“Super-Fetel”, roboti që di të vuajë

0

Altin Vorpsi

Loading...

Feteli është piloti më i ri që është shpallur tri herë kampion bote. 25-vjeçari, edhe pse shpesh është parë me skepticizëm nga specialistët e Formulës 1, tregoi se është i aftë që të përballojë çdo “të keqe”, duke thyer kështu një rival të fortë, si Fernando Alonso.

Pak ditë pasi Feteli kishte fituar titullin e dytë kampion, gjermani arriti të siguronte këtë sukses në Çmimin e Madh të Japonisë, në konferencën për shtyp të së enjtes në Kore pyetën Fernando Alonson nëse i kishte ardhur keq që kishte humbur rekordin e vënë në 2006 (fitoi edhe titullin e dytë kampion me Renault, duke u bërë piloti më i ri në historinë e F1 që arrinte diçka të tillë). Në atë moment asturiani i Ferrarit i hodhi dorashkën e sfidës Sebastian Fetelit që ishte ulur menjëherë pas tij: “Eh, në lojë vitin tjetër është një tjetër rekord. Flas për atë që do të fitojë titullin e tretë kampion. Nëse dikush nga ne e fiton, atëherë do të jetë piloti më i ri në historinë e Formulës 1 që bën tris”. Kështu, mes shumë vështirësive (po ta krahasojmë me Botërorin e 2011), Sebastiani ngriti dorashkën dhe bëri të vetin edhe këtë rekord të ri.

Qershia mbi tortë

Pasi u bë fituesi më i ri i një Çmimi të Madh (Monza 2008), piloti më i ri që regjistronte xhiron më të shpejtë në prova zyrtare (Monza 2008) dhe piloti më i ri që arrinte të merrte pikë gjatë një gare (SHBA 2007), në moshën 25-vjeçare, Feteli bëri të vetin edhe një tjetër rekord. Ai është piloti më i ri në Formulën 1 që fiton tre tituj kampion. Triumfi i këtij viti është edhe qershia mbi tortë, pasi ky titull është treti i marrë radhazi. Në Formulën 1 vetëm dy pilotë kanë arritur që të ftojnë tre tituj radhazi. Ata janë Huan Manuel Fanxho (1954-1956) dhe Mikael Shumaker (2000-02).

 Kurorëzimi

Shifrat dhe faktet tregojnë se ky titull botëror është ai i kurorëzimit për Fetelin. Edhe pse kishte fituar dy tituj më parë, ishin të shumtë ata që shikonin (dhe shikojnë akoma) me mjaft skepticizëm djaloshin gjerman që është rritur me mitin e Mikael Shumakerit. 25-vjeçari, pikërisht me heroin e vet në pistë, arriti që të futej në “klubin e specialëve” edhe pse ende shumë i ri… Skepticizmi për të cilin ju folëm pak më lart vjen pasi të rinjve nuk u jepet shumë hapësirë. Në opinionin e tyre “rëndon” edhe ai titull i 2010-ës që më shumë sesa u fitua nga Feteli u dhurua nga Ferrari, që ra pre e një strategjie perfekte të Red Bullit. Ndërkohë që edhe një vit më pas, në 2011, ishte Adrian Njui “alibia” e atyre që nuk kanë besim tek Feteli. Sipas këtyre të fundit, inxhinieri britanik i serviri kampionit gjermanin një makinë perfekte. Feteli vjet arriti që të fitonte 11 gara dhe të merrte 15 pole position (një tjetër rekord ky i “Super-Sebit”). Ndërsa në titullin e fituar vetëm tre ditë më parë Feteli tregoi diçka më shumë. Ai tregoi një veti të vetën që askush me parë nuk ia kishte dalluar: ai diti që të vuante dhe të ringrihej. Këtë gjë e thoshte edhe njëri që merrte vesh nga grushtet (më shumë ka dhënë sesa ka marrë)… Muhamed Ali: “Brenda një ringu apo jashtë tij nuk ka asgjë të keqe nëse rrezohesh. Gabim është nëse qëndron përtokë”.

 

Rikuperimi

Këtë vit Feteli është rrëzuar shumë herë. Mbase shumë pak mbajnë mend që pas Çmimit të Madh të Italisë klasifikimi i pilotëve “fliste” qartë për Alonson që kishte 179 pikë, ndërkohë që Feteli kishte vetëm 140. Pra, Sebi kishte 39 pikë më pak se një pilot që drejtonte një makine jo shumë të shpejtë, por të pashkatërrueshme. Në Monza, Sebi u rikthye në këmbë në bokse pasi kishte parkuar veturën e vet. “RB8”-ta kishte pasur një problem teknik. Ndërkohë që Feteli ishte “përdhe” Alonso hipi në vendin më të lartë të podit duke folur për “fundjavën e ëndrrave”. Fundi i mbretërisë se Fetelit? Absolutisht jo. Që nga ajo e diel e shtatorit Sebi dhe Red Bulli mësuan thënien e Alisë së madh fjalë për fjalë dhe në 6 çmimet e mëdha të radhës morën katër fitore (në Singapor, Japoni, Kore dhe Indi).

 

Shumë dëme

Më tej kanë ardhur edhe një sërë dëmesh. Në Abu Dabi, Fetelit pas provave zyrtare i mungoi benzina në serbator për t’u kthyer në bokse kështu iu desh që të nisej nga pit lane. Në atë garë gjermani tregoi se kishte karakter dhe këllqe duke dalë i treti në fund të garës. Ky ishte edhe episodi kryesor triumfit të Fetelit që mundi të minimizoi deri në maksimum humbjen pasi Alonso nuk bëri dot më mirë se vendi i tretë. Në atë gare i pari përfundoi Kimi Raikoneni. Ndërkohë që gara e dytë “e madhe” ishte ajo e Brazilit. Dy ditë më parë në pistën e Interlagosit ndodhi gjithçka. Pas pak kthesave Fetel u godit nga Bruno Sena. Njëvendëshja e gjermanit u rrotullua 360 gradë por nuk u shkatërrua. Zemrat e tifozëve gjermanë u ngrohën kur Feteli edhe pse kishte një pjesë të makinës të copëtuar arriti që të japë një xhiro të shpejt duke siguruar të tërë se ai ishte aty. Ishte gati që të bënte gjithçka për të marrë titullin e tretë kampion. Feteli tregoi se është një pilot i madh pasi ndenji i qetë dhe në mes të shiut shkoi edhe mori vendin e gjashtë që rikonfirmoi kampion. I pabesueshëm.

Si e komentoi shtypi i huaj triumfin e Fetelit

 

“BLICK” (Zvicër)

“Çmenduria Fetel! Ai përshkroi ferrin-shi dhe mbërriti në destinacion. Sebastian Fetelit iu deshën 101 gara për tre tituj dhe fati i një kampioni të madh. Asnjë thriller kinemaje nga Hollivudi nuk ofron kaq shumë action. Ishte një finale e denjë për këtë emër me një kampion bote po kaq të denjë të quajtur Sebastian Fetel”.

 

“DE MORGEN” (Belgjikë)

“Emocione të mëdha tek Red Bull. Si Kristian Hërner, ashtu edhe Sebastian Fetel nuk qene në gjendje të mbanin lotët. Një finale më emocionuese e këtij sezoni të bukur s´mund të imagjinohej. Tre tituj për Fetel dhe për skuadrën. Në këtë sezon askush nuk I dhuroi realisht asgjë”.

 

“TUTTOSPORT” (Itali)

“Alonso humb kampionatin për 3 pikë. Tani jepini më në fund një makinë për të qenë!”

 

“IL TEMPO” (Itali)

“Alonso fluturon në shi dhe del përpara, por ëndrra e titullit plas si flluske sapuni. Mbyllet era e Shumakerit – këtë herë përgjithmonë”.

 

“CORRIERE DELLA SERA” (Itali)

“Shi, aksidente, problem me makinat – por Fetel i bën ballë. ‘Golden Boy’ (djaloshi i artë) i Formulës 1 merr titullin e tij të tretë”.

 

“THE TIMES” (Angli)

“Fetel skalitet me titullin e tij të tretë botëror në të pavdekshmit e sportit”.

 

“THE GUARDIAN” (Angli)

“Pista që ishte po aq e lagët sa një pyll tropikal brazilian, më në fund mund të merrte frymë pas një Çmimi të Madh kaotik dhe plot ndodhi, i cili përfundoi duke parë Fetel të shpallej për herë të tretë rresht kampion bote I F1. Gladiatori që po shkon drejt pensionit, Mikael Shumaker, qe i pari që përqafoi “të zgjedhurin “ e vet, kampionin e ri”.

 

“LA REPUBBLICA” (Itali)

“Super-Alonso nuk mjafton. Fetel shpallet për të tretën herë kampion bote I F1. Djaloshi mrekulli imiton Shumaker dhe Fanxhio. Ai mbrojti titullin duke zhvilluar një sezon të mrekullueshëm. Mikael Shumaker është një legjendë”.

 

“LA GAZZETTA DELLO SPORT” (Itali)

“Super-Alonso heroik, Fetel kampion botëror. Vendi I dytë I spanjollit nuk mjafton. Fernando nuk asnjë për t´u bërë pishman. Më shumë se ai, këtë kampionat e ka humbur Ferrari, sepse për Alonson nuk prodhohet më në Monza një makinë fitues. Ai qe perfekt, por gjemani shpëtoi. Seb e rimori situatën në dorë pas përplasjes me Senën në shi. Çfarë reagimi! Respekt për kamionin botëror. Ai e ka merituar titullin. Bëri një garë sensacionale. Shumakeri ka treguar guxim në garën e tij të fundit duke qenë një shembull i madh për djaloshin”.

 

“BASLER ZEITUNG” (Zvicër)

“Ka qenë një vepër kampioni fakti që Fetel qe në gjendje të ruante gjakftohtësinë në garën vendimtare të sezonit historikisht më të gjatë në Formula 1”.

 

“DE TELEGRAAF” (Holandë)

“Fenomeni Fetel. Në Brazilin nën shi ka shtuar Fetel një kapitull të bukur në historinë e klasit të parë të sportit të makinave. Si shumë sportistë që dominojnë disiplinat e tyre, Fetel nuk ka qenë fort popullor në publikun e gjerë. Ndër të tjera inatosen gjithmonë e më shumë njerëz me gishtat e tij te ngritur në ajër. Por cilësia e vozitjes së Fetel sa vjen dhe përmirësohet jashtë çdo dyshimi”.

 

“EL PAÍS” (Spanjë)

“Vlera e vërtetë e një kampioni nuk matet me numrin e titujve që ai ka fituar, por edhe me kundërshtarët që ai ka mundur. Sebastian Fetel përmbush pas fitores në Interlagos si njërin ashtu edhe tjetrin kriter”.

 

“LA VANGUARDIA” (Spanjë)

“Mrekullia zgjati vetëm 4 xhiro. Alonso voziti si i çmendur pak para fituesit të titullit, por Fetel mori me stil kryesimin e tabelës dhe mbrojti kurorën e kampionit”.

 

“AS” (Spanjë)

“Si spanjollë mund të jemi krenarë për Fernando Alonson. Kemi shpresuar gjithmonë për një mrekulli. Për këtë arsye gara e fundit u kthye në një kaos total. Në fakt kaosi që I pranishëm, por jo I mjaftueshëm. Urime Sebastian Fetelit! Gjermani është një pilot i jashtëzakonshëm dhe e ka merituar titullin”.

 

“DAILY TELEGRAPH” (Angli)

“Fetel shpallet kampion për herë të tretë në një finale dramatike në Brasil. Ai si siguron vetes një vend në mes sportistëve më të mëdhenj”.

 

“LE PARISIEN” (Francë)

“Fetelhyn në histori. Nëse gjermani do të vazhdojë të me këto ritme, kur të jetë 30 vjec do ta ketë kaluar Shumaker dhe 7 titujt e tij”.

 

“LIBÉRATION” (Francë)

“Sebastian Feteli del nga hija e Shumakerit dhe bën që pseudonimi ‘Baby-Schumi’ të harrohet përfundimisht”.

 

“L’EQUIPE” (Francë)

“Feteli u bashkohet gjigantëve. Karriera e 25-vjeçarit pëson ngjitje me shpejtësi marramendëse”.

 

“O Dia” (Brazil)

“Me shi, pa shi dhe në një garë të çmendur fitoi Baton, ndërkohë që Fetli u shpall për herë të tretë kampion bote”.

 

“ESTADO DE SÃO PAULO” (Brazil)

“Një garë e çmendur”.

 

“GLOBO-TV” (Brazil)

“Çfarë spektakli. Një garë që i ngjante më shumë një filmi të Spilbergut”.

 

 

 

Loading...