Standard.al

Komisioni i Ligjeve Miratohet në parim buxheti i 2013-ës, PD e PS përplasen për pushtetin vendor

Florenc Drizari

Ministria e Financave: Projektbuxheti shënon rritje pozitive për ekonominë krahasuar me vendet e rajonit dhe të Eurozonës

 

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim me votat e mazhorancës projektbuxhetin për vitin 2013, ndërkohë që opozita votoi kundër, duke kërkuar të dhëna nga Ministria e Financave lidhur me realizimin e plotë të të ardhurave për buxhetin e vitit ekzistues. Debate mes mazhorancës dhe opozitës pati edhe për fondet e përcaktuara për pushtetin vendor dhe vendosjen e kufirit të borxhit publik. Nga ana e tyre deputetët e Partisë Socialistë në komision kërkuan heqjen e nenit 15 nga projektbuxheti për transfertën e pakushtëzuar të pushtetit vendor, ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Financave argumentuan se buxheti parashikon rritje ekonomike më të lartë se viti që po mbyllet dhe fonde më të mëdha për pushtetin vendor.

Ministria e financave

Mimoza Dhëmbi, drejtore e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin e Ligjeve deklaroi se buxheti parashikon rritje ekonomike mbi 4 për qind dhe të ardhurat e mbledhura përballojnë shpenzimet buxhetore dhe rrisin investimet në kapitale. “Kemi ruajtur rregullin e artë që nga viti 2005 që huamarrja është vetëm për investimet kapitale dhe jo për shpenzimet korente. Në qoftë se deficiti është 3.4 për qind, investimet, shpenzimet kapitale janë në masën 5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, pra kemi një suficit korent prej 1.6 për qind të produktit të brendshëm bruto. Të ardhurat që ne marrim nga taksat gjatë vitit dhe nga burimet e tjera mbulojnë të gjitha shpenzimet korente, pra nuk marrim asnjëherë hua për shpenzimet e funksionimit të shtetit, dhe me një pjesë të tyre financojmë edhe investimet kapitale”, – tha Mimoza Dhëmbi. Sipas drejtoreshës së përgjithshme të buxhetit në Ministrinë e Financave, projektbuxheti tregon rritjen pozitive për ekonominë shqiptare krahasuar me vendet e rajonit dhe të Eurozonës edhe në periudhë krize financiare. “Pra kemi një balancë pozitive prej 1.6 për qind. Këtë rregull e kemi ruajtur dhe vazhdojmë ta ruajmë. Ndërkohë po të shohim vendet e rajonit apo edhe te Evropës të cilat ndodhen në një krizë financiare, treguesit janë të përmbysur. Pra, merret hua edhe për shpenzimet korente të funksionimit të shtetit. Edhe pse kalohet kufiri që ne kishim vendosur në vitin 2008 për buxhetin e shtetit, ne kemi një buxhet të ndërtuar në disa balanca pozitive që mbështesin rritjen ekonomike që vërtet është ngadalësuar vitet e fundit për shkak edhe të krizës ndërkombëtare”, – tha Mimoza Dhëmbi. Sipas përfaqësuesve të ministrisë së Financave, treguesit bazë makroekonomik mbi të cilat bazohet ky buxhet janë, rritja ekonomike 4 për qind, inflacioni mesatarisht 3 për qind, një nivel importi parashikohet prej plus 6.4 për qind dhe eksporti rreth 15 për qind. Gjithashtu, të ardhurat buxhetore sipas tyre parashikohen me një rritje me 5.6 për qind në raport me buxhetin e kaluar. Në këtë buxhet nuk janë marrë parasysh të ardhurat nga privatizimi i vitit të ardhshëm, shprehen specialistët e Ministrisë së Financave.

CEZ dhe KESH

Ministria e Financave bëri me dije se për shkak të situatës hidroenergjetike në vend dhe menaxhimit të shpërndarjes nga CEZ-i, janë parashikuar skenarë që do mund të shmangin një krizë të furnizimit me energji elektrike për qytetarët shqiptarë. Projektbuxheti sipas tyre parashikon mundësi për daljen nga kriza energjetike, ku qeveria mund të hyjë garant për import energjie nga KESH-i në raste të vështira. “Buxheti i këtij viti ka edhe një risk që lidhet me situatën energjetike e krijuar për shkaqe natyrore dhe për nga menaxhimi i kompanisë së shpërndarjes CEZ. Për këtë arsye ne në një nen të buxhetit ku bëjmë fjalë për kufirin e borxhit kemi hapur një dritë jeshile për qeverinë ku në rast të furnizimit me energji elektrike, të autorizohet qeveria të japë garanci për KESH me qëllim që të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji”, – deklaroi drejtorja e Buxhetit në Ministrinë e Financave Mimoza Dhëmbi.

Bashkim Fino

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino, buxheti i sjellë nga qeveria është nga më të dobëtit të sjella ndër vite dhe mazhoranca po përpiqet të lërë një gropë të zezë në ekonominë e vendit. Deputeti Fino kundërshtoi edhe nenin 15 të buxhetit ku përcaktohet zbritja e fondeve të bashkive e komunave për tremujorin e fundit të vitit, me qëllim shlyerjen e borxheve që ujësjellësit i kanë CEZ-it në rast se nuk kryejnë në kohë pagesën e faturave. “Neni famëkeq 15 i këtij projektbuxheti. ju thoni transfertë e pakushtëzuar e pushtetit vendor, ndërkohë që i keni vënë disa kushte. Rreth 60 për qind të kushteve për pagat, ndërkohë që keni vënë edhe një transfertë tjetër të pakushtëzuar për ndërmarrjet e ujësjellësit. Unë jam për ta hequr neni 15 në kuadër të decentralizimit. Në dokumentin e buxhetit ju nuk jepni asnjë informacion për fondin e zhvillimit të rajoneve. Në këtë fond ngasohen rreth 11 miliardë lekë, aq sa është e gjithë shuma e transfertës së pakushtëzuar për organet e pushtetit vendor. Nuk kemi asnjë informacion”, – deklaroi deputeti socialist Bashkim Fino.

 

Comments are closed.