KE, Fule: Statusi kandidat për Shqipërinë, i mundshëm që në dhjetor

0
148

Gëzim Saliu

Komisioneri për Zgjerimin: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, janë realizuar reformat kyçe

Komisioni Evropian e sheh si të mundshëm marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në dhjetorin e këtij viti. Komisioneri për Zgjerimin për Ballkanin Perëndimor, Stefan Fule, bëri të ditur dje se Shqipëria, pavarësisht se nuk ka përmbushur tri ligjet e cilësuara nga KE-ja si kushte për të marrë një përgjigje pozitive në raportin e dhjetorit, ka shanse për ta marrë statusin e kandidatit. Sipas tij, vendi ka shënuar arritje të rëndësishme këtë vit, në kuadër të përmbushjes së reformave kyçe. “Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, gjatë vitit të kaluar, sidomos në marrëveshjen ndërpartiake në procesin e reformave të Bashkimit Evropian, si dhe realizimin e një sërë reformash kyçe të përcaktuara në opinionin e Komisionit. Ne nuk po propozojmë ende hapjen e negociatave për anëtarësim, por statusi i kandidatit është brenda mundësive”, – deklaroi Fule.

Shanset e statusit

Nga Zagrebi, ku ka folur gjatë një forumi për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, ka bërë një analizë edhe të ecurisë së procesit të integrimit në BE të vendeve ballkanike. Në rastin e Shqipërisë, Fule theksoi se shanset e vendit për të marrë statusin e kandidatit janë të mundshme, duke nënvizuar nga ana tjetër se nuk është ende koha që të propozohet hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Brukseli ka bërë të ditur në progres-raportin për Shqipërinë që publikoi në tetor Komisioni Evropian për këtë çështje theksoi se hapja e negociatave varet nga standardet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm. “Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në 2013 vlerësohet të jetë një test i fuqishëm për angazhimin ndërpartiak për reformën e re zgjedhore dhe një parakusht për çdo rekomandim për hapjen e negociatave”. Ndërkohë në këtë raport, Komisioni Evropian i dha statusin e vendit kandidat Shqipërisë, por duke e kushtëzuar atë me realizimin e tre reformave, siç ishte projektligji për Gjykatën e Lartë, reforma parlamentare dhe projektligji për nëpunësin civil. Klasa politike shqiptare kishte në dispozicion dy muaj kohë për të përmbushur tri ligjet, nga të cilat do të bëhej e mundur marrja e statusit në formë të plotë. Por palët nuk arritën konsensusin mes tyre, pasi PS kushtëzoi votën për ligjet e Brukselit me çështjen e Fierit. Sipas socialistëve, mazhoranca më parë duhet të zhbllokonte këtë çështje, duke zbatuar vendimet e gjykatave në favor të të majtëve, dhe vetëm më pas do të votoheshin tri ligjet. Ndërkohë mazhoranca nga ana e saj,duke e cilësuar kushtin e opozitës si bllokues, nëpërmjet kryeministrit Berisha ofroi një marrëveshje për këtë çështje, duke kërkuar mocion për anëtarët e Këshillit bashkiak, pasi sipas të djathtëve, ishin këta të fundit që kishin shumicën në këtë këshill. Kjo kërkesë u rrëzua nga kryesocialisti Rama, i cili theksoi se vetëm pasi të zgjidhet çështja e Fierit, PS do të pranojë të japë votën për reformat e kërkuara nga Komisioni Evropian. I gjendur në këtë situatë ngërçi, Parlamenti nuk arriti të votonte në seancën e fundit, para dorëzimit të raportit në KE, tri ligjet e integrimit. Në mesin e muajit dhjetor, Komisioni Evropian pritet të japë përgjigjen përfundimtare nëse Shqipëria do të marrë ose jo statusin e kandidatit këtë vit, ku pavarësisht pritshmërive negative për shkak të mos përmbushjes së tri ligjeve, deklarata e komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule se shanset për marrjen e statusit në dhjetor ekzistojnë, hap një dritë jeshile në kuadër të plotësimit të aspiratave evropiane të vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency