Ceremonia 6 metra shtatore heroit legjendar Adem Jashari, Basha: Tirana, krenare

0
153

Blerta Mrishaj

Kryeministri Berisha së bashku me Rifat Jasharin, anëtar i familjes Jashari, Kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, zbuluan dje pasdite shtatoren e heroit legjendar Adem Jashari


Me një emocion të veçantë edhe për shkak të lidhjes së gjakut me Drenicën, teksa zbulohej shtatorja 6 metra në bronz, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se Tirana është krenare që ka sërish në gjirin e saj komandantin legjendar. Krerët e shtetit dhe personalitete si Kryeministri Sali Berisha së bashku me Rifat Jasharin, anëtar i familjes Jashari, Kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, zbuluan dje pasdite shtatoren e heroit legjendar Adem Jashari. Me një ceremoni ushtarake, siç i ka hije një komandanti, Bashkia e Tiranës organizoi dje përurimin e shtatores së Adem Jasharit. Krahas truprojës së nderit të ushtrisë shqiptare, merrnin pjesë edhe 23 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Inaugurimi

Në fjalën e hapjes kryebashkiaku Basha vlerësoi heroin legjendar Adem Jashari, teksa deklaroi: “Të gjithë e dimë se kur shumëkush nga ne ndoshta do të jetë tretur, Adem Jashari do të qëndrojë këtu, i paplakshëm dhe i paperëndueshëm, sepse heronjtë, heronjtë e mirëfilltë si ai, e mundin kohën dhe e shtrëngojnë fort në putrat e tyre prej luani. Dhe për shekuj, ky emër dhe kjo legjendë e vërtetë, do të ngjallë adhurim dhe shtangie, adhurim për ne dhe shtangie për këdo që do të guxonte t’i shkaktonte dhimbje kësaj toke, sepse prej dhimbjes, kjo tokë ka dëshmuar se di të ringjallë çlirimtarët e dhimbjes dhe nismëtarët e lirisë së mohuar. Tirana është sot krenare, që e ka Adem Jasharin sërish në gjirin e vet”. Ndërsa Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, ka bërë thirrje për bashkim, si mënyrën e vetme për ta çuar amanetin e të rënëve, aty ku ata e dëshironin: “Dëshiroj që populli shqiptar gjithmonë të jetë i bashkuar dhe bashkë t’ia arrijmë qëllimeve tona. Për ata që luftuan deri më tani, t’ua çojmë amanetin e tyre, ku ata dëshiruan!” Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për realizimin e kësaj shtatoreje: “Gjatë tërë vitit, ne festuam dhe kremtuam bashkërisht dhe shpesh me Kryeministrin Berisha, anekënd Shqipërisë dhe Kosovës. Festuam dhe kremtuam anekënd në Maqedoni e Preshevë, edhe në viset shqiptare në Mal të Zi, kremtuam edhe në diasporë, por ky tubim sot, pas atij në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Drenicë, Karadak, Dukagjin e kudo, është tubimi që i jep kuptim manifestimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, sepse komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i dhanë kuptim shqiptarizmit, i dhanë kuptim përmbylljes me sukses të shekullit që lamë pas, për t’i hapur një horizont të ri të ardhmes së kombit shqiptar, horizontin e shekullit të ri, e shekullit të bashkimit të kombit shqiptar”. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është zotuar para shtatores së Adem Jasharit, simbolit të qëndresës së shqiptarëve për liri, se së bashku me liderë të tjerë nga mbarë trojet shqiptare, do të bëjnë gjithçka që të shndërrojnë në realitet idealin e shenjtë, për të cilin ra Adem Jashari dhe mijëra martirë të kombit: “Sot (dje) ne jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kemi vendosur lule dhe ndihemi krenarë me ju, komandant, por sot jemi këtu edhe për t’u zotuar solemnisht se të frymëzuar nga vepra jote, nga legjenda jote dhe qindra e mijëra heronjve e martirëve të këtij kombi, do të bëjmë gjithçka që të shndërrojmë përfundimisht në realitet idealin e shenjtë për të cilin ti bëre sakrificën më sublime, për të cilën shqiptarët gjatë një shekulli ranë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e kombit tonë, për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi”.

 

“Histori në këngë”

Basha: Motoja e pavarësisë “Poshtë përçarja, rroftë bashkimi!”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka përzgjedhur që në këtë 100-vjetor të pavarësisë t’u japë një dhuratë të veçantë të rinjve të kryeqytetit, një përmbledhje me 36 këngë patriotike, një numër i madh prej të cilave dëgjohen për herë të parë. Dje nisi shpërndarja e CD-ve në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit. “Pavarësia nuk erdhi si dhuratë apo si një moment i zakonshëm. Shqiptarët kanë luftuar me qindra vjet, kanë derdhur shumë gjak, kanë vuajtur shumë. Gjyshërit, stërgjyshërit tanë kanë përjetuar një kalvar vuajtjesh e stërmundimesh dhe janë përballur me armiq të mëdhenj dhe të fortë. Midis shumë gjërave të tjera, ajo që u jepte forcë, krahë, kudo ku ndodheshin, në sheshet e qyteteve, në shtëpitë e tyre, në dasma e në luftë dhe këto ishin këngët patriotike dhe nga këto këngë patriotike, ne marrim disa prej motove tona kryesore, si ajo “Poshtë përçarja, rroftë bashkimi!” Sot do të nisë shpërndarja dhe unë uroj që për 101-vjetor, vitin tjetër, shumë prej këtyre këngëve të mos jenë thjesht në CD, por të jenë në buzët e rinisë patriotike të Tiranës”, – u shpreh kreu i bashkisë, Lulzim Basha. Ai u shpreh se besonte që Monumenti i Shqiponjës u pëlqeu të gjithëve, është një monument bashkimi dhe jo përçarjeje, sepse motoja e kësaj feste është: “Poshtë përçarja, rroftë bashkimi!” Në vijim Basha tha se një ndër gjërat që i ka dhënë më shumë kuptim kësaj feste është mënyra se si e kanë festuar qytetarët e Tiranës, Shqipërisë dhe mbarë kombit.

100 vjet pavarësi, simbolet kombëtare, shitje rekord

Simbolet kombëtare, flamuj, suvenire, aksesorë të ngjyrosur kuqezi apo të stampuar me shqiponjën, kapele dhe bluza, deri tek gotat plastike me flamurin kombëtar kanë regjistruar një shitje rekord përgjatë muajit nëntor. Artikulli më i shitur ka rezultuar flamuri kombëtar dhe pas tij vijnë kapelet dhe bluzat, çmimet e të cilave variojnë nga 100 deri në 3500 lekë të reja. Përveç qytetarëve shqiptarë, interesim të madh për simbolet tona kombëtare kanë paraqitur edhe turistë të ndryshëm që po qëndrojnë në Tiranë në këto ditë feste.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency