Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën

0

Nga Prof.Dr. Sali Berisha

 

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, shqiptarë të Shkupit, trevave shqiptare në Maqedoni,

Shqiptarë dhe shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Mal të Zi, diasporë, emigracion kudo që jeni sonte, gëzuar festën e madhe,  gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë!

I dashur zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

I dashur udhëheqës i Bashkimit Demokratik për Integrimin, Ali Ahmeti.

I dashur zëvendëskryeministër, Musa Xhaferri.

I nderuar vëlla i heroit legjendar të kombit shqiptar Adem Jashari.

Sonte jemi këtu me Kryeministrin e Kosovës, të ftuar nga z.Ali Ahmeti, për të festuar së bashku 100-vjetorin e Pavarësisë, por festa e Kombit nuk mund të fillonte askund më parë se këtu në Shkup, në mendjet dhe zemrat tuaja.

Përulem para jush me nderimin më të madh, para qytetarëve të këtij qyteti, që në shekuj rrezatuan dritë për kombin në të gjitha trojet etnike. Shkupi në shekuj ishte jo vetëm epiqendra e Dardanisë, por edhe epiqendra e kombit dhe lëvizjeve të tij, ndaj dhe sot shqiptarët kudo që janë shprehin mirënjohjen më të thellë, për baballarët e paraardhësit tuaj.

 

Vëllezër dhe motra!

Në këtë 100-vjetor, nderi i parë i takon flamurit të Skënderbeut, flamurit kombëtar, flamurit që frymëzoi qindra e mijëra shqiptarë të flijojnë jetën e tyre për liri, dinjitet kombëtar, flamurin që në çdo qelizë të tij mban shpirtrat, zemrat e martirëve të kombit tonë.

Nderi i madh sonte i takon Ismail Qemalit, burrit të madh vizionar të kombit, u takon Mehmet Terallës,  Zydih  Ohrit, Nuri Sojlit,  Myrteza Strugës, burrave të trojeve shqiptare të Maqedonisë, që me dorën e tyre të artë firmosën Aktin e Pavarësisë, në emër tuaj, në emër  të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.

Nderi sonte i takon arkitektit të madh, arkitektit gjenial të Shqipërisë etnike, arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës  dhe atdhetarëve  të tjerë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, që tronditët Europën dhe botën dhe bënë që shqiptarët të mund të shpallin pavarësinë.

 

Vëllezër dhe motra!

Shekulli që lamë ne prapa, ishte shekulli i një kalvari  për ne shqiptarët.  Ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, ata shpallën pavarësinë e Shqipërisë  jetike.  2/3 e trojeve shqiptare u ndanë u copëtuan në padrejtësinë më të madhe  të shekullit që shkoi.

Shqipëria përjetoi pushtimet dhe diktaturat më të egra, klonet,  telat me gjemba ndanë shqiptarët me njëri-tjetrin në mënyrën më të pamerituar. Por sot lavdi Zotit, lavdi armëve tona, lavdi miqve tanë, mblidhemi këtu të lirë si kurrë ndonjëherë në historinë tonë, mblidhemi të bashkuar dhe festojmë të bashkuar dhe të sigurt të ardhmen tonë.

Sot në këtë 100-vjetor pavarësisht se çfarë përjetuam, por kemi motive të mëdha për të qenë krenar me njëri-tjetrin, për të qenë krenar me trojet shqiptare, për të qenë krenar me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja jonë.

Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësisë që na u imponuan, ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me matjen e lirisë nga të tjerët dhe shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe me një rezistencë legjendare Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ushtria Kombëtare e Maqedonisë  do të zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë, do të çlironin kombin shqiptar do të bënin Ballkanin më të lirë, Evropën më të lirë dhe më të drejtë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politik të saj.

 

Vëllezër dhe motra!

Ky 100-vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë për të bërë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan gjatë një shekulli për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo ëndërr në të vërtetë 1000 herë po ta lexosh, është ëndrra e bashkimit  kombëtar të shqiptarëve.

Këtu nga Shkupi dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve. Të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre. U bëj thirrje fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve do të bëheni më të lirë, më të drejtë dhe shqiptarët janë të gatshëm për një bashkëpunim miqësor, afatgjatë, shekullor. Shqiptarët e lirë do të jenë forcë kryesore zhvillimi për veten e tyre dhe rajonin. Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Evropës, është nacionalizëm i bashkuar në kulturën ndër më të vjetrat e kontinentit, në gjuhën ndër më të bukurat e Evropës, nacionalizëm i bazuar në respektin e palëkundur të bindjeve dhe besimeve fetare të njëri-tjetrit.

 

Të rinj dhe të reja të Shkupit dhe mbarë Shqipërisë!

Duhet të jeni krenarë me qytetarinë e kombit tuaj, edhe njëherë dua t’ju përsëris këtu, nuk ka mbi tokë mysliman më të mirë, se ata që respektojnë besimin e tjetrit dhe të tillë janë shqiptarët. Nuk ka mbi tokë katolik më të mirë, se ata që respektojnë besimin e tjetrit dhe të tillë janë katolikët shqiptarë. Nuk ka mbi tokë ortodoks më të mirë, se ata që respektojnë besimin e njëri-tjetrit, të tillë jemi ne, të tillë janë ortodoksit shqiptarë.

Ndaj dhe askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi. Askush nuk duhet të harrojë se, shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar, si një komb që padrejtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen. Ndërtimi i të ardhmes së shqiptarëve është zhvillimi më pozitiv, më paqësor, më i rëndësishëm për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

 

I dashur zoti kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi!

I dashur zoti, Ali Ahmeti!

Shqiptarët presin nga ne që në projektin tonë evropian si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën le të përqendrojmë ne të gjithë energjitë tona.

 

Të dashur qytetar dhe qytetare të Shkupit!

Festa nga Shkupi shkon në Kosovë. Shkon në Kosovë me një mirënjohje të pakufishme, sepse pa Kosovën e lirë, pa gjakun e luftëtarëve të saj, shqiptarët në mbarë botën nuk do të ishin të lirë. Liria kombëtare është një dhe e pandarë, ndaj dhe ne përulemi me nderimin më të madh para luftëtarëve të lirisë, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në fushëbetejat e Kosovës, në malet e Sharrit dhe kudo që ranë. Nga Kosova, kështu siç jemi, kthehemi në Tiranë dhe në Vlorë.

Ky është 100-vjetori i besimit tonë, i zotimit tonë, i vizionit tonë Evropian, i vizionit tonë të bashkimit kombëtar për të bërë realitet ëndrrën e martirëve të këtij kombi

Zoti i bekoftë shqiptarë kudo që janë!

Zoti e bekoftë flamurin tonë kombëtar!

Zoti e bekoftë lirinë e Shqiptarëve!

Gëzuar!”