Prishtinë Shumë aktivitete, por preferohet Tirana

0

Komuna e Prishtinës, aktivitetet e saj për nder të këtij viti jubilar të Pavarësisë së shtetit shqiptar, i ka filluar që nga data 16 e këtij muaji me aktivitete të ndryshme kulturore, arsimore e sportive. Të mërkurën më 28 nëntor aktivitetet e komunës do të fillojnë që në orën 9:00 të mëngjesit, këtë ditë do të shfaqet Panairi i veshjeve kombëtare dhe ushqimi tradicional nga ora 9:00 deri në orën 18:00, prej orës 12:00 deri në ora 13:00 do të ketë aktivitete aeronautike mbi qytet. Gjithashtu prej orës 12:00 deri në orën 15:00 do të ketë program për fëmijë si dhe ngjarja kryesore e kësaj dite do të jetë koncerti i mbrëmjes, i cili do të mbahet në sheshin “Nëna Terezë” e që do të përcillet me fishekzjarrë dhe do të fillojë nga ora 20:45 deri në 23:30. Përpos aktiviteteve që Komuna ka organizuar edhe këtë vit lokalet e ndryshme në kryeqytet janë përkujdesur që për këtë festë të organizojnë mbrëmje muzikore me këngëtarë të ndryshëm, me qëllim që qytetarët të bëjnë zgjidhjen e tyre për këtë festë, kështu duke pasur mundësinë që të zgjedhin këngëtarin apo lokalin që ata pëlqejnë. Edhe përkundër të gjithëve këtyre aktiviteteve që ka organizuar Komuna si dhe lokalet e ndryshme në kryeqytet, këtë vit shumë qytetarë kanë vendosur që këtë festë ta presin në Shqipëri. Prishtinasja Linda thotë që Komuna nuk ka bërë aq shumë për këtë festë historike. Sipas saj, edhe pse ka mjaft zgjidhje në kryeqytet, ajo ka zgjedhur Tiranën për ta festuar këtë festë. “Komuna nuk ka bërë aq sa duhet për këtë festë, nuk po shoh ndonjë ndryshim në krahasim me vitet e kaluara”. Ndërsa Sara, një qytetare tjetër, thotë se kësaj here ka vendosur që këtë festë ta kalojë në Mitrovicë. “Arsyeja pse po du me e festu këtë 100-vjetor në Mitrovicë, është se ky qytet e meriton më së shumti që të shkojmë e ta festojmë të gjithë atje, sepse dihet se si ka mbetur e si është ky qytet”, – ka treguar ajo. Edhe një grup shokësh që kishin dalë në sheshin “Nënë Tereza”, thanë që do të shkojnë që të festojnë në Vlorë. Ata thanë se e kanë zgjedhur pikërisht Vlorën, sepse siç thanë ata, aty ka filluar çdo gjë.

Loading...