Tirana “gjunjëzohet “nga festimet, mijëra qytetarë pushtojnë kryeqytetin

0
151

Për të qenë pjesë e festës së madhe të Tiranës, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, kryeqyteti ka mbledhur qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi

Që në orët e para të mëngjesit, të gjitha rrugët dhe sheshet e kryeqytetit shqiptar kanë qenë të tejmbushura me qytetarë të ardhur nga të gjithë trojet shqiptare. Dhjetëra aktivitete për të gjitha grupmoshat janë zhvilluar në Tiranë, në festën që ka nisur prej tre ditësh. Kulmi i aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës, ka qenë ceremonia e prerjes së tortës së 100-vjetorit të pavarësisë, përpara TKOB. Kjo tortë me sipërfaqe 550 metra katrorë dhe me peshë 18 tonë është sot më e madhja e realizuar në botë.

Atmosfera

Të veshur kuqezi apo me kostume kombëtare, qindra qytetarë kanë festuar në rrugët e kryeqytetit 100-vjetorin e pavarësisë. Atmosfera festive ka nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Thuajse të pushtuara nga qytetarë me flamuj në duar, të rinj e të reja apo fëmijë të pikturuar kuqezi kanë qenë sheshi “Skënderbej”, rruga përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza”. Për të qenë pjesë e festës së madhe të Tiranës, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, kryeqyteti ka mbledhur qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, Kosova, Maqedonia dhe Mali. Të jesh pjesë e një jubileu të tillë të jepet fati vetëm njëherë ndaj dhe të gjithë ndjehen të kënaqur që janë pjesë e 100-vjetorit të pavarësisë. Të gjithë ndjehen të përshkuar nga një lloj entuziazmi dhe euforie, ku pa dyshim sundojnë dozat e krenarisë kombëtare.

Ditën

Gjatë ditës, qytetarët që tejmbushën si kurrë më parë rrugët e Tiranës, kanë parë nga afër në rrugën “Murat Toptani”, panairin “Blej Produkte Shqiptare”, kanë shijuar koncerte me këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë dhe popullore. Përpara Galerisë së Arteve, të shumtë kanë qenë ata që kanë vizituar ekspozitën “100 vjet Tirana”, ndërsa aktivitetet në lulishten tek parku “Rinia” i ishin dedikuar tërësisht fëmijëve. Telajo për pikturën me temë, “100 vjet pavarësi – Shqipëria ime”, koncert për fëmijë, teatër për fëmijë, animatorë, foto-point me personazhe të Pavarësisë ishin disa nga aktivitetet e organizuara, që nga ora 10 e paradites së djeshme.

Rrugët

Po kështu tek lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”, Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, Shkolla e Baletit kanë performuar për të rinjtë. Cirku i Tiranës dha shfaqje pranë urës tek rruga, “Ibrahim Rugova”. Në rrugën “Ismail Qemali”, qytetarët patën mundësi të ndiqnin ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit. Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qindra qytetarë kanë bërë foto me personazhe historike, ndërsa rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhur me festën, kanë shpërndarë flamurë të vegjël dhe organizuar lojëra. Në mesditë, në sheshin “Skënderbej” zbritën parashutistët e “Red Bullit”, me flamurin kombëtar.

 

Festa

Fëmijët në festën e pavarësisë

Edhe nxënësit e shkollës “Turgut Ozal” kanë marrë pjesë në festimet me rastin e 100-vjetorit të formimit të shtetit shqiptar, duke organizuar një koncert festiv me tematikë atdhetare. Nxënësit recituan vargje të poetëve kushtuar flamurit dhe pavarësisë, ndërsa të tjerë interpretuan në pjesën teatrale, ku ishte përzgjedhur ngritja e flamurit nga Ismail Qemali dhe burrat e tjerë të kombit. Disa prej nxënësve, të shoqëruar nga kori i shkollës, kanë interpretuar këngë të njohura patriotike kushtuar Shqipërisë. Në fund janë vlerësuar edhe nxënësit më të talentuar, të cilët kanë marrë çmime të posaçme. Në koncert kanë qenë të pranishëm edhe drejtori i Muzeut Kombëtar, Luan Malltezi, dhe studiuesja e njohur italiane, Lucia Nadin, të cilët kanë vlerësuar nismën e shkollës në rritjen e brezave të rinj me dije për vlerat dhe historinë e kombit tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency