Coca Cola, “magjia” e një pijeje joalkoolike që “deh” shtetin prej vitesh

0
239

Blendi Hasani

 

Prej shumë vitesh, kompania del me humbje ose fitime minimale. Si mbijeton ne treg?

Prej vitesh tashmë, kompania që prodhon ambalazhon Coca Cola-n në Shqipëri deklaron humbje apo fitime qesharake. Si ka mundësi që pija magjike, e cila ka bërë për vete gjithë botën, të mos ketë sukses në vendin tonë? Rezulton një realitet tjetër: ajo e ruan magjinë e saj, si për konsumatorin, aq më tepër për investitorin, por magjinë kryesore e ushtron ndaj organeve fiskale të shtetit, që i magjeps deri në “hipnozë”.

Në janar të vitit 2011, sipërmarrësja italiane Maria Cristina Elmi ka treguar, në një deklaratë për median e vendit të saj, se në Tiranë “ka rrugë që të duket sikur je në Nju Jork, ka një Konfindustri vendëse që funksion, pra ekziston vetëdija e të qenit në Evropë”. Sipas saj, “Shqipëria duhet ekspozuar më mirë, duhet kujtuar se është një vend që na ka ndihmuar shumë. Ne italianët e harrojmë këtë shumë shpesh”.

Në të vërtetë, ajo ka shumë të drejtë të këmbëngulë në pohime të tilla. Askush më shumë se “Lady Coca Cola” e Tiranës nuk ka nxjerrë më shumë përfitime nga ky vend, duke shfrytëzuar mungesat e dukshme të përvojës së administratës fiskale shqiptare, pothuajse gjatë gjithë qeverive që kanë pasuar njëra-tjetrën, që nga ajo Meksi, kur është përuruar aktiviteti i saj shumë fitimprurës në Shqipëri.

 

Kush është “Lady Coca Cola Albania”

 

Maria Cristina Elmi është lindur në Bolonjë. Pas martesës me sipërmarrësin Sergio Busi, pronar i shoqërisë “Sadib” nga Rimini, merret me ambalazhimin në shishe të pijeve të markës Coca Cola. Aksionere në gazetat e mëdha italiane “Il Resto del Carlino”, “La Nazione”, “Il Giorno” dhe pronare e pronave të ndryshme të patundshme. Me bashkëshortin blejnë kompaninë “Sibeg”, gjithnjë në fushën e ambalazhimit të pijeve Coca Cola në Sicili: Katania dhe Palermo. Pas vdekjes aksidentale të të shoqit, hyn në këshillin administrativ të grupit botues “Espresso”, ku bëhet edhe zv.kryetare nga viti 1991 deri më 1999. Në vitin 1990 inauguron në Katania fabrikën e prodhimit të shisheve plastike dhe në vitin 1994 hap fabrikën e ambalazhimit të Coca Cola-s në Tiranë. Më 12 nëntor 1999 zgjidhet kryetare e shoqatës së sipërmarrësve italianë në Shqipëri, post që i ribesohet në vitin 2001. Nga nëntori 2011, është anëtare e këshillit drejtues të shoqatës së punëdhënësve italianë Confindustria në qytetin sicilian të Katanias.

 

Pija magjike

 

Rreth 20 vjet më parë shqiptarët shijuan për herë të parë lëngun Coca Cola “Made in Albania”. Ndërsa atëherë Coca Cola konsiderohej luks për shqiptarët, sot përdoret masivisht nga kushdo. Disa dhjetëra milionë litra Coca Cola shiten çdo vit në Shqipëri. Por, pija rezulton magjike jo vetëm për nga shija e saj, që pëlqehet nga të gjithë. Shijen dhe magjinë më të madhe e gëzojnë në fakt pronarët e fabrikës së ambalazhimit të saj në vend. Rentabiliteti i kësaj shoqërie (raporti i fitimit me xhiron), sipas të dhënave nga Tatimet, rezulton në përgjithësi me humbje apo me fitime minimale.

Si shpjegohet fakti që pas kaq vitesh aktiviteti në Shqipëri, shoqëria Coca Cola del me një normë të ulët fitimi? Sipas presidentes italiane, investimet i paraprijnë tregut. Duhet të investosh sa më shumë, pasi dhe makineritë e pajisjet e prodhimit amortizohen nga viti në vit. Prandaj duhet të investosh shumë më tepër për të arritur një fitim shumë të madh. Sipas një interviste të saj, ka dallim midis ndërmarrjeve prodhuese dhe ndërmarrjeve tregtare. Këto të fundit vetëm blejnë mall, përcaktojnë një fitim dhe pastaj e rishesin mallin, duke synuar fitimin e përcaktuar. Ndërsa për ndërmarrjen prodhuese, duhet të importohen të gjitha lëndët e para të prodhimit, të cilave u shtohen kostoja e transportit dhe taksa doganore. Po kështu, është rritur vazhdimisht taksa mbi shishet plastike, TVSH-ja. Për të qenë konkurrues, duhet të mbahet një çmim i ulët, ndryshe nuk shitet produkti, thekson Elmi, duke përmendur edhe se ka kontribuar për disa vjet me taksën “Majko” për ndërtimin e rrugës nga Durrësi në Kukës, që më pas u realizua nga buxheti i shtetit.

Sipas saj, ndërmarrja ka sakrifikuar nga marzhi i fitimit për të arritur këto volume shitjesh, që janë realizuar deri tani.

Lidhur me investimet, ajo thotë se kanë planifikuar të investojnë çdo vit rreth 800 mijë deri në 1.5 milionë euro. Kjo varet nga nevojat. Stabilimenti prodhues i Coca Cola-s, së bashku me investimin tjetër Uji i Ftohtë Tepelena, i kanë bërë menaxhuesit e tyre të zënë vendet kryesore ndër 10 menaxherët VIP në Shqipëri.

 

Kontributi

 

Megjithatë, ndërmarrja që ka arritur të kryejë edhe 23 milionë euro xhiro në vit, vazhdon të mos jetë të top-listën e tatimpaguesve më të mëdhenj për sa i përket tatimfitimit. Ky biznes nuk kuptohet pse mbahet në këmbë nga sipërmarrësit e tij, ndërkohë që rezulton me humbje apo me fitime kaq të ulëta, sa për të justifikuar mosshpalljen e detyruar nga ligji të kompanisë si të falimentuar. Sikurse dihet tashmë, në kuadër të reformës fiskale të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, një ndër ndryshimet ligjore është dhe ai i shpalljes së falimentit për një ndërmarrje, e cila për disa vjet të caktuara deklaron humbje në Tatimet. Falimenti mund të shpallet, po deklarove fitime 1 ose 2 për qind…

 

Bamirësia

 

E pyetur vite më parë nga gazeta të specializuara ekonomike, Elmi ka deklaruar se nuk e mbyll aktivitetin, pavarësisht nga rezultati negativ, sepse “i vjen keq për ato familje shqiptare që do të mbeteshin pa asnjë burim jetese, duke qenë se e kanë lidhur mirëqenien e tyre me Coca Cola-n”. Këtu ajo përfshinte edhe disa mijëra të tjerë, veç punonjësve të fabrikës, që merren me shitjen dhe aktivitete ndihmëse.

Është një logjikë që qëndron nga ana morale, por që më tepër i shkon për shtat një veprimtari të Caritas-it dhe jo një sipërmarrësi. Aktiviteti me humbje mbyllet, pas disa vitesh dështimi. Coca Cola në Shqipëri nuk ka dështuar, përkundrazi, është një ndër aktivitetet e investimeve të huaja më në lulëzim, krahas bankave të nivelit të dytë dhe sigurimeve.

Rasti i siciliano-bolonjezëve të Coca Cola-s në Shqipëri tregon se shteti ka burime të pashfrytëzuara ende të të ardhurave fiskale, ndërkohë që investitorët gjejnë në Shqipëri terren të virgjër për të përfituar në kohë krize, kur e gjithë bota përpëlitet. Është në dorë të institucioneve tona të bëjnë që edhe investitorët të japin kontributin e parashikuar nga ligji, njësoj si gjithë të tjerët, ashtu si e japin një gjë të tillë në Itali.

 

Shënim: Gazeta “Standard” do të sjellë numrin e ardhshëm materiale tjera të detajuara nga deklarimet te Tatimet të Coca Cola Albania. Po ashtu, do t’i paraqesim publikut edhe rrezikun për shëndetin dhe pasojat që mund të shkaktojnë pijet që përmbajnë gaz dhe kafeinë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency