Sigurimin” famëkeq.
Jugosllavia e Titos hapet dhe merr mbështetje nga Perëndimi. Shqipëria hyn në dimrin e vetmisë së madhe.
Një ditë Stalin vdes. Hrushovi nuk i pëlqen linjës së ashpër të komunistëve shqiptarë.
Dhe vendin e nxjerrin nga orbita e sovjetikëve.
Tashti duhej një aleat edhe më i çuditshëm, më i largët dhe më palo-komunist. Kina.
Hoxha nis zbatimin e Revolucionit Kulturor kinez. Pleqtë e plakat barten në lese për t’bërë fizkulturë!? ‘Zbor” i thoshin. Ndalohet Zoti.
Vendi i shqipeve bëhet i vetmi shtet që fenë e ndalon me dekret.
Shqipnia vuan izolimin më të tmerrshëm nga të gjitha vendet e Lindjes komuniste. Në një mega-vetmi.
Kosova vuan represionin nga nacionalistët serbë në rritje, që po i vërsuleshin autonomisë së saj të arritur më 1974.
Ndodh Kosova e pranverës ’81. Enveri i sëmurë rëndë kërcënon serbët dhe rusët: “Shqipnia socialiste mund të pushtohet vetëm mbi trupat e kosovarëve të vdekur”.
Po atë vit diktatori Hoxha vdes. “Fronin” e trashëgon Ramiz Alia, që mbetet sërish i vetëm e më shumë gajle. Mes Lindjes që po shembej dhe Perëndimit ende të painteresuar për tokën e shqipeve.
Derisa diktatura enveriste shembet, simbolikisht më rrënimin e bustit gjigant të Hoxhës në Tiranë, më 1990.
Prej ku nis një epokë e re. Rehabilitimi i shtetit dhe i shoqërisë, shërimi i plagëve dhe përballja me vrazhdësinë e pushtuesit në Kosovë.
As Alia e pastaj as pasardhësit e tij Nano e Berisha, si të gjithë paraardhësit e tyre, nuk ia dalin të bëjnë gjë të madhe për Kosovën e dergjur nën zinxhirët e okupimit.
Po Kosova pati yllin e vet të fatit.
1999.

Shqipëria personale

Koncepti im i atdheut është individualist, krejt personal dhe shfaqet pikërisht kur vendos raporte me tjetrin. Jam shkrimtar dhe poet, jam pra vetmitar. Këto janë identitetet e mia të shumëfishta të ndërrueshme e të shtresëzuara. Në Prishtinë ndihem shqiptar, në Tiranë kosovar kurse në Bruksel euro-kosovar (qytetar me vizë në mes); Në Sarajevë jam ndier boshnjak e në Gaza palestinez. Në Pozharevac, 1999 (Serbi) isha thjesht një hebre, në hapësira për jetë të zhveshur. E në Bradenburg më 1989 gjerman. Në New York më 9/11 jam ndier amerikan. Po më shpesh ndihem vetëm individ – vizitor i përkohshëm në këtë planet. Konstruktet imagjinare si bashkësi etnike e kombëtare më bëjnë të ndihem të shumtën i përjashtuar. I vetëm. Prandaj trishtohem nga formimi i diçkaje që quhet “ne” Pa Shqipërinë do të ndihesha përjashta e pa mburojë, pa një plaf mbi shpatulla në acar, pa peshë, jo vetëm në vetmi por edhe i burgosun në nji copë të planetit. Shqipëria me bën me e njoftë vetën dhe të tjerët, me bën me u ndie njeri më me shumë udhë, me më shumë zgjidhje. Shqipëria e zgjeron hapësinen time – udhët e mia – gjeografinë time, por ajo nuk më bën tubë me tjerët…
Është thjesht sh’pia e mikut qe sipas Kanusë së Maleve – asht e jemja!
Pasha Zotin ma mirë se n`shpi nuk ka!
“This is my home” është një këngë proteste e rock grupit prishtinas “Jericho Walls”. Kjo është shtëpia e projektuar në fjalë, në gjuhë, e ndier nga jashtë, sepse profesioni im është të ndiej, të latoj fjalë e të thur trille, jam letrar, andaj shtëpisë i qasem nga kujtesa, gjuha, ndjenja, kultura, përkatësia dhe njohja…
Kur u zura nën shtetrrethim më 1999, pashë në ëndërr veten si Jezunë tek isha gozhduar në derën e shtëpisë. Dhe që nga kjo kohë shtëpia për mua merr një dimension të ri, të shenjtëruar brenda gjuhës, sepse gjuha është streha e qenies (Heidegger).
Sa për ilustrim, Kanuni i Maleve tek shqiptarët e ka një përqasje “angleze” për shtëpinë me vatër zjarri që është e Zotit dhe mikut. Pol Reimonti i J. M. Coetzees është individualist që i intereson vendbanimi me vatër zjarri e jo shtëpia si përkatësi që formon sojin, atë “ne”.
“Konceptin ‘shtëpi’ e kam konsideruar gjithnjë si koncept tepër anglez. Nuk ka shtëpi pa vatër zjarri, thonë anglezët. Për ta shtëpia është vendi ku ka zjarr në vatër, ku mund të ngrohesh. I vetmi vend ku nuk të lë jashtë në të ftohtë. Jo, këtu nuk ndihem ngrohtë. (…) – Më duket ftohtë kudo që shkoj. A nuk më the edhe ti: Njeri i ftohtë? Gruaja hesht. Francezët nuk e kanë këtë koncept për shtëpinë. Për francezët të jesh në shtëpi do të thotë të jesh mes njerëzve të tu, mes sojit tënd, të formosh një “ne”. (J. M. Coetzee, “I ngadalti”)
Koncepti individualist i Coetzees konsiston në raportin me tjetrin, ai nuk do të formojë diçka që quhet “ne”.
“Kur jam në Francë nuk jam në shtëpi. Përkundrazi. Unë nuk formoj ‘ne’ me asnjëri.
Duke iu ankuar asaj për fatin e vet, ai iu afrua më shumë se kurrë gruas Kostelo, dhe kjo gjë i ngjall neveri të tmerrshme. Unë nuk formoj ‘ne’ me asnjeri, po si arrin ajo, vallë t’ia nxjerrë këto fjalë? Një udhëzim këtu, një sugjerim atje, dhe ai i shkon pas si qengj i urtë…” (J. M. Coetzee, “I ngadalti”)
Tek kosovarët gegë Kanuni i Maleve përcakton Patrian si paradigmë: Atdheun, që d.m.th. Atin dhe Dheun. Njeriu del nga shtëpia në qytet që ta projektojë botën vetjake te të tjerët dhe ta ndajë ëndrrën e lirisë më të tjerët, e përmes miqësisë qytetare synon të projektojë dhe të bëjë një shtet të lirë, një shtëpi të përbashkët që i themi shtet, ëndërr që e shohin të gjithë njëkohshëm. Gjithnjë më kanë tërhequr qytetet, si fëmijë kam qëndruar para tyre, (para portave të tyre triumfale, por fiktive) si para hyrjes në një tempull, me njëfarë frike dhe ekzaltimi dyzash. Derisa bëra zbulesën e parë: Prishtinën!
Qyteti, nuk është vetëm shfaqje e një tube shtëpish dhe një grumbulli njerëzish, por brenda asaj turme e asaj tube të shfaqet një mënyrë tjetër e të menduarit? Mendimi i lirisë.

Shqiptarët t’i falin të gjitha, pos suksesit!?

Shqiptarët shkojnë në luftë si në dasmë – e këtë të fundit shpesh – e kthejnë në tragjedi. Dalldisen kur janë të fituar – e zemërohen deri në thyerje kur janë të humbur. Shqiptarët janë solidarë në fatkeqësi – e duan shqiptarin viktimë – dhe ngatërrohen mes veti si ta kenë hequr lakun rreth fytit. Shqiptarët falin.
Ata ta falin edhe gjakun e babës porse, kurrë suksesin!
Dhe pikërisht tek shqiptarët kanë gjetur truall të përshtatshëm edhe totalitarizmat e shekullit XX dhe ato më moderne të fillimshekullit XXI, ngase ‘vozhdi’ (emër rus për shefin), ‘ajatollahët’ (i pari i fisit, baba ose baca) urdhërojnë; ata nuk debatojnë, me ta s’ka negociim. Erich From në “Ikje nga Liria”, thotë se që në fëmijërinë e hershme njeriut i serviren (nga kisha, patria, ajatollahët, baballarët, mësuesit, tribunët, liderët popullorë), të bëjë gjëra që ai mund të mos i dojë, pa e pasur të drejtën e kundërshtimit, ndërsa metodat të cilat përdoren në rast të rebelimit janë shkishërimi, leçitja, internimi, pushkatimi ose stigma: tradhtar. “Fëmija fillon me shtypjen e shprehjes së ndjenjës së tij dhe në fund e ndrydh vetë ndjenjën”. Kështu fëmija “…e humb edhe aftësinë për të bërë dallimin ndërmjet një njeriu të mirë dhe një maskarai…” Frikësohet dhe është i gatshëm të përleshet.
Bijat dhe bijtë e shqipes jetuan gjatë nën mallkimin e vetmisë së madhe, prandaj duhet t’i shmangen nacionalizmit si paranojë kolektive dhe t’i shikojnë të tjerët ndër sy – ta rizbulojnë veten – të njëjtë me të tjerët dhe ta pranojnë konkurrencën e lirë të ideve.
Ata duhet të dalin nga dimrat e vetmisë së madhe, ku janë gjetur nëpër të gjitha epokat, që nga shtetkrijimi para 100 vjetësh e deri në ditët tona.
Shqiptarët më në fund duhet të marrin krahët. Nëse shqiptarët janë bijtë e shkabës, ata duhet të dinë të fluturojnë! Në mos dijshin, ata duhet t’i mësojë “e ëma” – shkabonja!
Sikur Dedali që e mëson Ikarin. Fundja, jeta e shqiptarit është një rit i lashtë, i dyzuar me mistikën, pra një rit fatal! Ismail Kadare tek “Shkaba” do të definojë jetën njerëzore në përthyerje me mitin si të paasgjësueshëm!
Dedë Kola tek “Shkaba” mban linjat e modelimit letrar në analogji me Stiven Dedalusin e Joyce’t, i cili në “Uliksin” vepron “si njeri më shumë raporte”, pra Maksi është i lidhur përmes shumë raportesh me vendin e shqipeve, siç kanë shqiptarët shumë raporte me shkabën, një simbol shumështresorë. Te Kadare po ashtu kemi substitutin biri – babai, (Jezui/Zoti) Dedë Kola (Dedalusi) dhe Ikanaku: “O Zot, është krejt thelbi i tij në atë foljen ‘ik’. Ikës, ikanak, ikan, ikan…”
Duket megjithatë se poenta kryesore e romanit dhe vetë kompleksit të Uliksit, është faza e atësisë, vetë Joyce e kishte theksuar perspektivën dinamike, trekëndëshe dhe interpersonale te “Uliksit”, “jo si personazh, por si njeri me shumë raporte – birit, babait, burrit, dashnorit, shokut, pacifistit, luftëtarit; shpirtit të zbuluar, pra, edhe zotërisë së vërtetë i cili e mbulon lakuriqësinë e vet në praninë e Nausikasë” (Luciano Santiago). Dilemat e Kadaresë sillen midis një përmbysjeje (rrëshqet në ferr) dhe ngritjeje (zbritje- ngritje dhe anasjelltas); midis një indiference (çon dashuri në ferr me një anA, sipas njehsimit të mbrapshtë të kohës, përmbysjes së saj) apo brejtje ndërgjegjeje, si një ‘krau’ e shpendit (Ik nga Teba pas situatës incestioze më atin a amën?) – sepse shqiptarët i thonë vendit të tyre Atdhe dhe Mëmëdhe, gratë dhe burrat bartin fustane e burrat me burra puthen…) midis një konformizmi (i jep të hajë kafshës – emblemë, por e mashtron atë) apo revolte (kacafytet më përbindëshin – emblematik (totemin) deri në zhbërje). Personazhi i Kadaresë nuk është unikat, ai flen në ndërgjegjen e secilit njeri dhe bën luftë të egër në përthyerje me mitin si tharm universal.
Makondoja i paguan haraçin mallkimit, shkatërrohet nga një ciklon – Shqipëria hala rron…
Lë të rrojë përjetësisht dhe u bëftë vend i dashurisë, vend i patriotëve konstitucionalë. Vend i shqiptarëve të lumtur që ia çojnë mirë ndër vete dhe që janë miqësorë më të huajin. Një Shqipëri europiane, më e mirë, më qytetare dhe e mirëqenë.
E dua një Shqipëri në paqe me shtetasit.
Me fytyrë njeriu.
Një Shqipëri që i plakë mileniumet, e vet mbetet e re dhe e bukur.
Me fat 100-shi!

* Amor Fati është një frazë latine që në përkthim të lirshëm do të thotë “dashuri për fatin”. Ajo është përdorur për të përshkruar një qëndrim sipas të cilit çdo gjë që ndodh në jetën e dikujt, duke përfshirë edhe vuajtjet dhe humbjet, janë gjëra të mira. Për më tepër, ajo është e karakterizuar nga pranimi i ngjarjeve apo situatave që ndodhin në jetën e dikujt, si të tilla, të shkruara dhe të domosdoshme.

 

Loading...