Info kult

0

Nderim për letrat greko-shqiptare

Fondacioni grek i kulturës, “Vatra e Tiranës”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave organizojnë të premten “Aktivitet nderi për letrat greko-shqiptare”, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave. Në program ndër të tjera edhe prezantimi i librave “Pse qajnë kuajt e Akilit” i Vasil S. Tole, në greqisht si dhe “Ballkani i dehur”, i shkrimtarit Jani Lili (pas vdekjes), në shqip. Të dy librat të përkthyer nga dr. Panajot Barka, botime të shtëpisë botuese “Elikranon”.

 

Rikthehet “Nëntori i dytë” në Tiranë e Vlorë

Në këto ditë kur festimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë po arrijnë pikat kulmore, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Projekti i Kinemasë Shqiptare, ofrojnë për publikun emocione të rralla atdhedashurie me shfaqjen në kinema të ngjarjeve, personazheve historikë dhe peizazheve të vitit 1912, me ngjyrat dhe cilësinë e figurës dhe zërit ashtu siç do të kishte dashur t’i jepte edhe regjisori Viktor Gjika me stafin e tij në vitin 1982.

Kush nuk ka pasur mundësi ta ndjekë filmin “Nëntori i dytë” në versionin e tij të restauruar, ka rastin ta bëjë këtë në dy shfaqjet që organizohen në Vlorë dhe Tiranë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe me bashkëpunimin e AQSHF, QKK dhe Bashkisë Vlorë. Vlorë, në teatrin “Petro Marko”, ditën e hënë, dt. 26 nëntor, ora 12:30; Tiranë, në Kinemanë Imperial, Agimi bulevardi “Zhan D’Ark”, ditën e martë, dt. 27 nëntor, ora 19:00.

 

Arkivi i filmit, tre ditë dokumentarë historikë

Kremtimeve me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u shtohen edhe shfaqje filmike që dokumentojnë personazhe historike, ngjarje dhe data që patën ndikim në historinë e shtetit shqiptar këta 100 vjet. Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, organizohen shfaqje të filmave dokumentarë me temë historike si dhe shfaqja e versionit të restauruar të filmit artistik “Nëntori i dytë”. Çdo mbrëmje tek kinema “Imperial Agimi”, 25-27 nëntor 2012. Hyrja është e lirë.

 

Elsie, një libër dokument për çamët

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Instituti i Studimeve për Çamërinë promovoi librin dokumentar më të rëndësishëm që është botuar deri më tani mbi Çamërinë, “The Cham Albanians of Greece”, nga dy autor shumë të njohur Robert Elsie dhe Bejtullah Destani.

Libri i cili është botuar në një nga shtëpitë botuese më të njohura britanike bazohet në arkivat më të pasura me dokumente domethënëse mbi Çamërinë, ato të Lidhjes së Kombeve dhe Misioneve Britanike dhe mbulojnë një nga periudhat më tragjike të historisë së saj.

Pavarësisht analizës së gjerë me sfond historik, politik dhe ligjor të shumë konflikteve të Ballkanit në vitet e fundit, pak vëmendje i është kushtuar tragjedisë së komunitetit etnik çam.

Dokumentet e mbledhura së bashku në këtë libër përmbajnë të dhëna nga Lidhja e Kombeve dhe Misioni Britanik, si dhe dokumentet e mbledhura nga misionet e tjera diplomatike midis viteve 1913 dhe 1960. Së bashku, ata adresojnë të gjitha periudhat e dëbimit me dhunë të popullsisë çame nga Greqia. Publikimi i këtyre dokumenteve përbën një kontribut historik të pashembullt të historisë së Çamërisë. Ky libër do të jetë thelbësorë për studiuesit e historisë së Ballkanit, politikës dhe të drejtave të njeriut. Ai do të ofrojë një pasqyrë interesante në një nga tragjeditë harruar të shekullit të njëzetë. Robert Elsie, është një ekspert i njohur ndërkombëtarisht në fushën e studimeve shqiptare. Ai është autor i më shumë se gjashtëdhjetë libra, kryesisht në Shqipëri, kulturën dhe historinë e saj. Bejtullah Destani është një dijetar shqiptar dhe themelues i Qendrës për Studime Shqiptare.