Kalivaçi, hidrocentrali që nuk do të ndërtohet kurrë nga investitori Beçhetti

0

Driçim Çaka

Loading...

Maksimumi i investimit është 12 milionë euro, ku e vetmja vepër që është dalluar është ura dhe ajo për pak kohë. Po 68 milionë euro ku janë? Këtu nuk duhet e harruar se nga këto lekë janë dhe lekët e urës që ka kushtuar 450 mijë euro por që ka funksionuar vetëm 3 muaj

 

Hidrocentrali i Kalivaçit, një ndër veprat më të mëdha energjetike, por duket se nuk do të ndërtohet kurrë. Vonesat, tejzgjatjet e afateve, moslikuidimet ndaj nënkontraktorëve dhe bankave etj., janë disa nga veprat që po bën kompania e Francesco Beçhettit në Shqipëri. Me idenë se në Kalivaç do të ndërtohet një nga veprat më serioze, Beçhetti ka tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj për t’i mashtruar ata më pas dhe për t’i përdorur për qëllime personale. Në Shqipëri kompania e tij nuk ka bërë as investimet minimale që parashikohej në kontratë, madje edhe ndërtimet që janë bërë në atë zonë nga ky investitor nuk kanë qenë cilësore, aq sa janë rrëzuar pas 2 muajsh.

Në një intervistë për “Standard”, Ardi Kollçaku, administrator i firmës C.A.E, shpjegon mënyrat mashtruese, sipas tij, me të cilat vepron Beçhetti duke filluar nga gënjeshtrat ndaj investitorëve të huaj siç është Deutsche Bank dhe deri të përdorimi i licencës së dhënë nga qeveria shqiptare për interesa personale, duke gënjyer në çdo mënyrë.

“Zotëria ka përdorur totalisht një skemë mashtrimi. Ka marrë licencën vetëm për të përfituar dhe deri sot nuk ka asnjë projekt të mirëfilltë për të justifikuar ndërtimin i hidrocentralit”, – tregon z. Kollçaku për gazetën. Çështja e hidrocentralit të Kalivaçit është një histori e gjatë që fillon që në vitin 2007. Që në atë vit dhe deri më sot. Z. Beçhetti nuk ka investuar as gjysmën e shumës për të cilën kishte thënë, madje në disa raste gënjente se kishte kryer punime të mëdha të cilët ishin në konkluzione përfundimtare.

Investimet false

Në kontrata thuhet se janë 80 milionë euro investime, por vetë z. Kollçaku pyet ku janë këto 80 milionë euro. “Maksimumi i investimit është 12 milionë euro, ku e vetmja vepër që është dalluar është ura dhe ajo për pak kohë. Po 68 milionë euro ku janë? Këtu nuk duhet harruar se nga këto lekë janë dhe lekët e urës që ka kushtuar 450 mijë euro, por që ka funksionuar vetëm 3 muaj, që tregon dhe njëherë seriozitetin e z. Beçhetti për të punuar në Kalivaç”, – thekson me tej z. Ardi Kollçaku. Ura që përmend z. Kollçaku është një vepër që fillimisht do t’u shërbente banorëve të zonës, por ajo ishte ndërtuar vetëm sa për t’u dukur dhe shumë shpejt filloi të rrëzohej për shkak të punimeve të një cilësie të ulët nga z. Beçhetti.

“Në këto vepra duket progresi i Beçhettit për të përfituar dhe vjedhur në xhepat e tij. Për mendimin tim ai hidrocentral nuk do të ndërtohet kurrë, për këtë mashtrim ne kemi bërë dhe një padi penale në gjykatë”, – thekson z. Kollçaku, i cili tregon skemën se si po mashtron investitori italian, Beçheti, për të vazhduar mashtrimet e tij që sipas z. Kollçaku i ka në natyrë, kërkon të përdorë mënyra për të devijuar nga çështja pavarësisht se nuk ka të drejtë.

“Ai s’donte të na jepte lekët dhe ne, normal, shkuam në gjykatë për ta paditur dhe ai për t’iu kundërvënë legjislacionit shqiptar, shkon në Gjykatën e Arbitrazhit në Francë, kur kjo gjykatë nuk ka lidhje me këtë çështje, pasi është në juridiksionin e gjykatave shqiptare, pasi është një çështje e brendshme”, – thotë z. Kollçaku, ndaj të cilit z. Beçhetti ka një shumë të madhe të papaguar. Në këtë periudhë, duhej të kishte përfunduar ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit. Një gjë e tillë nuk është kryer as sot e kësaj dite dhe është e sigurt që nuk do të kryhet kurrë.

Bashkëpunimi

Z. Kollçaku bën me dije se bashkëpunimi me Beçhetit është bërë që prej disa vitesh për në momentin që po kuptonte që ai thjesht po mashtronte firmat shqiptar. Për shkak të borxheve të mëdha që z. Beçhetti I kishte e hodhi në gjyq, por për asnjë moment investitori italian nuk ka pranuar të japë lekët. “Dëshira e zotërisë ishte e madhe për të gënjyer dhe për të gjetur çdo mënyrë mashtrimi saqë nuk pranonte të paguante njerëzit të cilët kishit punuar fillimisht për ndërtimin e hidrocentrali të Kalivaçit”-përmend Ardi Kollçaku.

Kollçaku në shpjegon se disponon kontrata të rregullta me z. Beçheti, kontrata të cilat nuk janë respektuar kurrë prej tij. Qëllimi i këtij njeriu sipas tij ka qenë mashtrimi se gjoja do të ndërtonte një hidrocentral ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. Ndërkohë nga ana tjetër kërkonte investitorë të huaj nëpër botë dhe u bënte të ditur atyre për rëndësinë e veprës dhe për fitimet që ata do të kishin. Investitorët u tërhoqën, pasi e kuptuan se z. Beçhetti nuk kishte ndërmend ta ndërtonte kurrë këtë hidrocentral.

Nga vjen ky debat?

Zanafilla kryesore e këtij debati ka qenë mungesa e projektzbatimit të veprës. Proceset që ndiqeshin në vepër bëheshin dhe ribëheshin disa herë për mungesën e prezencës në kantier, të stafit teknik të kontraktuesit.

Në kantier nuk ekzistonte një laborator teknik analizash dhe nuk kishte supervisor të punimeve ndërtimore. Pritej ardhja e një kompanie Knoë-Hoë për të marrë situatën e zbatimit të veprës në dorë. Gjëja kryesore që nuk u bë asnjëherë në këtë vepër ishte devijimi i rrjedhës së lumit për të mundësuar vazhdimin e punimeve ndërtimore të digës. Vlen të përmendet se punimet e gërmimit ribëheshin disa herë në terren jo të përshtatshëm të zbatimit të veprës.

Vetë shtrati i digës trajtohej teknikisht sipas skicave “të dhëna rishtazi” nga stafi teknik i Energji sh.p.k për t’ia lënë më pas vendin lumit Vjosë, i cili njihet për kapacitetin e tij ujor, të përmbyste e të dëmtonte të gjithë volumin e punës së realizuar.

Çfarë parashikonin kontratat fillestare?

Sipas kontratës së viti 1997 prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002. Sipas kontratës së viti 2000 është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005, duke e marrë të mirëqenë, se punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së viti 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, ndërsa praktikisht në këtë zonë nuk është bërë ndërtimi i asnjë gjejë serioze, por vetëm ndërtime sa për t’u dukur.

Denoncimi

Pak ditë më parë një nga gazetat e përditshme “abuzonte” me të drejtën e fjalës. Në këtë gazetë ishte një fotomotazh sikur z. Kollçaku ishte përkrah Ministrit të Financave Ridvan Bode. Po kështu kjo gazeta ka shkruar shumë shkrime kundër Ardi Kollcakut dhe në çdo shkrim janë përdorur gënjeshtra të cilat nuk kishin asnjë bazë të vërtete. Për këtë gjë z. Kollçaku në thotë se ka bërë një padi në gjykatë dhe ka kërkuar mbylljen e kësaj gazete për shpfjet e bërë disa ditë rresht. “Kam bërë një padi kundër kësaj gazete e cila po përdoret për qëllime personale dhe kërkon të prishë figurën timë. U bëj thirrja këtyre njerzve se do të përballen me organet kompetente. Në asnjë moment nuk i pranoj shpifjet që janë shkruar dhe çdo gjë do të sqarohet në gjykatë”- përmend z. kollçaku

 

15 vjet hidrocentral fantazmë

  • Ku është ky hidrocentral sa energji prodhon? Ende nuk është filluar për ndërtimit e tij?!
  • 1997, Beçhetti merr licencën nga qeveria shqiptare për ndërtimin e hidrocentralit
  • 3 vjet rresht, askush nuk foli për Kalivaçin, qeveria miraton disa ndryshime të kontratës
  • Viti 2000, vendimi i ri tregon se hidrocentrali mund të ndërtohej nga një kompani bashkëpunuese pasi kompania e z. Beçhetti nuk ishte e aftë ta ndërtonte e vetme
  • 2000-2007 përsëri askush nuk u kujtuar për Kalivaçin. Viktima e radhës e Beçhettit ishte Deutsche Bank
  • 6.6.2007 Këshilli i Ministrave miraton legjitimitetin e Deutsche Bank për partneritet në ndërtim.
  • Deri në vitin 2009 Beçhetti financon punimet në Kalivaç duke paguar nënkontraktorët C.A.E sh.p.k dhe të tjerë me milionat e paguar nga Deutsche Bank. Kur banka gjermane kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin dhe nis procedurat ligjore kundër të ashtuquajtur”investitorit” italian.
  • Në fund të 2009-s u tërhoq edhe C.A.E sh.p.k, pasi punimet e papaguara arritën në vlerën rreth 2.5 milionë euro, shumë e dokumentuar edhe nga situacionet.

 

 

 

Loading...