Shqipëri-Kosovë, duhen përpjekje për të realizuar “bashkimin” ekonomik

0

Blendi Hasani

Loading...

Në një artikull të gazetës “Express” të Prishtinës, shkruar nga Zekirja Shabani dhe Agon Sinanaj, thuhet se Kosova dhe Shqipëria assesi nuk po mund ta thellojnë bashkëpunimin ekonomik mes veti. Shumë nisma e ide për projekte kanë mbetur vetëm në letër. Deri më tani, autostrada vlerësohet si projekti i vetëm që i bashkon ekonomikisht shqiptarët. “Bashkimi fillon me ekonomi”. E kanë thënë i madh e i vogël në këto ditë feste të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Kjo është parulla që më së shumti po proklamohet në nivelet më të larta shtetërore, si në Kosovë e si në Shqipëri. Por, sa e mundshme, aq edhe e parealizueshme duket një ide e tillë. As Kosova e as Shqipëria nuk kanë dëshmuar deri më tani se janë të gatshëm t’i bashkojnë forcat për një ekonomi të përbashkët. Së paku kështu tregojnë studimet e bëra mbi këtë ide nga institute e organizata të ndryshme që merren me çështje ekonomike.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dekadën e fundit lë shumë për të dëshiruar. Nuk ka më shumë se një dekadë që të dyja vendet i kanë hapur dyert për bashkëpunim. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se historikisht nga viti 1948 kufiri ka qenë i mbyllur. “Çdo nivel i bashkëpunimit ka qenë i centralizuar apo i lejuar prej shtetit. Ka pas një këmbim minimal të mallrave që as nuk është evidentuar. Bashkëpunimi ka filluar prej pasluftës, kur edhe janë hapur kufijtë”, – thekson Rexhepi. Sipas tij, edhe sot pengesat e bashkëpunimit janë kryekëput të nivelit qendror, të cilët për interesa të ndryshme dinë të aplikojnë edhe masa të ndryshme, të cilat ndikojnë pastaj në shkëmbimin tregtar mes dyja vendeve. “Gjithashtu nuk ka edhe shumë iniciativë nga qeveritë e të dyja vendeve për ta rritur bashkëpunimin ekonomik. Varfëria nuk është vetëm mungese malli, por mungojnë edhe idetë dhe projektet për ta mundësuar këtë bashkëpunim”, – vlerëson Rexhepi. I vetmi projekt i suksesshëm deri tani mes dyja vendeve ai thotë se është autostrada. Përveç rrugës së kombit, janë dhënë edhe shumë ide e shumë projekte janë bërë për të lidhur sa më shumë Kosovën dhe Shqipërinë, por asnjë nuk është konkretizuar deri më tani. Projekte madhore, si hekurudha, interkonieksioni energjetik, porti i Shëngjinit dhe hidrocentrali i Zhurit kanë mbetur vetëm deklarata politikanësh.

Në raportin e STRAS shpjegohet se projekti për ndërtimin e linjës së interkonieksionit 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 kilometrash, prej së cilës 85.5 kilometra në territorin e Kosovës dhe 153.5 kilometra në atë të Republikës së Shqipërisë.

Në pjesën kosovare punët nisën në ngritjen e disa stabilimenteve përcjellëse, ndërsa punët kryesore në projektin e linjës së interkonieksionit do të duhej të fillonin pas përfundimit të studimit të fizibilitetit. Ndërkaq, në Shqipëri pas përfundimit të tenderit, i cili ishte vlerësuar i suksesshëm, situata mori kahe tjetër dhe aktualisht ajo është anuluar.

Ndërkaq, ndërtimi i hekurudhës duket se do të mbetet vetëm një ëndërr.

“Pas përfundimit të një pjese të autostradës së kombit, përkatësisht segmentit Rrëshen – Morinë, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, doli me idenë që Kosova dhe Shqipëria të lidhen edhe me hekurudhë. Kjo do të bënte edhe të lehtë qarkullimin e mallrave mes të dy vendeve si edhe do të lidhte më ngushtë Kosovën me portin e Durrësit. Ky projekt kërkon të ndërtohen në Shqipëri 83 kilometra hekurudhë krejtësisht e re, ndërsa në pjesën kosovare 17 – 20 kilometra”. Për shkak të afërsisë gjeografike dhe lehtësisë për qarkullim që mundëson autostrada, si dhe për vëllimin e qarkullimit të mallrave ndërmjet të dy vendeve, ndërtimi i hekurudhës nuk paraqitet si projekt i ngutshëm.

Ngjashëm po ndodh edhe me portin e Shëngjinit, që në maj të vitit 2006, në takimin ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Agim Çeku, është premtuar që porti i Shëngjinit t’i jepet në dispozicion Kosovës. Ishte thënë se sa është ky vendim politik, aq edhe ekonomik, meqenëse kërkesa ka ardhur nga sektori privat. Llogaritej se dhënia e portit do të forconte ekonominë e Kosovës dhe do të ndikonte për lidhjen ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Por, tani kjo çështje më shumë ka mbetur si ide e shkuar dhe ende nuk është bërë ndonjë hap konkret për funksionalizimin e këtij porti.

Edhe për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit, që parashihej të kishte kapacitet prej 305 MW dhe mund të punojë rreth 1.500 orë në vit, me një prodhim vjetor prej 400 Gwh, nuk ka një pajtueshmëri mes Kosovës dhe Shqipërisë. Që në vitin 2001 ishte kryer edhe një studim i fizibilitetit për këtë hidrocentral, që është rishikuar gjatë vitit 2009, por kjo ide ka hasur në kundërshtime të ashpra nga zyrtarët e pushtetit lokal në Kukës, si edhe nga banorët e disa zonave që preken nga ky projekt. Arsye e kundërshtimit është ndryshimi i rrjedhës së lumenjve që kalojnë në këtë pjesë.

Së fundi ka dalë edhe një ide në frymën e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, por që ka hasur në kundërshti qysh në fillim. Në gusht të vitit 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, sipas të cilës obligohet qeveria e Kosovës që të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike, që i shfrytëzon Kosova (+377; +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355. Kjo rezolutë, sipas hulumtimit të STRAS, ishte vlerësuar më shumë si vullnet i deputetëve sesa si mundësi reale për këtë moment. Madje, kishte vlerësime se angazhimi i qeverisë së Kosovës duhet të zhvillohet në kahe të tjera – të sigurohet kodi telefonik i Kosovës.

Ndërkaq, në Shqipëri kjo iniciativë u komentua në mënyrë më racionale duke shprehur rezerva për pjesën teknike të realizimit të saj. Kodet e telefonisë së shteteve përcaktohen nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara dhe jo nga Parlamenti.

Për të avancuar bashkëpunimin dhe për t’i shtyrë përpara projektet tashmë është themeluar një Komision i Përbashkët Ndërqeveritar shqiptaro-kosovar për bashkëpunimin ekonomik.

Javën e kaluar kanë zhvilluar takimin e parë, ku janë dakorduar të dyja palët që të rrisin shkëmbimin tregtar, kooperimin në fushën e minierave, bujqësisë, arsimit e shumë fusha tjera.

 

Loading...