Festimet 100-vjetori i pavarësisë kthen Tiranën në vend pelegrinazhi

0

Blerta Mrishaj

100-vjetori i shpalljes së pavarësisë bashkon shqiptarët nga të gjitha trevat, Tirana bëhet kryeqendra e festimeve në vend


Ndihet në ajër një atmosferë elektrizuese, i gjithë vendi është veshur kuqezi, teksa sot në 28 nëntor, Shqipëria feston përvjetorin e 100-të të shpalljes së pavarësisë. Edhe pse dekori i vendosur prej ditësh në Tiranë, valëvitja e flamujve kuqezi dhe pesha e tij nuk janë ndier më shumë se këto ditë, teksa në padurim, mijëra shqiptarë nga ana mbanë trevave shqipfolëse, mblidhen sot në kryeqendrën e festimeve, në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë. Mesditën e djeshme, në bulevardet kryesore, në rrugë e rrugica të kryeqytetit mijëra qytetarë kanë rendur të admirojnë monumentet e vendosura të heronjve dhe baballarëve të kombit, falë të cilëve sot gëzojmë pavarësinë.

Monumentet

Mesdita e djeshme nisi disi e veçantë në Rrugën e Durrësit, një prej rrugëve kryesore të Tiranës, mblodhi qindra qytetarë, e bashkëkombas nga Kosova, të cilët kishin ardhur për të nderuar figurën e heroit legjendar të Adem Jasharit. Jo vetëm shtatorja e Adem Jasharit, heroit legjendar, më tej Muzeu Historik në Tiranë prej ditësh pret vizitorë të cilët kërkojnë të shohin përkrenaren dhe shpatën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Një sërë zonash në Tiranë janë kthyer në vend pelegrinazhi. Duke nisur që nga Muzeu Historik Kombëtar, ku janë sjellë nga Muzeu i Vjenës shpata dhe përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të tjera monumente të rëndësishme si vendosja e shtatores së Hasan Prishtinës, shtatore e Presidentit amerikan Wilson, shtatorja e Ismail Qemalit vendosur brenda Muzeut Kombëtar, monumenti “Shqiponja”, Mozaiku i Flamurit Kombëtar në Rrugën e Tabakëve i punuar tërësisht në gurë natyralë në ngjyrë të kuqe, mbledhur nga të gjitha trevat e vendit.

Vizitorët

Në këtë 100-vjetor ndër miqtë më të veçantë që erdhën për t’iu bashkuar festës së gjithë shqiptarëve, edhe një grup studentësh nga Kosova, të cilët prej dje gjendeshin në kryeqytet për të festuar edhe përgjatë ditës së sotme, për t’u larguar më pas, me 29 nëntor. Engjëll Sokoli, nipi i Heroit të Popullit Mic Sokoli, bashkë me 11 studentë e bashkëmoshatarë të tij, teksa kishin mbërritur dje në Tiranë për të nderuar figurën e Adem Jasharit, sot do të vijojnë të jenë pjesë e festimeve. Por në këto ditë festë, i janë bashkuar edhe shqiptarët e Maqedonisë, ku prej dje teksa rendin rrugëve të Tiranës, gëzonin për 100-vjetorin e pavarësisë.

 

 

Torta

Puna për tortën gjigante e nisur prej ditësh, dje ka nisur të instalohet në Teatrin Kombëtar të Operas, teksa sot çdo qytetar do të mund edhe ta shijojë. Dje ekipet e epidemiologëve kanë dezinfektuar pothuajse të gjitha ambientet ku do të zhvillohen aktivitetet e lajmëruara më parë nga Bashkia e Tiranës. Për përgatitjen e pjesëve të tortës kanë punuar 150 pastiçierë. Shega do të jetë shija e saj, që simbolizon rilindjen dhe bashkimin. Torta do të stoliset me gjethen e ullirit që simbolizon paqen dhe ngjyra e saj do të jetë kuq e zi si simbolet kombëtare. Torta do të ketë një sipërfaqe prej 550 metra katrorë, po përgatitet nga pastiçierët më të mirë shqiptarë, jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga ata që kanë bërë emër në tregjet e Evropës dhe Amerikës së Veriut. Kjo do të jetë torta më e madhe në sipërfaqe, e ndërtuar ndonjëherë në botë. E fundit më e madhja, ka qenë 500 metra katrorë, tek fqinji ynë, Italia, me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë së saj. Natyrisht puna ka nisur.

“Murat Toptani”

Pedonalja kryesore e Tiranës, rruga “Murat Toptani”, e kthyer në një panair, ku më së shumti shiten produkte shqiptare. Teksa prej dy ditësh kanë performuar dhe shfaqur një sërë koncertesh.

Koncerti

Përmbyllja e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë do të bëhet me një koncert gjigant në sheshin “Nënë Tereza”. Në orën 19:45 nis koncerti festiv dhe do të vazhdojë deri në të zbardhur të ditës tjetër, të 29 nëntorit. Në koncertin e shumëpritur prej të gjithëve do të këndojnë një sërë grupesh e këngëtarësh shqiptarë, teksa do të perfomojnë edhe dixhej. Ndërkohë, qershia mbi tortë e kësaj feste do të jetë sigurisht këngëtarja me origjinë shqiptare, e cila do të këndojë në këtë 100-vjetor, Rita Ora.

Mishi

Për bamirësi, shpërndarja me pako familjeve në nevojë

Ndryshe nga sa përflitej, 2 mijë deshtë që pritej të bëheshin kurban me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, janë therur për t’u paketuar më pas në pako të veçanta për t’iu shpërndarë familjeve në nevojë. Mishi do t’u jepet për bamirësi një sërë familjeve në nevojë, këtë sqaruan burimet e sigurta të cilat deklaruan se mishi është pjekur dhe paketuar. Ministria e Bujqësisë, e cila sipas burimeve zyrtare, ka konfirmuar dorëzimin e sasisë së mishit të therur të bagëtive pranë organizatorëve të festës në Bashkinë e Tiranës.

 

Festimet

Mbërrijnë kalorësit nga Mitrovica në Tiranë

Kalorësit e nisur nga Mitrovica për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë pas tri ditësh mbërrijnë në Tiranë. Takojnë kryebashkiakun Lulzim Basha dhe marrin rrugën për në Vlorë. Ndërkohë, 28 Nëntori duhet t’i gjejë në Sheshin e Flamurit.