Tirana feston pavarësinë, Basha: Sot jemi më të lirë dhe më të fortë

0
151

Driçim Çaka

Përurohet sheshi “Shqiponja”. Basha: Pas gjuhës e gjakut, shqiponja është simboli më i fortë dhe më i pandashëm që i ka lidhur shqiptarët

 

Në çdo rrugë të kryeqytetit flamujt kuqezi valëviten ngado. Në çdo ballkon, në çdo shtëpi dhe në çdo automjet, kudo ka një flamur të kuq me një shqiponjë dykrenare. Ishte pavarësia e Tiranës dhe nesër do të jetë pavarësia e Shqipërisë, një festë që do të përfshijë të gjithë shqiptarët. Me një shqiponjë madhështore e vendosur në hyrje të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana ka festuar ditën e çlirimit, ditë që 100 vjet më parë bëri krenarë një qytet të tërë. Në një ceremoni të veçantë kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, i shoqëruar nga Kryeministri Berisha kanë bërë publike një shqiponjë të rrallë që duket sikur do të mirëpresë çdokënd që do të vizitojë Tiranën. Të pranishëm ishin edhe kryetarët e komunave të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit, Preshevës, Çairit të Shkupit, Gjakovës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Podujevës, Mitrovicës, Strugës e Gostivarit që kanë zbuluar memorialin e shqiponjës. “Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100-vjetorin e pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100-vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”, – tha kreu i bashkisë.

 

Shqiponja, simboli i Shqipërisë

Shqiponja madhështore është vendosur në rrethrrotullimin e Doganës, e cila mori menjëherë emrin sheshi “Shqiponja”. Basha i dha një rëndësi të veçantë shqiponjës që sipas tij është simboli i shqiptarëve. Duke vlerësuar figurat historike kryetari i bashkisë kujtoi të parët të cilët lidhnin besë për të ndërtuar këtë vend. “Pas gjuhës e gjakut, shqiponja është simboli më i fortë dhe më i pandashëm që i ka lidhur shqiptarët, në të gjithë historinë e tyre, si një simbol i lirisë, i kësaj aspirate të shenjtë që na mbajti gjallë dritën dhe qëndresën, për shekuj të tërë errësire, shtypjesh e spastrimesh. Të parët tanë shihnin qiellin dhe dëgjonin zërin e saj, edhe kur na konsideronin një popull i humbur dhe komb i zhdukur. Merrnin forcë, lidhnin besë dhe ndërtonin qëndresën historike që na solli deri këtu, në këtë ditë të sotme, shqiptar e bir shqiptari”, – përmendi Basha në fjalën e tij.

 

Berisha: Ideali ynë është bashkimi i shqiptarëve

 

Në përurimin e sheshit “Shqiponja” Kryeministri Sali Berisha theksoi se punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë. “Përshëndes shqiptarët kudo që ndodhen sot (dje), në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në emigracion në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA, në diasporë, në mbarë botën që ndjekin me gëzim të madh, vendosjen në kryeqendrën e Shqipërisë, të simbolit të tyre të përjetshëm kombëtar, shqiponjës dy krenare, shqiponjës së flamurit të Skënderbeut, të shqiponjës që do të ngrihej me 28 nëntor të vitit 1912, nga Vlora heroike, për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare, për t’i prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha”, – ishte mesazhi i Kryeministrit.

 

Mustafa: Shqiptarët e Kosovës janë krenarë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka përshëndetur pavarësinë e Tiranës duke u ndier krenar për kontributin që ka dhënë populli i Kosovës. “Ne, shqiptarët e Kosovës, jemi shumë krenarë, që kontribuuam në krimin dhe guximin e shtetit shqiptar. Imazhi i trimit Isa Boletini që po linte Kosovën në flakën e luftës dhe të krimeve të fqinjëve, për t’iu bashkuar delegatëve të Kuvendit të Pavarësisë së Vlorës”, – tha kryetari i komunës së Prishtinës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency