Shtatorja e Isa Boletinit në Mitrovicë, Basha: Të rrallë burrat si ai

0

Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptar e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne. Ndihem pra krenar që jam sot këtu bashkë me ju, që kam gjak si gjaku i tij

Loading...

Në veri të Kosovës, në qytetin e Mitrovicës, një shtatore vigane është vendosur, shtatorja e Isa Boletinit, patriotit të madh dhe luftëtarit të Kosovës. Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë u përurua dje monumenti i patriotit të madh, Isa Boletini. I pranishëm në përurimin e vendosjes së kësaj shtatoreje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nderoi dje figurën e Isa Boletinit dhe ka çmuar lart veprën së tij në pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së Isa Boletinit, Basha theksoi se burra si ai vijnë rrallë dhe vepra e tyre mbetet përjetë.

Përurimi

“Ai ishte një vazhdim mali dhe çdo fëmijë e di se malet nuk çrrënjosen. Fshati Boletin prej kohësh ka qenë i famshëm, Kulla e Isës do të faktonte edhe dije, zgjim dhe vetëdije kombëtare. Kjo kullë e madhe ishte si një vazhdim mali, edhe Isa Boletini si një diamant i historisë shqiptare shkëlqen si ngahera, burra si ai lindin rrallë dhe ata janë mes nesh ngahera. Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptar e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”, – tha Basha, duke e cilësuar atë një nga ata burra që janë hipoteka dhe gjeneza historike e pavarësisë. Në vijim të fjalës së tij, Basha vuri në dukje se ndihet krenar për figurën e Isa Boletinit. “Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptar e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne. Ndihem pra krenar që jam sot këtu bashkë me ju, që kam gjak si gjaku i tij, që jam shqiptar e bashkëkombës i tij dhe bashkë me ju e adhurues të tjerë, por edhe si dëshmitarë të një të vërtete të madhe, në këtë 100-vjetor të pavarësisë shqiptare, themi: “Ne, sot e mot jemi me Isa Boletinin dhe Isa Boletini është me ne!” Lavdi përjetë Isa Boletinit dhe trimave të tij! Zoti e bekoftë Mitrovicën, Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe e lartësoftë flamurin tonë”, – ka thënë Basha. Më tej fjalën e mori edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Kryeministri Hashim Thaçi që ngritën lart figurën e patriotit shqiptar. Ndërkohë që kreu i qeverisë fliste, mes turmës kaluan kalorësit e pavarësisë. Të rinj të veshur me rroba tradicionale popullore të krahinës mbi kuaj sollën në vëmendje të të pranishmëve misionin e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë të vitit 1912 që luftuan dhe kontribuuan për të sjellë pavarësinë e shtetit shqiptar.

Zbulimi

Më pas shtatorja e Isa Boletinit u zbulua nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari; z. Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë Tiranë; z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës, z. Ali Ahmeti, kryetar i BDSH; z. Agim Kastrati, kryetar i Komunës Mitrovicë; z. Isa Mustafa, kryetar i Komunës Prishtinë; z. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës Preshevë.

Loading...