Topalli: PS të votojë për Shqipërinë evropiane, të mos bllokojë integrimin

0
212

Ina Jano

Kryetarja e Kuvendit tha se nuk do të lodhet duke u bërë thirrje socialistëve të kontribuojnë për integrimin e vendit


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri thirrje përsëri opozitës për të votuar tri ligjet e integrimit. Kryeparlamentarja tha se PS-ja duhet që të japë votën e saj pro për Shqipërinë evropiane dhe nuk duhet që të bllokojë integrimin e vendit me qëndrimin e saj. Duke i kujtuar rezolutën e Parlamentit Evropian të disa ditëve më parë, zonja Topalli i rikujtoi opozitës së janë të huajt që votojnë pro vendit tonë, ndërkohë që bllokimi ka ardhur që brenda Shqipërisë, nga vetë forcat politike që ndodhën në Kuvend. Sipas Kryeparlamentares Topalli, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian votoi një rezolutë për Shqipërinë me rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, kurse në parlamentin shqiptar ndodh e kundërta. Shqiptarët nuk votojnë për shqiptarët, theksoi ajo, duke shtuar se nuk do lodhej duke i bërë thirrje socialistëve që të kontribuojnë me votën e tyre për të çuar përpara integrimin vendit. Nga qyteti i Shkodrës ku mori pjesë në përurimin e objekteve artistike të realizuara me materialet e mbetura nga demontimi i municioneve të tepërta, Kryetarja e Parlamentit e cilësoi si absurd qëndrimin e Partisë Socialiste. Ajo tha se deputetët e opozitës duhet që të bëhen burra dhe të votojnë në sallën e Parlamentit, pavarësisht se janë ndaluar nga kryetari i tyre. “Gjatë kësaj periudhe ju jeni njohur me zhvillimet politike dhe absurdin më të madh politik, ku Komisioni i Jashtëm i Këshillit të Evropës rreth tri ditë më parë votoi pro çështjes së integrimit të Shqipërisë dhe asnjë prej tyre nuk ishte shqiptar, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk e bën këtë gjë. Bëhuni burra e votoni tri ligjet për integrim dhe pse kryetari nuk jua lejon”, – tha zonja Topalli.

Ndërsa në fjalën e saj përshëndetëse në këtë aktivitet në qytetin e lindjes në Shkodër, zonja Topalli falënderoi ministrin Imami për këtë dhuratë të bukur që i kanë bërë qytetit të saj në këtë 100-vjetor të pavarësisë. “Çdo vepër arti është e bukur është një vlerë më shumë, – tha Kryetarja e Kuvendit, – dhe shndërrimi i armëve të shkatërrimit në vepra arti është diçka shumë e veçantë”, – u shpreh Kryeparlamentarja. Ajo pohoi se ishte Shkodra është një qytet i cili ka lindur për të bërë art dhe nga ana tjetër ka nxjerrë nga djepi i tij njerëzit më të mëdhenj të historisë, luftëtarë, ideologë, njerëz të mëdhenj të muzikës, kulturës, sportit, letërsisë, artit, fotografisë. Ndërsa i pranishëm në ceremoni, ministri Imami u shpreh: “Në verën e vitit 2010 filloi kjo punë. Punët e mira duan kohë dhe mendoj se i kemi kushtuar kohën, mundin, dedikimin e një grupi shumë më të madh njerëzish sesa janë rreshtuar këtu sot, njerëz që kanë punuar me përkushtim me inteligjencë, talent dhe kreativitet të lartë. Mirë që po shkatërrojmë, po a do të jemi të aftë të tregojmë që FA tona të mund të ndërtojnë mbi shkatërrimin? A mundet që mbi predhat e Luftës së Ftohtë të krijohen Lulet e Dritës dhe Paviglioni i Dashurisë për një kohë paqeje, për një kohë lirie. Ne filluam bashkëpunimin me një grup artistësh shqiptarë, si dhe ftuam disa profesorë të universitetit të Pensilvanisë që erdhën në dimrin e vitit 2010-2011 dhe vendosëm që t’i sjellim në Shkodër. U zgjodh Shkodra për vendosjen e këtyre veprave, u shpreh ministri Imami, sepse është një qytet me tradita dhe shtresa mijëvjeçare kulturore”. Këto vepra janë realizuar me materialet e nxjerra nga procesi i demontimit të municioneve të tepërta, duke qenë jo vetëm vepra të mrekullueshme arti dhe më funksion urban, por duke mbartur një metaforë të madhe, atë të kapërcimit të epokave. Veprat artistike që u përuruan dje në Shkodër janë pjesë e projektit “Në shërbim të hapësirave publike” dhe janë konceptuar nga artistë të njohur amerikanë si prof. John Boëman, prof. Ann Sholstrom, prof. Ward Shelley dhe Helen O’Leary në bashkëpunim me një grup artistësh shqiptarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency