Njëqind vjet qytetërim shqiptar

0

Çelo Hoxha

Përfaqësuesit e fuqive të mëdha të Kongresit të Berlinit dhe shumica e tyre në Konferencën e Londrës do të ktheheshin përmbys në varr po të mësonin se shqiptarët festojmë 100-vjetorin e shtetit të tyre. Për ta, në 1878 shqiptarët nuk ekzistonin, në 1912 nuk ishin të gjendje të ndërtonin një shtet.

Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët nuk i kanë pasur në anën e tyre fuqitë evropiane për të shumtën e kohës. Paragjykimet e të mëdhenjve kanë qenë pengesa kryesore. Për shkak të tyre, rruga e shqiptarëve në këta njëqind vjet nuk ka qenë një vozitje lehtë.

Paragjykimet për popullin shqiptar kanë lindur për faj të fuqive të mëdha, të cilat i gëlltisnin pa i verifikuar shpifjet e fqinjëve, kurse vendasit as që ftoheshin në tavolinat e bisedimeve. Fuqitë evropiane nuk lanë gur pa lëvizur për të krijuar dhe mbrojtur Greqinë, e gjatë rrugës heshtën për krime të saj në nivel holokausti. Në fund të Luftës së Parë Botërore fuqitë evropiane krijuan një supershtet tjetër në Ballkan, Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, të cilën më vonë e quajtën Jugosllavi. Shikoni ku jemi sot: Greqia është kthyer në delen e zezë të kontinentit, e cila po zhytet në oqean duke marrë me vete gjithë Evropën, kurse Jugosllavia, me vullnetin e serbëve, është zhdukur krejt nga harta.

Shqiptarët vazhdojnë të kenë vëmendjen më të vogël të fuqive të evropiane dhe vazhdojnë t’u bien në qafë po aq parë sa atëherë kur “nuk ekzistonin”. Sigurisht, fuqitë evropiane nuk u kanë ndonjë borxh të drejtpërdrejtë shqiptarëve, por ato kanë futur hundët në punët e tyre dhe kjo ka çuar në padrejtësira. Mali i Zi nuk do t’i kishte marrë kurrë trojet shqiptare sikur të mos kishte ardhur në det flota e fuqive të mëdha. Sikur shqiptarët të mos ishin dobësuar në ato luftëra, sidomos moralisht, e po qe se fuqitë e mëdha do të kishin qëndruar asnjanëse, serbët nuk do ta kishin marrë kurrë Kosovën dhe grekët nuk do ta kishin pushtuar asnjëherë vilajetin e Janinës.

Kritikave tona askush nuk do t’ua vërë veshin, por ku i dihet se çfarë ndodh pas 100 apo 130 vjetësh. Ajo që ndodh sot në Ballkan, zgjidhja evolutive e çështjes shqiptare, 130 vjet të shkuara ishte diçka që mundën ta imagjinonin vetëm shqiptarët.

Kur isha më i ri, i shikoja si një lloj patetizmi patriotik thirrjet që shqiptarët i bënin Kongresit të Berlinit duke e paralajmëruar se Ballkani nuk do të kishte kurrë qetësi pa u zgjidhur çështja shqiptare. Veç moshës, cinizmin tim e ndihmonte dhe pasiviteti i vetë shqiptarëve. Ajo që nuk kam qenë në gjendje të shquaja ishte rregullsia e ligjësive natyrore dhe dora e Zotit. Ballkani u transformua me shqiptarët, sidomos ata të Shqipërisë, në rolin e një spektatori.

Shqiptarët s’kanë qenë kurrë shkaktarë të trazirave që e kanë shoqëruar gadishullin gjatë gjithë kohës. Nuk ka një luftë mes shqiptarëve dhe fqinjëve të nisur prej shqiptarëve. Ata nuk kanë sulmuar as për të marrë nën kontroll territore që vazhdojnë të jenë të populluara nga shqiptarët. Tirana, si qendra e shqiptarëve, nuk ka nxitur kurrë lëvizje separatiste në territoret shqiptare që vazhdojnë të jenë nën juridiksionin e fqinjëve tanë. Shqiptarët nuk kanë kryer kurrë gjenocid ndaj pakicave që jetojnë brenda saj, as kur fqinjët i kanë vrarë në masë shqiptarët që jetonin në Çamëri dhe territore të tjera të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend i kontinentit që nuk ka mbajtur kurrë qëndrim diskriminues ndaj çifutëve dhe i vetmi i vend në Evropë që gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojti çifutët në gjithë territoret shqiptare. Shumë nga njerëzit që i mbrojtën çifutët e pësuan si çifutët në dorën e Hitlerit kur komunistët morën pushtetit dhe kjo u realizua me ndihmën e “aleatëve” dhe fqinjëve.

Shqiptarët i kanë dhënë botës dy figura të shquara, simbole i paqes dhe humanizmit: Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova. Ky është thelbi – dhe duhet promovuar – i qytetërimit shqiptar.

Ashtu si domatet nuk bëhen në shkretëtirë, emblemat e paqes njerëzore nuk lindën nga hiçi. Ismail Bej Vlora, Ahmet Zogu, Mid’hat Frashëri e kishin shfaqur natyrën e paqësore të shqiptarëve në kontekste të ndryshme. Për Ahmet Zogun dikush mund të habitet që i them këto fjalë, por në 1924 ai u largua nga Shqipëria për të mos e zhytur vendin në gjakderdhje, megjithëse kishte gjithë të drejtën e Zotit të hakmerrej për atentatin që i bënë. Edhe largimi i tij në 1939 në këtë dritë duhet parë: si kontribut i tij për të parë sa më pak shqiptarë të vrarë. Mid’hat Frashëri u bë emblema e nacionalizmit shqiptar gjatë luftës, natyra e tij paqësore mund të ketë ndihmuar në marrjen e pushtetit nga ca horra shqiptarë në shërbim të Jugosllavisë, por njeriu me karakter e ka të vështirë të veprojë kundër natyrës së tij.

Ndoshta ndryshe nga të tjerë, kur flas për historinë e shtetit shqiptar unë e nis bilancin nga 1878-ta. Me Lidhjen e Prizrenit u krijua Shqipëria si koncept politik. Me pavarësinë lindi Shqipëria si koncept shtetëror, shteti funksional zë fill në Kongresin e Lushnjës. Në periudhën 1920-1939 shqiptarët dëshmuan – për ata që dëshironin të shikonin – se ishin në gjendje të krijonin një shtet të barabartë me të tjerët, megjithëse nuk shiheshin me dashamirësi në gadishull dhe kontinent.

Progresin e shtetit shqiptar e ndërprenë fuqitë evropiane. Pak rëndësi ka kush ishte Musolini, për shqiptarët ai ishte një italian që drejtonte vendin e tij. Lufta tregoi se gjërat kishin ndryshuar fare pak në nivel rajonal dhe evropian. Fqinjët u sulën të fusnin hundët dhe për të përparuar projektin e tyre për shkatërrimin e Shqipërisë, kurse fuqitë evropiane u sollën sikur në 7 prill 1939 në kontinent s’kishte ndodhur asgjë. Edhe kur u futën në luftë, fuqitë e Evropës Perëndimore as që i patën në konsideratë shqiptarët, veç kur u duhej një mashë për të nxjerrë ca patate nga zjarri. Grekët dhe jugosllavët nga ana e tyre e bllokuan Shqipërinë ndërkombëtarisht, kurse në Shqipëri, jugosllavët më shumë, organizuan makinerinë e shkatërrimi të kombit shqiptar: Partinë Komuniste Shqiptare.

Komunistët shqiptarë kanë të drejtë të pretendojnë se ata vepruan nga dashuria për Shqipërinë, por mënyra që përdorën për ta përmbushur dashurinë ishte kriminale. Ajo që ata bënë ishte e ngjashme me veprimin e një njeriu që në vend ta çojë të dashurën në spital, i jep një gotë me helm. Me komunizmin shqiptar, jugosllavët ia dolën të realizonin atë që kishin dështuar ta arrinin me Esad Pashë Toptanin.

Leksioni i shqiptarëve nga komunizmi duhet të jetë ky: injoranca jonë është më e rrezikshme se armiqësia e fuqive të mëdha apo fqinjëve; injorantëve kurrë të mos u jepen privilegje më shumë seç u siguron niveli i tyre i inteligjencës; çdo përpjekje e dhunshme e tyre për të përfituar privilegje të ndëshkohet pa mëshirë; të dënosh me vdekje – me procedura të rregullta ligjore – një kriminel dhe një mijë kriminelë është e njëjta gjë. Nuk e bëmë dot në të shkuarën këtë gjë, s’duhet ta neglizhojmë në të ardhmen.

Për arritjet e shqiptarëve në njëzet vitet e fundit është folur dhe do të flitet sot. Harrojini veprat e mëdha që do të përmenden, politikanët (e të gjitha krahëve) përqendrohen te detaje që u ofrojnë përfitime politike maksimale në njësinë më të shkurtër të kohës. Zhvillimi material gjithmonë do të ketë disnivele, qoftë mes individëve dhe komuniteteve, qoftë për gjithë shoqërisë në periudha të ndryshme. Ajo që qytetarët pretendojnë ta kenë të barabartë është liria, mundësia për të qenë të lirë të arrijmë – me ndershmëri – gjithçka.

Për mendimin tim, njëzet vitet e fundit shqiptarët kanë qenë më të lirë se kurrë në jetën e tyre. Kjo arritje ka pasur çmimin e saj, duke filluar nga dëshmori i parë që u vra për mbrojtjen e Plavës dhe Guxisë e deri te i rëni më i fundit në shërbim të interesave të kombit shqiptar.

Ky vit ishte një rast i mirë që Shqipëria t’i kthehej historisë së saj. U përkujtuan ngjarje e figura, u ndërtuan memorialë e buste, u zhvilluan debate frytdhënëse e jo aq të frytshme, liria e fjalës u shfrytëzua në maksimum, madje Kryeministri i Shqipërisë bëri dhe diçka përtej imagjinatës së shumë vetëve: foli për bashkimin e shqiptarëve dhe e bëri këtë në Shkup, në skajin e territoreve që çliruan banorët e Shqipërisë së Veriut në verën e vitit 1912.

Por llogaritë me të shkuarën nuk janë mbyllur. Ndërsa jemi në rrugën e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan, Tirana duhet të jetë një hap para zhvillimeve në terren. Arrestimi i një shqiptari, i dyshuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës, kur ai është shpallur i pafajshëm më parë nga ajo gjykatë, Tirana duhet të reagojë. Fatmir Limaj është shqiptar dhe mbahet peng i llogarive meskine të një gjykate dhe sistemi politik evropian që nuk e ka braktisur arrogancën e fuqive të mëdha. Deklarimi i Tiranës do të kishte qenë shenjë që Tirana ka mentalitet bashkimi. Duhet të shqetësohet për bashkëkombasit njëlloj si për qytetarët e Shqipërisë londineze.

Me kujtimin e të rënëve dhe fatin e Fatmir Limajt në mendje, gëzuar festën e kombit shqiptar!