Debati parlamentar për buxhetin 2013, asnjë rrezik për vendorët

0

Blendi Hasani

Loading...

Ulja e fondeve për pushtetin vendor parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2013 ka nxitur debat dje në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e majtë akuzuan se ky buxhet vë në rrezik financat e vendorëve dhe se do të ulen investimet për ta. Opozita gjithashtu propozoi decentralizimin e borxhit, çka do t’i krijojë mundësi pushtetit lokal të marrë hua. “Transferta e pakushtëzuar në këtë pr/buxhet e pushtetit vendor, vetëm e pakushtëzuar nuk mund të quhet, pasi 60 për qind e tij sipas nenit famëkeq 15 të projektbuxheti në 2013 kushtëzohet për paga dhe shpenzime operative dhe pjesa që mbetet thuhet se nëse ndërmarrjet sh.a ujësjellës-kanalizime janë debitore ndaj kompanisë CEZ atëherë qeveria në tre mujorin e katërt do ta gllabërojë dhe ato pak fonde”, – tha Bashkim Fino, deputet i PS-së.

Ministria e Financave ka hedhur poshtë pretendimet e deputetëve socialist për ulje të fondeve që qeveria u jep vendorëve. “Fondet për pushtetin vendor në total, duke përfshirë të ardhurat, taksat e rentave minerare e nga të gjitha të ardhurat e tjera tatimore janë 4.7 për qind por marrim vetëm treguesin e transfertës së pakushtëzuar ajo është 2 për qind. Shpenzimet kapitale rriten 10.8 për qind”, – tha Mimoza Dhëmbi, drejtore e Buxhetit, Ministria e Financave.

Dhëmbi tha se pr/buxheti është i fokusuar te rritja ekonomike dhe reflekton specifikat e vitit 2013. Sipas saj, niveli i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.8% kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2% të PBB. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, vijoi Dhëmbi,shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6% e PBB-së. Burimet do të përdoren kryesisht për mbajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4% të PBB, rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5% (arsim e shëndetësi 3-4%), rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4% për qytetin dhe 5% për fshatin, dhe mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5% të PBB.
Përfaqësuesja e ministrisë së Financave deklaroi se për vitin 2013, parashikohet se të ardhurat e pushtetit vendor nga taksat dhe tarifat vendore dhe transferua e pakushtëzuar do të jenë 29.2 miliard lekë. Objektivi i Qeverisë, shtoi ajo, për vitin 2013 është shpejtimi i ritmeve të reformës së decentralizimit në disa sektorë te rëndësishëm.

Lidhur me borxhet që ujësjellësit i kanë CEZ-it, në buxhet parashikohet që në 4 muajt e fundit të vitit, tu zbritet ky detyrim fondeve të vendorëve. Projektbuxheti i 2013 u miratua në parim vetëm më votat e mazhorancës, të majtët votuan kundër. Buxheti parashikon një rritje të shpenzimeve në masën 5% të PBB-së, çka garanton rritjen ekonomike, ndonëse borxhi rritet në 62.6%.

 

 

 

Loading...