Manastir, vjesht’e I-rë 1908

0
413

Enkeleda Metaliaj

Sami Metaliaj

Gazeta “Lirija” e Selanikut, Nr 15 e 8 Nentor 1908, në një artikull pa emër autori boton ftesën që pleqësia e Klubit Bashkimi bënte si dhe programin e kongresit të Manastirit.

Ja ftesa sipas kësaj gazete: (siç është botuar në gazetë): “Shoqërija e klubit Bashkimi me anë të Pleqësisë saj mer nderë t’u ftojë të urdhëroni e të ndodhi ndë Kongren’e Përgjithçem e cila do te hapetë me 1 të vjeshtësë III ditën e shtunë ndë Manastir, ndë Klub “Bashkimi”. S’kemi dyshim se gjithë mirë dashësit vëllezërë Shqipëtarë, si dhe zotëria juaj prej shumë kohësh e tëhu do të kenë ndjerë nevojën e madhe për të dhënë një funt çështjes së Abecesë. Edhe me qënë që sot ardhi një ditë e pëlqyer për Istorin tonë, që të nisim liruar e papenguar te punojmë për mbrothësin’e lumtërin e kombit tënë…andaj kjo çështje e Abc-esë lipsetë të jetë fillimi, që pa atë nuku mundimë harrijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrothësi të gjuhësë. Përandaj, pra, u lutemi ti jepni kësaj çështje rëndësinë që lipsetë, të nderoni combine me të ardhurit e zotërisë suaj ndë këtë kongres (mbledhje) e cila do të mbaronjë një punë për lumturin’e e lartësinë e gjuhësë kombit Shqipëtar. Me vendim të shokëve e me kujdesi të Pleqësisë Klubit “Bashkimi” u bë e u shkrue t’u dërgonetë Zotërisë suaj.

Manastir, vjesht’e I-rë 1908

Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e Shqipetarve në luftën për çlirimin kombëtar.

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i zhvilloj punimet deri më 22 nëntor.

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote si Cerçiz Topulli, Lef Nosi, Parashqevi Qirjazi (e vetmja femër që merrte pjesë për herë të parë në një kongres) Rok Berisha, Abdyl Ypi etj..

Midis delegatëve gjendeshin veprimtarë të dëgjuar të lëvizjes kombëtare Shqiptare shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçiz Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj Megjithatë, për një varg arsyesh të ndryshme qe ndofta në të ardhmen mund të jetë objekt studimi intelektualë të shquar (si Faik Konica etj) nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.

Fotoja e publikuar jep këtë moment historik: Kongresin e alfabetit i mbajtur në qytetin e Manastirit. Por, veç këtij fakti na bën të mundur të lidhim emrat e delegatëve që morën pjesë në këtë kongres me imazhet e tyre.

Mit’hat Frasheri tregon e komenton personazhet e fotografisë sipas numrave: 1. Midhat Frashëri (Lumo Skëndo)- 2-Gjergj Fishta – 3. Emzot Kaçori,- 4. Dom Nre Mjeda – 5. G.D.Qiriaz Manastiri, 6. Fehim be Zavalani – 7. Dimitri Mol – 8. Nyzhet Vrion i- 9. Rok Berisha – 10. Bajo Topulli – 11. Thoma Abrami, 12. Sotir Peci – 13. Luigji Gurakuqi – 14. Shahin Kolonja.-15. Ahil Eftim Korça,-16. Adham Shkaba Statobërdha, 17. Dimitri Buda Elbasani, -18. Matea Logoreci –

20. Shevqet Frashëri, – 21. Simeon Shuteriqi, -22. Leonidha Naçi,- 23. Zejnel Glina,- 24. Sami Pojani, -25. Refik Toptani,-26. Mihal Grameno. Burri q’është në mes të zotit R. Toptani dhe zotit M.Grameno është Çeço Topulli, luftëtar i lirisë. Më të mëngër të Gramenos është Muhatari nga shokët e Çeços, dhe më të mëngër të Muhatarit është kavas’ i klubit të Manastirit. Më të mëngër të zotit Ahil Eftim është Xhelal Be Poda, dhe ay q’është në mes te zotërinjët Simeon Shuteriqi dhe Zeinel Glina është zoti Selman nga Elbasani.

Në këtë fotografi të delegatëve mungojnë: Zotërinjtë Hil Mosi, delegat’ i Shkodrës.

G.Cilka delegat’ i Korçës; Hafez Ibrahimi dhe Emin Beu, delegatët e Shkupit; Rauf Beu delegat’ i Gjinokastrës dhe Selaheddin Beu nga Prizreni, delegat i Manastirit.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Kongresi i filloi punimet në mëngjezin e 14 Nëntorit të 1908 në sallën e Hotel “Lirija” të Manastirit. Fjalën përshendetese e mirseardhjes e mbajti Kryetari i Klubit organizator të Manastirit Z.Fehim Bej Zavalani. Pas mbarimit të ceremonisë përshëndetëse e diskutimeve u zgjodh kryesia e punës së Kongresit me këtë përbërje: Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, Sekretar i Kongresit u zgjodh Hil Mosi, Thoma Abrami. Nënkryetar i Kongresit u zgjodh Luigj Gurakuqi, Gjergj Qirjazi.

Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Vendin kryesor në punimet e Kongresit e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë në ditët e para, të gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej të kishte si bazë atë latin.

Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Në keto rrethana, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare.

Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, i cili do të debatonte e merrte vendim për problemin e Alfabetit. Kongresi, këtij komisioni i dha kompetenca të plota për të vendosur. Në komision bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar.

Komisjoni i Alfabetit nuk i zhvilloi punimet e hapura siç kishte ndodhur deri në atë moment nga data 17 deri me 19 nendor 1908. Në diskutim ishin tre Alfabete: a- Alfabet i Stambollit; b-Alfabeti i shoqerise Bashkimi; c- Alfabeti i shoqërisë Agimi.

Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në konsiderate asnjëri nga tri alfabetet e lartpërmendura, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe.

Në mbrëmje më 22 nëndor 1908 Klubi “Bashkimi” i Manastirit organizoi një banket për delegatët e Kongresit. Kështu u mbyll Kongresi i Alfabetit që vuri vulën e përdorimit të gjuhës së shkruar shqipe me germë latine. Ky kongres e lëvizje të tjera mbas tij qenë preludi që përgatiti 28 Nëndorin 1912 “Shpalljen e Pavarsise” e ngritjen e Flamurit ne Vlore

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency