Shqiponja në “Guinnes”, Strati realizon mozaikun me 1 milion kokrra fasule

0

Mozaiku është realizuar në Prishtinë, prej 63 metrash katrorë, më i madhi në botë. Strati thyen rekordin punuar në Kinë 3 vite më parë

Loading...

 

Artisti shqiptar Saimir Strati ka përdorur 620 kilogramë fasule për të krijuar mozaikun prej 63 metrash katrorë, më të madhin në botë. Mozaiku me shqiponjën dykrenare, nga pasditja e së hënës, zyrtarisht është në “Guinness” për mozaikun më të madh në botë, të krijuar me fasule, rekord që mbahej më parë nga një mozaik i punuar në Kinë 3 vite më parë.

Mozaiku

Muri i një hoteli që mban emrin e kryeqytetit të Kosovës është hapësira, ku Strati ka renditur 1 milion e 350 mijë kokrra fasule, me të cilat ka krijuar shqiponjën dykrenare. Një matje zyrtare nga ana e ekipit të librit të rekordeve “Guinness”, ka rezultuar edhe me dorëzimin e certifikatës zyrtare për rekordin e ri. Me këtë rekord të ri “Guinness”, Strati shton numrin e tyre në shtatë. “Deri më tani mozaiku më i madh me fasule ka qenë në Kinë me 60 metra katrorë, i krijuar në vitin 2009. Saimir Strati ka krijuar një mozaik 63 metra katrorë. Kështu që, me mandatin që më është dhënë, konfirmoj se ky është rekordi i ri ‘Guinness’”, – tha Anabel Loudi, përfaqësuesja e Librit të Rekordeve. “Jam e gëzuar që po e bëj këtë thyerje të rekordit po e deklaroj në këtë qytet të bukur si Prishtina”, – shtoi ajo.

Guinnes-i

Strati, i cili ka thyer rekordin e parë në vitin 2006 me mozaikun “Leonardo da Vinci”, të cilin e ka realizuar me 400 kilogramë gozhda, ka thënë se ka punuar me shumë dashuri. “Ka qenë një nga rekordet më të lodhshme. Kam punuar për një muaj nga 18 orë në ditë”, tha Strati, që arriti të realizojë këtë rekord në 100 vjetorin e Pavarësisë. Në mozaikun me shqiponjën dykrenare me fasule janë krijuar vetëm tri nga nëntë flatrat e shqiponjës që është në flamurin zyrtar të Shqipërisë. Shqiponja është me fasule të zeza, ndërsa pjesa tjetër e murit është mbuluar me fasule ngjyrë kafeje të çelur. Strati thotë se me qëllim nuk ka përdorur fasule të kuqe. ”Fillimisht më kanë ardhur fasulet e kuqe po nuk i doja. Këto që janë vënë tani, i kam siguruar me shumë vështirësi”, – tha Strati. Ndërsa sqaron se nuk ka përdorur fasule të kuqe sepse “ishte shumë e kuqe dhe dilte si poster dhe unë doja që të jetë një vepër arti”. “E kam pasur ëndërr që të realizoj këtë mozaik në Kosovë. Kjo është mënyra ime për të lobuar për shtetin e Kosovës. Ky rekord është një dhuratë për gjithë popullin kosovar dhe nder për sakrificën që ka bërë”, tha Strati.

Rekordet

Në Kosovë për herë të parë është shënuar kështu një rekord “Guinness”. Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, tha se “kosovarët kanë hyrë moti në librin “Guinness”. Populli kosovar ka hyrë në “Guinness”-in e kujtesës historike e jo që 10 apo 20 vjet, por para shumë shekujve”. Mirëmbajtja e këtij mozaiku, sipas Naim Spahiut, nga Galeria “Open Art”, që së bashku me hotelin kanë qenë mikpritësit e ngjarjes, do të bëhet me lyerjen e saj për ta mbrojtur nga prishja e fasules. Strati ka në bagazh edhe rekordet si ai vitit 2007, me veprën e tij “Shpirti i pakontrolluar”, në vitin 2008 me veprën “Mediterraneana”, më 2009 me figurën e mbretit të popit, Majkëll Xheksonit, pastaj më 2010 ka thyer rekordin me veprën “Monedhat e artistëve” dhe më 2011 me veprën “Një botë, një familje, një kafe”.

Loading...