100 vjet ekonomi shqiptare, si u hodhën themelet

0

Blendi Hasani

Loading...

Historia, bisedimet e Ismail Qemalit me bankierët e huaj dhe krijimi i Bankës Kombëtare

Sot, kur festohet me madhështi krijimi i shtetit shqiptar, nuk mund të mos kthehet vëmendja edhe në përpjekjet gjigande që u bënë nga ”baballarët e kombit” për të krijuar themelet e ekonomisë që do të siguronte mbijetetesën e tij. Një studim, i kryer nga dy ekspertë të ekonomisë, hedh dritë kryesisht mbi hapat e parë të hedhur në këtë drejtim, në kuadër të një krize ballkanike e evropiane të paprecedent, që çoi në Luftën e Parë Botërore dhe në rrezikimin e ekzistencës së mëtejshme të shtetit shqiptar si të tillë. Megjithatë, Shqipëria mbijetori, falë përpjekjeve të njerëzve vizionarë e të guximshëm.

 

Pavarësia

Më 28 Nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë. Pjesa shqip u hartua nga Luigj Gurakuqi, ndërsa ajo osmanisht nga Ismail Qemali. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga të gjithë delegatët e Kuvendit.

Ky përbën edhe hapin e parë të krijimit të shtetit modern shqiptar, pas 500 vitesh të pushtimit osman. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, me ngritjen e flamurit në Vlorë, Ismail Qemali u zgjodh kryeministër dhe iu dha e drejta nga delegatët të krijonte qeverinë e re. Kjo qeveri u shpall më 4 dhjetor 1912 dhe “jetoi” deri më 22 janar 1914.

Po në çfarë gjendje ekonomike ndodhej Shqipëria në këtë periudhë, kur sapo kishte përfunduar lufta ballkanike dhe ishte nënshkruar armëpushimi me qeverinë osmane?

 

Studimi

Një studim i ndërmarrë nga Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi (Gjendja ekonomike e Shqipërisë 1912-1944) na njeh me kushtet e vështira politike, ekonomike, sociale etj., në të cilat ndodhej vendi, i cili fliste me gjuhën e mbijetesës. Situata ishte tejet e rënduar. Rëndom ndihej mungesa e ushqimeve. Objektivisht fitorja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit shqiptar duhet të ndihmonin në zhvillimin e tregut kombëtar, por kjo nuk u arrit dot.

I domosdoshëm u vlerësua krijimi i institucioneve të para shqiptare. Krahas detyrave të tjera për ndërtimin e shtetit, qeveria shqiptare mori masat për ngritjen e Bankës Kombëtare. Bisedimet e para Ismail Qemali i kreu me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të “Wienner Bank Verein”, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher, përfaqësues të “Banca Commerciale Italiana”. Gjatë kësaj kohe u morën masa të gjithanshme për të mbështetur fillimin e shpejtë të veprimtarisë së bankës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, gazeta “Perlindja e Shqipëniës”, organ i qeverisë së Ismail Qemalit, depozitoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë fondet që dispononte. Banka nisi veprimtarinë në tetor 1913, ndërsa qeveria shqiptare i bëri thirrje shtresave të pasura që mjetet e lira t’i depozitonin në bankë. Marrëveshja e tetorit 1913 ishte dinjitoze për kohën, tregoi jo vetëm orientimin politik properëndimor të qeverisë së Ismail Qemalit, por njëkohësisht edhe vizionin shtetformues të saj. Vetë Ismail Qemali e konsideroi aktin e krijimit të Bankës Kombëtare si fitoren e dytë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare.

Qeveria e Vlorës kontribuoi në hartimin e disa ligjeve organike, siç ishte “Kanuni i Përshtatshëm” (i përkohshëm) i Administratës Civile. Ishte pikërisht kjo qeveri, e cila vendosi parimet e centralizimit të pushtetit, të shqyrtimit dhe vërtetimit të buxhetit, shqyrtimit të çështjeve ekonomike, të pjesëmarrjes së popullit në organet qeverisëse.

 

Institucionet

Një nga institucionet më të rëndësishme ishte edhe Administrata Financiare, ministri i parë i së cilës në Shqipëri ka qenë Abdi Toptani. Ministria e Financave, e drejtuar nga Abdi Toptani, menjëherë sapo u formua, hodhi poshtë sistemin e kapitulacioneve dhe vendosi sovranitetin e vet juridik dhe fiskal. Ajo vendosi tarifën doganore në bazë tagri, specifik mbi llojin e mallrave. Kjo masë pati qëllim fiskal: të shtonte tagrin doganor mbi produktet e importuara, të shtonte sasitë dhe të ardhurat e doganave.

Ministri Toptani vijoi me masat ligjore, duke vepruar edhe me taksat doganore si më parë, d.m.th. 11% mbi vleftën e mallrave, që importoheshin dhe 1% mbi vleftën e mallrave që eksportoheshin. Pra, u mbajt në fuqi, “sistemi ad-valoren”. Ai ndryshoi taksën e importimit mbi duhanin, që e shtoi përkohësisht deri në masën 30%, me një urdhër të firmosur nga ai vetë, me nr. 472, datë 15 korrik 1913.

 

Gjendja ndërkombëtare

Por, zhvillimet politike dhe synimet e shteteve fqinje për ta zhdukur nga harta Shqipërinë e çuan atë përballë një ngjarjeje e cila do të cenonte përgjithmonë sovranitetin territorial. Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913 do të përcaktonte kufijtë e rinj të vendit. Që nga ajo kohë, Shqipëria do të kishte një sipërfaqe prej 28,748 kilometrash katrorë. Në atë periudhë popullsia llogaritej në rreth 800,000 vetë.

 

Ekonomia latente e shtetit tw ri

Gjymtimi territorial dhe politik goditi rëndë popullsinë, por edhe ekonominë, copëtoi tregun e brendshëm dhe ndërpreu lidhjen me disa qendra të rëndësishme të Shqipërisë që mbetën jashtë truallit amë, por edhe ato brenda. Në mënyrë të veçantë u goditën tregjet e Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Kukësit, Dibrës etj.

Shqipëria në këtë periudhë ishte një vend tërësisht bujqësor. Tokat më pjellore gjendeshin në Vlorë, Sarandë, Shkodër etj. Pjesa dërrmuese e tyre kultivohej me mjete primitive.

Rendimenti i drithërave arrinte në zonat fushore në 6-10 kv/ha dhe në ato malore, 4-6 kv/ha.

Në prodhimin industrial mbizotëronte zejtaria dhe manifaktura. Zejtaria ishte ajo që përballonte nevojat më të mëdha në vend. Në dhjetë qytete kishte në total rreth 4,600 njësi.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve ishin të vogla me 2-3 punonjës. Vetëm kriporet kishin rreth 100 persona të punësuar. Që prej vitit 1875, kapitali i huaj shfrytëzonte minierën e bitumit në Selenicë.

Sa i përket infrastrukturës, vendi trashëgoi nga sundimi turk një rrjet shumë të pakët të punëve publike, rreth 189 km rrugë që ishin në një gjendje shumë të keqe dhe të ndërtuara pa ndonjë lidhje midis tyre. Mungonin urat për kalimin e lumenjve, i cili bëhej me trape, mungonin limanet, hekurudhat etj. Akset më të rëndësishme ishin Shkodër-Shëngjin, Tiranë-Durrës, Elbasan–Labinot dhe Gjirokastër-Kakavijë.

Në këtë kohë, Shkodra ishte qyteti më i madh në vend. Ajo realizonte lidhjet më të rëndësishme me tregjet e huaja, si me Triesten, Venedikun, Dubrovnikun etj.

 

Politikat e para

Që në programin e parë, shteti i porsakrijuar shqiptar, krahas problemeve të tjera, mori masat përkatëse dhe për punët botore. Këto masa mbetën në letër, mbasi për 7 vjet rresht vendi mbeti i copëtuar dhe i pushtuar nga ushtritë e huaja. Gjatë kësaj periudhe dhe për nevojat e tyre ushtarake ushtritë austriake, italiane dhe franceze ndërtuan me shpejtësi 1,000 km rrugë të improvizuara që lidhnin qytetet e Shqipërisë së Mesme me atë Veriore e qytetet e Jugut etj., gjithashtu ato ndërtuan një rrjet dekovili me gjatësi 350 km, duke lidhur qytetet e rëndësishme si Shkodrën me Tiranën, Durrësin me Lushnjën. Një pjesë e saj kishte karakter lokal.

Qeveria e Vlorës mori edhe një masë të rëndësishme që kishte të bënte me shtetëzimin me anë të konfiskimit të 175 çifligjeve, që kishin qenë në zotërim të Portës së Lartë. Këto çifligje zinin në total një sipërfaqe prej 56,187 hektarësh. Në këtë mënyrë shteti bëhej “çifligari” më i madh i tokës. Gjithashtu kjo qeveri nxori një ligj edhe për kontrollin e pronësisë mbi tokën.

Loading...