Vlora ngre flamurin, njësoj si 100 vjet më parë

0

Dikush në qytetin e tij, të tjerët në Vlorë apo në Tiranë, gjithë Shqipëria ka festuar 100-vjetorin e pavarësisë

Loading...

100 vjet më parë, Ismail Qemali shpalli pavarësinë duke ngritur flamurin. Sot në 2012, 100 vjet më pas, Vlora ngre përsëri flamurin ashtu si në 1912. Një flamur që bëri krenar këdo. Shqiptarë nga të gjitha trevat ishin të pranishëm në një nga festat më të mëdha që ka zhvilluar Vlora. Jugu dhe veriu u bashkuan së bashku. Dikush në qytetin e tyre, të tjerët në Vlorë apo në Tiranë, gjithë Shqipëria ka festuar 100-vjetorin e pavarësisë. Të shtëna topi, fishekzjarre, shtrëngime duarsh, buzëqeshje dhe urime për njëri-tjetrin,  karroca e Ismail Qemalit e vendosur para monumentit të pavarësisë, kalorësit e ardhur nga Kosova të kryesuar nga Isa Boletini mbuluan Vlorën paraditen e djeshme. Njerëz që kishin ardhur nga të gjitha trevat e vendit kishin pushtuar Vlorën e flamurit. Mijëra thirrje gëzuar kanë bërë dje që Vlora të ishte “Kryeqyteti i Shqipërisë”. Nga Kosova, Maqedonia, Mali i zi dhe nga e gjithë Shqipëria kishin ardhur për të ngritur dhe njëherë flamurin, atë flamur që sot valëvitet i lirë edhe 100 vjet më pas. Sheshi i flamurit ishte i tejmbushur dje dhe tregoi se shqiptarët janë një kudo që janë. Të gjithë uronin pavarësinë dhe të gjithë uronin për një Shqipëri të bashkuar. Këngët dhe valle mbuluan gjithë qytetin ku të gjithë kërcenin për të festuar pavarësinë. Flamujt e vendosur në çdo ballkon tërhoqën vëmendjen e mijëra vizitorëve që vizituar Vlorën ditën e djeshme. Të gjitha hotelet këto dy ditë kanë qenë të rezervuar, kjo tregoi dhe njëherë interesin e lartë të shqiptarëve për të festuar këtë festë të madhe.

Kosova zbarkon në Shqipëri

Mijëra shqiptarë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare në Vermicë, në vendkalimin kufitar me Shqipërinë, janë nisur drejt Shqipërisë rreth 18. 000 qytetarë. Për të festuar në Vlorë, në ceremoninë qendrore, shumë qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre janë nisur më këmbë, disa me kuaj për të bërë rrugëtimin që 100 vjet më parë kishin bërë delegatët nga Kosova në shpalljen e shtetit shqiptar. Shkodwr

Shkodër

Që në orët e para të ditës së djeshme Shkodra ka qenë e veshur kuqezi. Qytetarë të shumë kanë mbushur rrugët e qytetit për të uruar 100-vjetorin. Homazhe, himn e koncerte celebruan ditën e 100-vjetorit të pavarësisë edhe në qytetin e Shkodrës. Ngritja e flamurit simbolikisht u be nga kryetari i bashkisë Lorenc Luka. Ceremonitë festive vazhduan me organizime të tjera nga ekspozita të ndryshme, panaire dhe koncerte në sheshet të ndryshme.

Korçë

Kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ngriti flamurin e pavarësisë në qytetin e Korçës. Mijëra qytetarë korçarë kanë mbushur sheshin kryesor të qytetit juglindor. duke uruar pavarësinë Korça ka përshëndetur Festën e Flamurit, 100-vjetorin. Kisha bekon flamurin shqiptar. Me këtë mënyrë krejt të veçantë Korça ka shënuar 28 Nëntorin, 100-Vjetorin e Pavarësisë. Në ceremoninë e posaçme në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua Dhoksologjia e Flamurit.  Ceremonia u krye nga klerikët e Korçës dhe u drejtua nga Ikonom Stavrofor Ilia Kotnani. Ky rit fetar është mbajtur për herë të parë më 28 Nëntor të vitit 1920 nga Fan Noli në kishën “Shën Gjergji” me idenë se mbi fenë dhe mbi shqiptarët është kombi dhe flamuri. Në atë kohë Noli bëri thirrje për bashkimin rreth flamurit për çështjen e kombit.

 

Gjirokastër

28 nëntor, 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare mblodhi së bashku qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal, të institucioneve shtetërore etj. Të gjithë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur në monumentin e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli, tufa dhe kurora me lule. Pranë këtij monumenti të kthyer në simbol për qytetin, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të gjitha personalitet e qytetit.

Flamuri shqiptar në Akropol të Greqisë

Dy të rinj shqiptarë kanë sfiduar policinë greke duke ngritur një flamur shqiptarë në Akropoli. Edhe pse nuk lejohet shqiptarët sfiduan rregullat duke bërë foto me flamurin kombëtar. E-magazine.gr shkruan në edicionin online një artikull të titulluar “Flamuri Shqiptar në Akropol”. Në artikull përmendet 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe në këtë kuadër trajtohet edhe ngritja e flamurit kuqezi nga dy të rinjtë në afërsi të Akropolit në Greqi.

Prishtina kuqezi

Ngjyrat kuqezi dhe Flamuri Kombëtar dominojnë kudo në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë ka bërë që shumë kosovarë të shkojnë në Tiranë e Vlorë për të festuar megjithatë disa të tjerë kanë gjetur mënyrën më të mire duke qëndruar në Prishtinë. Lëvizja për Bashkim, parti joparlamentare që synon bashkimin kombëtar improvizoi se po jeton në një shtet të bashkuar me Shqipërinë. Në atë që quhet Bashkia Prishtinës, zyra e Gjendjes Civile Lëvizja për Bashkim bëri shpërndarjen e disa pasaportave shqiptare.

 

Loading...