Studentët e universitetit gjallërojnë jetën e qytetit

0

Artur Ajazi

Loading...

 

Ashtu si çdo vit akademik, rruga “Taulantia”, zona ku ndodhet aktualisht universiteti i Durrësit, gjallëron nga jeta studentore. Edhe ky vit akademik ka mbi 8600 studentë thuajse nga i gjithë vendi që i janë drejtuar auditorëve të institucionit universitar që hapi dyert për herën e parë në 5 Nëntor të vitit 2005. Tek takon studentë, i dëgjon duke shprehur kënaqësinë e leksionit, e takimit sërish me shoqërinë e tyre, madje vendasit kanë një tjetër kënaqësi. Një studente e vitit të parë në degën e Turizmit, durrsake shprehet se, “jam me fat, pasi nuk iu largova shtëpisë, unë banoj vetëm pak metra larg godinës 4-katëshe, që shërben si korpus qendror për Universitetin e Durrësit”. Ajo ka zgjedhur degën e Turizmit dhe në dy vitet e para të studimeve, bashkë me leksionet, ka mundur të punojë katër orë në ditë në një kompani private. Studentja shprehet se “unë mund t’i përzgjedh oraret e leksioneve, të cilat vijojnë nga ora 8.00-20.00 studimet e kombinuara me punën i kanë krijuar mundësi, dua të jem e pavarur financiarisht nga familja dhe të mendoj më seriozisht për të ardhmen”. Studentët shprehen se janë në dijeni se Universiteti i Durrësit ka aplikuar edhe nivelet e para dhe të dyta master dhe shprehen se, “gjuha e huaj që po mësojnë jo vetëm me pedagogë vendas, do ti shërbejë me siguri edhe për studimet pasuniversitare”. Durrësi 3 mijë vjeçar ka lënë pas gjallërinë e sezonit turistik, duke e zëvendësuar me harenë që krijojnë të rinjtë studentë, gjithnjë e më të shumtë në numër. Grupe 20-vjeçarësh nga qendra e qytetit kalojnë pranë Amfiteatrit dhe mureve mesjetare për t’ju drejtuar altarit të dijes. Durrësi, qyteti më i vjetër, në bregun lindor të detit Adriatik, vazhdon të mbijetojë gati 3 mijë vjet pas themelimit falë dashurisë së paraardhësve bashkëqytetarë për kulturën. Studiuesi Sali hidri dhe Hasan Ulqini, në librat e tyre shkencorë shkruajnë se “në statutet e hershme të qytetit janë dokumentuar dëshmi, të cilat provojnë se Durrësi në shekullin e 13-të ka pasur “un Colleggio fiorente” – një shkollë të lartë të lulëzuar, në të cilin jepnin mësim pedagogë nga Bolonja dhe Padova, dy qytetet italiane me universitetet më të vjetra të botës. Kur në Durrës u përurua biblioteka e parë publike në shekullin e 3-të të erës sonë, për nder të kësaj ngjarjeje në Amfiteatër u zhvilluan gara dhe ndeshje të mëdha. Bashkëpunimet ndërkombëtare të universitetit që ka rifilluar pas disa shekujsh janë më të gjëra dhe përveç vendeve të Evropës, përfshijnë edhe disa universitete në SHBA. Për Fakultetin e Studimeve të Integruara me praktikën FASTIP, që nis vitin e dytë të leksioneve, gjithçka është realizuar në bashkëpunim të plotë me universitetet e ngjashme të Gjermanisë. Çdo javë pasdite do të vijojë cikli i bisedave “Pema e dijes”, ku bashkëbisedohet me personalitete vendase dhe të huaja për tema interesante që nga Bashkimi Evropian deri te ngrohja globale. Oborri i universitetit mbushet me studentë, që ulen për herë të parë në auditorë. Ka shumë prej tyre që vijnë nga rrethet, dhe që janë regjistruar në degë të ndryshme si, Infermieri, Ekonomi Turizëm, Detari, Ekonomik, Mësuesi, gjuhët e huaja etj, por edhe në Shkollën e Lartë Profesionale. Banesat e reja pranë shëtitores “Taulantia” nga “Torra Veneciane” deri në zonën e Currilave janë më të kërkuarat në këtë sezon për tu sistemuar nga studentët e rretheve. Shumica e studentëve nga rrethet kanë kërkuar këtë vit akomodime në banesa private, pasi godina universitare aktualisht nuk ka konvikt. Këto ditë në pallatet buzë rrugës kanë hapur dyert njësi të reja shërbimi të internetit si dhe një librari shkollore. Numri i studentëve në Universitetin e Durrësit është rritur si çdo vit edhe për sezonin 2012-2013.

 

Loading...