Komisioni parlamentar voton pro heqjes së kufirit të borxhit publik

0
174

Blendi Hasani

Deputeti demokrat, Sybi Hida: Nuk mund të mohojmë realitetin që ndesh një ekonomi apo një qeveri, sidomos në rastet kur ato janë rrjedhojë e faktorëve të jashtëm

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje vetëm me votat e mazhorancës ndryshimin e ligjit për menaxhimin e buxhetit, që parashikon heqjen e tavanit të borxhit publik. Deputetët e opozitës janë shprehur kundër këtij ndryshimi për nivelin e borxhit publik, duke e cilësuar atë si të rrezikshëm. Nënkryetarja e këtij komisioni, Mimi Kodheli, kërkoi që qeveria të jetë më transparente në menaxhimin e tij, sidomos për borxhin që i ka kompanive private. Ndërsa, deputeti Arben Malaj tha se problemi më i madh i këtij ndryshimi është se s’ka kufij për nivelin e borxhit, si dhe s’ka strategji të qartë për menaxhimin e tij. Por, zëvendësministri i Financave, Nezir Haldedaj, e argumentoi heqjen e tavanit të borxhit publik me qëllim stimulimin e rritjes ekonomike, si dhe për garancitë që duhen për importin e energjisë, pasi sipas tij, ky sektor përbën rrezik për buxhetin.

Propozimi i qeverisë parashikon shfuqizimin e paragrafit të fundit të nenit 58 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, ku përcaktohet se niveli i borxhit nuk duhet të jetë më i lartë se 60 për qind. Miratimi i heqjes së kufirit ligjor të borxhit mund të bëhet me shumicë të thjeshtë nga mazhoranca, çka nënkupton se konsensusi parlamentar nuk është një domosdoshmëri. Në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet që borxhi të rritet deri në nivelin e 62.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vendimi

Deputeti Sybi Hida i Partisë Demokratike u shpreh me këtë rast se është kundër qeverisjeve me borxhe të larta dhe të qeverive të mëdha. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohojmë realitetin që ndesh një ekonomi apo një qeveri, sidomos në rastet kur ato janë rrjedhojë e faktorëve të jashtëm. Gjatë dy viteve të para të qeverisë “Berisha”, programi i së cilës bazohet në lirinë ekonomike dhe një qeverisje të vogël, u arrit një reduktim i borxhit publik edhe pse investimet publike pësuan rritje të ndjeshme. Ulja e borxhit publik ndryshoi kah në vitin 2008 dhe 2009, për shkak të stimulit fiskal që ndoqi qeveria për të përballuar presionin e krizës financiare e reale që goditi vendet e zhvilluara.

Një ekonomi si ajo e vendit tonë, me infrastrukturë të varfër e me probleme të mëdha, nuk kishte luksin që t’ia linte përballimin e presioneve të krizës globale sektorit privat, madje fokusi i qeverisë ka qenë mbështetja e tij nëpërmjet uljes së kostove të të bërit biznes. ”Do të sugjeroja një sjellje krejt tjetër nëse reformat e fillimviteve ‘90 do të kishin nismuar që në vitin 1944 dhe biznesi shqiptar do të kishte pasur atë zhvillim që ka biznesi në vendet evropiane”, – tha ai. Pra, kjo është situata ku gjendet ekonomia jonë dhe borxhi publik gjatë dy viteve të fundit luhatet rrotull 60 përqindëshit të ekonomisë, një tregues që ka fituar popullaritet si një tregues kritik ‘mos më kalo’. Jam i bindur që i njëjti debat do të bëhej sot edhe sikur borxhi publik në vendin tonë të luhatej tek 50 përqindëshi i PBB-së. Do të diskutohej që, nëse kalon nivelin 50 për ind, ekonomia do të kalojë në krizë.
Plani i qeverisë që ju i referoheni për rritjen e borxhit publik mbi nivelin e 60 përqindëshit të ekonomisë është një reflektim i situatës ekonomike. Mendoj që qeveria duhet të tregohet e guximshme për të mbyllur të gjitha llogaritë kontraktuale me sektorin privat dhe të vazhdojë të ruajë nivelin e investimeve publike, shtoi Hida.

Qeveria, sipas tij, duhet të marrë në konsideratë që treguesit ekonomikë të vendeve evropiane parashikohen të përkeqësohen gjatë 2013-ës, që rritja e depozitave në sektorin bankar nuk po shkon në kredi dhe që biznesi privat ka rritur kreditë e këqija edhe për shkak të llogarive të hapura me qeverinë. Pra, analiza duhet të jetë afatmesme dhe në dobi të rritjes ekonomike dhe jo mendimit që, nëse borxhi publik është 59.7 për qind e PBB-së, është mirë dhe, nëse është pak mbi 60 për qind të ekonomisë, është shumë keq.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency