Arben Sefgjini: Amnistia te të dënuarit me kusht, si do procedohet

0
205

Sonja Caka

Shërbimi i Provës, përfitues rreth 1 mijë të dënuar të mitur dhe të rritur

Monitorimi elektronik, si do funksionojë mbikëqyrja e të dënuarve me “arrest shtëpie”

 

Shërbimi i Provës, i konsideruar zyrtarë shqiptarë dhe të huaj si një histori suksesi në vend, uli ndjeshëm jo vetëm mbipopullimin në burgje, por në të njëjtën kohë uli edhe kostot e mbajtjes së një të dënuari në burg. Tashmë, nga janari e në vazhdim, ky shërbim do të monitorojë edhe sistemin më të ri që pritet të aplikohet më 1 janar 2013 në vend, atë të monitorimit elektronik. 300 të dënuar me mbajtjen e detyrueshme të byzylykut elektronik do jenë nën mbikëqyrjen e këtij shërbimi, ndërsa projekti pilot pritet që të nisë vetëm për Tiranën dhe më pas do gjejë shtrirje edhe në qytete të tjera. Një staf i këtij shërbimi është duke u trajnuar për të bërë efektiv në fillimvit këtë sistem të ri, i aplikuar për herë të parë në rajon. Ndërkohë që më tepër detaje rreth monitorimit elektronik dhe funksionimit, të dënuarve me kusht që përfitojnë nga ligji për Amnistinë në këtë jubile të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe si do procedohet me lirimin e tyre, të dënuarit e dënuar në interes të publikut dhe marrëveshjet me bashkitë e komunat, flet për “standard” drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, z.Arben Sefgjini.

Z.Sefgjini. Sot nisi aplikimi i Amnistisë në sistemin e burgjeve. Kur fillon zbatimi i këtij ligji në Shërbimin e Provës?

Ndryshe nga sistemi i burgjeve, ku lirimi bëhet nga vetë drejtuesit në bazë të kritereve të ligjit për Amnistinë, te Shërbimi i Provës ndodh ndryshe. Për personat që përfitojnë do të jetë Prokuroria ajo që do përgatisë urdhrat e ekzekutimit dhe do t’i drejtohet gjykatës. Më pas, në bazë të kritereve, për secilin të dënuar që ndodhet nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, vendos gjykata për lirimin, gjithmonë nëse përmbush kriteret.

 

Sa është numri i të dënuarve me kusht që përfitojnë nga Amnistia? Keni ju një listë gati?

Paraprakisht ne kemi bërë një listë emrash, por që do të jetë Prokuroria ajo që do të vendosë se për cilët persona do kërkojë lirimin. Paraprakisht, nga studimi i dosjeve dhe veprave penale, parashikohet të jenë afro 1 mijë të dënuar që do përfitojnë nga Amnistia. E përsëris edhe njëherë që të mos ketë ngatërresa, nuk jemi ne që e vendosim lirimin, por është Prokuroria që do i kërkojnë gjykatës lirimin e tyre përmes urdhrave të ekzekutimit. Kjo është arsyeja pse ne nuk bëjmë lirime ashtu si dhe burgjet.

 

Cilët janë përfituesit nga Amnistia?

Nga ligji i Amnistisë parashikohet të përfitojnë 300 të mitur dhe rreth 700 të dënuar të rritur. Duhet t’u theksoj se që të përfshihen në listën e të amnistuarve, të dënuarit duhet jo vetëm t’u ketë mbetur vetëm koha e ulët e dënimit, por të kenë rrezikshmëri të ulët. Pra, vepra penale për të cilën janë dënuar të jetë në kriteret e përcaktuara në ligjin e Amnistisë. Një personi të liruar me kusht, që i kanë mbetur vetëm disa muaj nga dënimi alternativ, nëse vepra penale për të cilën është dënuar dikur nuk përfshihet te kriteret e përcaktuara në ligj, atëherë nuk përfiton nga Amnistia.

Sa është numri i personave që ndodhen nën mbikëqyrjen tuaj?

Numri total i të dënuarve që ndodhen tashmë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës është rreth 4446 persona, nga të cilët përfitojnë Amnisti rreth 1 mijë prej tyre.

 

A ka rritje të kërkesave për lirime me kusht?

Në fakt, qysh prej momentit kur është folur për amnisti, ka pasur një rënie të kërkesave për përfitim nga dënimet alternative. Arsyeja është shpresa për të përfituar nga amnistia dhe për të mos paraqitur dy kërkesa në gjykatë, edhe për lirim nga burgu me kusht dhe për amnisti. Pasi të përfundojë ky proces do të shihet fluksi i kërkesave. Megjithatë, kërkesat vazhdojnë pasi ka persona që e kanë të qartë që vepra penale për të cilën janë dënuar nuk përfshihet në ligjin e amnistisë.

 

Sa është numri i zyrave që keni në gjithë vendin? A është i përballueshëm fluksi i kërkesave duke pasur parasysh personelin që keni?

Në fakt, në gjithë vendin janë hapur 12 zyra, ku ngarkesa për punonjës nuk është e njëjtë. Punonjësi i Shërbimit të Provës në Tiranë ka më tepër ngarkesë për shkak të numrit të lartë të të dënuarve përfitues nga lirimet me kusht, afro 130 të dënuar nën mbikqyrje për punonjës. Amnistia parashikohet ta ulë disi ngarkesën.

Disa ditë më parë u inaugurua Salla Operative për monitorimin elektronik dhe Shërbimi juaj do të jetë mbikqyrësi për personat me këtë lloj dënimi. Si do funksionojë ky sistem dhe sa prej të dënuarve të Shërbimit të Provës do monitorohen përmes byzylykut elektronik?

Ashtu siç edhe u deklarua prej ministrit, në 1 janar pritet të nisë funksionimi i sistemit të ri, monitorimit elektronik. Ndodh për herë të parë aplikimi në rajon i monitorimit elektronik dhe kjo ndodh në vendin tonë. Aktualisht ka nisur trajnimi i stafit nga kompania që ka përgatitur sistemin, me qëllim që me vendimet e para të gjykatës, stafi të jetë gati. Por, për momentin, personat për të cilët do vendoset monitorimi elektronik nuk do jenë ata të Shërbimit të Provës, por ata për të cilët do vendosë gjykata në janar e vazhdimësi. Por, që një personi t’i vendoset byzylyku elektronik duhet jo vetëm të marrë vendim gjykata, por edhe që i akuzuari të pranojë këtë lloj monitorimi. Pra, personat me “arrest shtëpie” do të vendosin para gjykatës nëse duan t’u vendoset byzylyku dhe të qëndrojnë në shtëpi ose në të kundërt do qëndrojnë në burgje. Por, edhe që të vendoset kjo lloj mase dënimi, duhet që banesa e personit të plotësojë disa kritere, një ndër të cilat është edhe të pasurit e një telefoni në shtëpi.

 

Si po ecën ky proces?

Procesi në fakt është i ndarë në faza. Faza e parë ishte ligji, ngritja e Sallës Operative dhe trajnimi i stafit. Faza e dytë ka të bëjë me përgatitjen dhe firmosjen e akteve të bashkëpunimit mes Shërbimit të Provës, Gjykatave dhe Policisë. Pasi, ky proces është një bashkëpunim mes këtyre tre institucioneve. Projekti është pilot, pra vetëm për Tiranën dhe më pas parashikohet të zgjerohet edhe në rrethe.

Mes të liruarve me kusht, mësuam që keni edhe nga ata që janë dënuar nga gjykata me punën në interes publik. Si funksionin ky lloj dënimi?

Është e vërtetë, ka edhe të dënuar me punë me interes publik. Por, që të arrihej kjo, na është dashur të lidhim një sërë marrëveshjesh me komuna dhe bashki në vend, pa parë nëse janë të majta apo të djathta. Në këtë aspekt nuk ka pasur ndasi partiake. Bëhet fjalë për afro 228 marrëveshje të nënshkruara nga Shërbimi i Provës me komuna dhe bashki. Numri total i të dënuarve me punë në interes publik nga 1 qershor i vitit 2009 deri me 31 tetor të këtij viti është 492 të dënuar. Ndërkohë që, numri total i të dënuarve me punë në interes publik që ndodhen aktualisht nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës është 73 të dënuar. Këta të dënuar, në varësi të dënimit të dhënë nga gjykata, punon në ndihmë të komunitetit, bashki apo komuna, pa pagesë.

 

Si funksionin ky dënim dhe a monitorohet nga ana juaj?

Është gjykata është ajo që përcakton orët e punës në shërbim të komunitetit, nga 40 deri në 240 orë pune. Kjo është një punë e papaguar, pasi individi i dënuar shlyen dëmin e shkaktuar duke dhënë kontribut falas për interes publik. Në fund të përfundimit të kohës së punës, së përcaktuar nga gjykata, bashkia apo komuna i jep një vërtetim të dënuarit, ku shkruhet vlerësimi për të përgjatë kësaj kohe të kaluar në interes të komunitetit. Monitorimi ndodh që në fillim nga ana jonë, pasi në bashkëpunim edhe me komunat dhe bashkitë, përgatitet grafiku i punës nga punonjësit e Shërbimit të Provës. Monitorimi më pas vijon edhe në vendin e punës, duke parë si zbatohet vendimi i gjykatës nga i dënuari.

 

Si arrini ta bëni vlerësimin për rrezikshmërinë ose jo të një të dënuari që do të përfitojë nga lirimi me kusht?

Më parë vlerësimi ka qenë subjektiv. Por, tashmë vlerësimi i rrezikshmërisë së personit bëhet përmes një pyetësori, i cili plotësohet nga vetë i dënuari. Përmes përgjigjeve nxirret edhe rrezikshmëria. Gënjen apo thotë të vërtetën në përgjigje i dënuari, kjo rëndon në vlerësimin e tij, pasi ai nuk e di se si nxirrte një vlerësim nga ky pyetësor. Kjo është një risi në Shërbimin e Provës, pasi më parë, siç edhe e theksova më lart, vlerësimi bëhej me subjektivizëm.

 

Detaje

 4446 të dënuar është numri total i të denuarve nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës

 73 është numri total i të dënuar që aktualisht punojnë në interes publik dhe mbikëqyren nga Shërbimi i provës

 1 mijë të dënuar me kusht pritet të përfitojnë nga Amnistia, pas urdhrave të ekzekutimit nga Prokuroria

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency