4 HEC-et nuk shiten, METE duhet të ndryshojë parametrat e tenderit

0

Blendi Hasani

Loading...

 

Tenderi për dhënien me koncesion të 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz që duhej të zhvillohej më datë 25 nëntor, ka dështuar për herë të tretë. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, asnjë nga kompanitë që kishte tërhequr formularët e aplikimit nuk është paraqitur në tender. Arsyet janë kriteret e forta të vendosura nga qeveria shqiptare për dhënien me koncesion te veprave energjetike. Kompanitë duhet të lënë garanci 10 milionë euro për pjesëmarrje, duhet të kenë një përvojë minimale prej 20 vjetësh në këtë sektor, si dhe të kenë në pronësi një ose më shumë vepra energjetike me një fuqi të lartë prodhimi. Megjithatë, nuk duket se janë vetëm këta faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin e tenderit. Situata komplekse energjetike në tërësi, ku operatorët kryesorë janë të ndërlidhur në një zinxhir borxhesh dhe detyrimi sipas ligjit shqiptar për energjinë, të shitjes së prodhimit ndaj KESH, ka bërë që investitorët të humbasin interesin për këto vepra. Tenderi i parë duhet të zhvillohej gjatë muajit maj, por ai u shty, pasi ministria vlerësoi si tepër të ulëta ofertat që arrinin deri në 80 milionë euro.

Ndërsa, në tenderin e dytë të muajit shtator, kompanitë nuk dorëzuan oferta, por kërkuan një përmirësim të kushteve të dhënies me koncesion. Tani që edhe tenderi i tretë dështoi, burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se, nuk ka një afat të përcaktuar për dhënien me koncesion. Kompanitë e interesuara janë të lira të tërheqin formularët e aplikimit dhe të dorëzojnë ofertat e tyre që do të shqyrtohen nga komisioni përkatës në çdo kohë. Vlerësimi aktual i këtyre hidrocentraleve arrin në rreth 250 milionë euro me 78 MW fuqi të instaluar që kanë në total dhe një prodhim mesatar vjetor prej 550 mijë MW/h.

Ministria e Ekonomisë duhet që urgjentisht të ndryshojë kushtet e pjesëmarrjes në këtë tender, duke qenë se privatizimi i tyre është me një rëndësi të veçantë për fatet e ekonomisë shqiptare, në përputhje me strategjinë e impulseve të zhvillimit për Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Në këto impulse, për vitin e ardhshëm parashikohet një e ardhur e konsiderueshme nga privatizimet, duke filluar me shitjen e Albpetrolit, që është një objekt shumë më me vlerë dhe ndërmarrje më e ndërlikuar nga të gjitha aspektet, megjithatë privatizimi i saj ka shkuar më lehtësisht dhe normalisht se sa 4 HEC-e me kapacitet mesatar.

Shteti shqiptar në të kaluarën është treguar jashtëzakonisht dorëlëshuar për të dhënë licenca në sektorin energjetik, një nga të cilat është edhe një shembull i dështimit të politikave dritëshkurtra, si rasti i HEC-it të Kalivaçit mbi lumin e Vjosës. Problematika e sektorit në fjalë, rritja e çmimit në import për energjinë elektrike, vështirësitë financiare të krizës globale do të kërkonin një zhdërvjelltësi më të madhe në procese privatizuese, për të zbatuar direktivat financiare të qeverisë, por me sa duket zyrtarë të caktuar në METE dhe këshilltarë të huaj, që interesohen për të plotësuar kërkesa të klientëve të tyre për të blerë më çmime të ulëta pronat e shqiptarëve, kanë bërë që të vendosen kritere jo të përshtatshme, që nuk bëjnë të mundur një proces normal privatizimi.

METE në këtë rast tregon se është e shtrenjtë në krunde dhe e lirë në miell. Ajo i ka besuar dikur licencë ndërtuese për një HEC të madhësisë mesatare një italiani, që pretendonte se mund ta bënte – dhe për këtë nuk është faji i saj, por i qeverive të mëparshme socialiste – ndërkohë që mund t’ia heqë në çdo moment këtë licencë investitorit që nuk investon. Për më tepër, kjo situatë ka çuar në bllokimin e ndërtimit të veprës në këtë lumë, si dhe pengon çdo projekt tjetër.

Ekspertët e kësaj ministrie duhet të bëjnë çmos që HEC-e të tilla të blihen nga kompani shqiptare apo nga joint venture shqiptarësh me të huajt, në këtë mënyrë pasuria nuk do të nxirrte asnjë lek jashtë Shqipërisë, siç po ndodh me bankat e huaja, që transferojnë prej vitesh paratë e kursyera nga shqiptarët me mund e djersë në vendet e origjinës së tyre, të përfshira nga kriza.

 

Loading...