Shqipëria, më e bashkuar se kurrë. Basha: Një besëlidhje e re shqiptare

0
142

Pas fushave të ekonomisë, arsimit dhe kulturës tashmë shqiptarët do t’i bashkojë dhe një tjetër fushë. Bëhet fjalë për Kuvendin e Njësive Vendore Shqiptare, ku marrin pjesë komunat dhe bashkitë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Presheva si dhe Bashkia e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka vlerësuar këtë ditë si një sinjal për një bashkim midis shqiptarëve. “Ky është një përkushtim i madh, është një besëlidhje e re shqiptare por tashmë jo vetëm për të shpëtuar kombin tonë, por për të çuar përpara një aspiratë, të cilën e ndajmë me të gjithë fqinjët tanë progresivë që kërkojnë paqe dhe përparim. Është aspirata e integrimit evropian të shqiptarëve dhe të gjithë rajonit, ku shqiptarët nga vetë historia janë dhe do të mbetën pararojë, sepse e shikojnë tek ky integrim përmbylljen e problematikës shekullore të copëtimit të kombit shqiptar”, – përmendi Basha gjatë takimit me kryetarët e njësive vendorë të trevave shqiptare. Basha theksoi se duhet të shkrihen akujt midis trevave shqiptare duke realizuar një bashkim të madh që për shekuj me radhë nuk është bërë. “Të arrijmë të shkrijmë përfundimisht mbeturinat dhe jehonat e kufijve, që na kanë ndarë ndër shekuj, të shkëmbejmë përvojat më të mira të mirëqeverisjes lokale, të transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve dhe të jemi më të pranishëm në qytetet, bashkitë, komunat dhe trevat e njëri-tjetrit”, – tha Basha.

Takimi

“Uroj që kjo datë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, të kthehet në një datë për t’u mbajtur mend edhe për qytetarët që ne përfaqësojmë sot rreth kësaj tavoline, duke i dhënë sot aprovimin formal, një prej iniciativave që kemi diskutuar së bashku këtu në Tiranë, por edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër, në Gjakovë, atë të themelimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare, një kuvend i përhershëm, i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare”, -përmendi Basha gjatë fjalës drejtuar, drejtuesve të tjerë të njësive vendore. Krijimi i këtij kuvendi sipas kreut të bashkisë do t’i bashkojë shqiptarët në çdo fushë. “Pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë, caktimin e një sekretariati për të ndjekur aktualizimin e kësaj iniciative dhe nisjen pa vonesë të një kalendari, i cili do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin, do të bëjë të mësojmë më shumë nga përvojat e njëri-tjetrit, të ndihmojmë për të zgjidhur probleme të përbashkëta apo të përveçme, që gjithsecili prej nesh ka dhe me të cilat ballafaqohet, siç ballafaqohen qytetet dhe qytetarët tanë dhe të çojmë përpara nëpërmjet kësaj ndjesie të ribashkimit kombëtar aspiratën e qytetarëve tanë, për identitet evropian dhe për bashkim në Bashkimin Evropian”, – theksoi kryetari i bashkisë. Në fund Basha vlerësoi ngjarjen e pavarësisë si më të veçantët, si një ngjarje ku mund të frymëzohet për të bërë detyrën e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency