Shpërndarja e mandatave, Gjiknuri: Jo në kolegj, KQZ ka ekskluzivitetin

0

Sekretari për çështjet zgjedhore: KQZ, pa plan veprimi për të garantuar teknologjinë

Loading...

 

Partia Socialiste kundërshton vendimin e marrë dy ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku pas mungesës së konsensusit për shpërndarjen e mandatave, PD vendosi ta dërgonte çështjen në Kolegjin Zgjedhor. Sipas sekretarit për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, ndarja e mandateve është ekskluzivitet vetëm i KQZ-së dhe nëse do të ndodhë e kundërta, theksoi ai, do të humbë besueshmëria për procesin zgjedhor të vitit 2013. “Ndarja e mandateve është ekskluzivitet vetëm i KQZ-së. Nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013. Kolegji, maksimumi që mund të bëjë është të detyrojë KQZ-në të marrë vendim, por KQZ-ja është në proces vendimmarrje dhe kuorumin e KQZ-së nuk e zëvendëson dot Kolegji. Janë nga ato lloj detyrash që nuk i ushtron dot gjykata, janë detyra të mirëfillta të administratës të ngarkuar me zgjedhjet”, – tha ai për “Top Channel”.

 

Zgjidhja e PS-së

Për deputetin socialist, një ndër zgjidhjet më konsensuale për çështjen e rishpërndarjes së mandatave do të ishte ajo e detyrimit të Ministrisë së Brendshme për të dhënë informacionin e kërkuar. “Nuk ka asnjë sekret, nuk mund të pranohen justifikime të tilla, ‘jemi para të dhënave konfidenciale’, pasi emri, mbiemri, vendbanimi, ditëlindja, të gjitha këto të dhëna publikohen në listën e zgjedhësve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimin për ndarjen e mandateve, sido që të jenë ato shifra. Nëse këto të dhëna janë të bazuara në bazë të legjislacionin për Gjendjen Civile le të bëhet, nëse pastaj Ministria e Brendshme nuk do t’i japë këto dhe ka probleme me to dhe rruga për ta zgjidhur këtë është përdorimi i Gjykatës në mënyrë të paligjshme, këtu do të jemi përpara një rreziku shumë të madh për besimin për zgjedhjet e reja”, – tha Gjiknuri. Në këtë kontekst, ai nuk nguroi të akuzonte mazhorancën qeverisëse se po përpiqet të rrisë fiktivisht popullsinë në qarkun e Kukësit. “Shqetësimi më i madh për ne është integriteti i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile dhe sjellja e shtetit ndaj procesit zgjedhor dhe nëse shteti shpreh mungesë totale të transparencës, fut duart, anashkalon një nga parimet e rëndësishme për neutralitetin e tij në procesin zgjedhor, këtu kemi të bëjmë me një problem shumë më serioz se sa fakti i qëndrimit të një mandati në Kukës, apo heqjes së një mandati në Berat”, – pohoi deputeti socialist.

Teknologjia

Një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare sipas sekretarit për çështjet Zgjedhore në PS dhe njëkohësisht një nga bashkëhartuesit e Kodit Elektoral, Damian Gjiknuri është edhe mungesa e një plani veprimi nga KQZ-ja për të garantuar teknologjinë në zgjedhje në zonat pilot. “Shoh një rol apatik të administratës së KQZ-së dhe një rol struci, pra futje si struci në rërë të Qeverisë duke mos dhënë asistencën dhe ndihmën e duhur për këtë proces, megjithëse ka detyrime konkrete si Qeveria, ashtu edhe administrata e KQZ-së, KQZ-ja në vetvete për ta përfunduar këtë proces. Duhet theksuar që kjo është shumë e rëndësishme pasi zbatimi i teknologjisë ka qenë një nga shtyllat e marrëveshjes politike të materializuar në Kodin Zgjedhor. Çdo devijim nga ky angazhim do të çonte, do të hidhte hije të forta dyshimi mbi vullnet nga ana e Qeverisë për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, – deklaroi Gjiknuri. Dy ditë më parë në mbledhjen e KQZ-së, nuk arrit konsensusi për shtimin e mandateve në Tiranë e Durrës dhe heqjen nga Berati e Korça. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan kundër formulës së re për rishpërndarjen e mandateve dhe në bazë të kësaj, PD vendosi ta dërgojë çështjen në Kolegjin Zgjedhor.

Çfarë tha Ministria e Brendshme

Një ditë pas kërkesës së nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe anëtares Albana Shtylla të bërë më datë 21.11.2012 për informacion dhe dokumentacion në Ministrinë e Brendshme për lëvizjet e fundit demografike në disa komuna të qarkut të Kukësit, kjo ministri ktheu përgjigje në të cilën argumentoi se të dhënat e saj janë të dorëzuara më parë në komision zgjedhor sipas ligjeve në fuqi dhe se për informacione më të detajuara, cenohet ligji për të dhënat personale të shtetasve. “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mund të japë vetëm këtë informacion në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë në momentin e caktuar nga ligji. Kodi Zgjedhor përcakton që të dhënat mbi popullsinë i dërgohen KQZ-së një herë në 4 vjet, jo më vonë se katër muaj para fillimit të periudhës zgjedhore dhe nuk përcakton dhënien e informacionit apo referimin nga afate të tjera të ndërmjetme apo të çdo lloji tjetër. Të dhënat individuale e familjare të përbërësve të Gjendjes Civile me karakter personal. Aktet, të dhënat dhe konfirmimet shkresore për gjendjen civile i jepen vetëm personit që i përkasin këto të dhëna; anëtarit të familjes; kujdestarit; përfaqësuesit ligjor ose me prokurë dhe pas vdekjes, atyre që kanë legjitimitetin e kërkimit të trashëgimisë ligjore ose trashëgimtarëve testamentare”, – thuhej në shkresën e Ministrisë së Brendshme drejtuar nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe anëtares Albana Shtylla.

Loading...