Kategoria Superiore, Vllaznia dhe Flamurtari dhurojnë spektakël, Tirana rrëzohet sërish

0

Altin Vorpsi

Loading...

Vllaznia dhe Flamurtari kanë barazuar 3-3

Tirana ra në Ballsh, pasi u mund nga Bylisi vendas, 1-0

 

Rezultatet e para të javës së 12-të nuk kanë “tradhtuar” pritshmërinë. Vllaznia dhe Flamurtari kanë konfirmuar se ende nuk janë gati të rivalizojnë për titull, pasi futen tek skuadrat më të paqëndrueshmet në superiore. Më saktë, vlonjatët nuk kanë kuptuar ende se si kanë dalë me vetëm një pikë nga “Loro Boriçi” kur kishin arritur në avantazh të tre golave. Ndërkohë, Tirana nuk habiti askënd me atë humbje që pësoi në fushën e vështirë të Ballshit.

 

Ndryshimet

Rubio bën dy ndryshime në formacionin e tij, në krahasim me sfidën e mesjavës ndaj Skënderbeut. Pezo dhe Pepa e nisin nga fillimi, ndërsa Zeqiri është lënë në stol. Në kahun tjetër, Shpëtim Duro aktivizon si titullarë Begajn dhe të riun Dema dhe zgjodhi kështu të luante pa asnjë sulmues të mirëfilltë (me Hajdarin më të avancuar në këtë repart).

 

Menjëherë Flamurtari

Falë një kundërsulmi, skuadra e Rubios gjeti e para golin e avantazhit. Në minutën e 27-të, Muzaka fut një pasim të fortë pas krahëve të mbrojtjes kuqeblu, niset në start Memelli, por ndërhyn Osmani, që e devijon topin sa për të nxjerrë “blof” Vujadinoviçin. Marrin zemër vlonjatët, që në dy minutat e mëpastajme janë fare pranë dyfishimit të shifrave, falë goditjeve potente të Memellit dhe Lenës. Shpëtimtar i portës shkodrane bëhet Vujadinoviç, por vetëm përkohësisht, sepse nuk ka çfarë t’i bëjë Muzakës në minutën e 31-të. Ai eviton pozicionin jashtë loje dhe përshëndet për herë të dytë rrjetën e Vllaznisë. Në fraksionin e dytë do të vinte edhe i treti për Flamurtarin. Në minutën e 53-të është lushnjari Pepa, që gjuan fort nga një largësi e konsiderueshme, duke e ndëshkuar për herë të tretë Vujadinoviçin.

 

30 minutat e çmendura

Kur të gjithë prisnin që Flamurtari të bënte poker, u zgjua Vllaznia. E kontestuar fort prej publikut të vet, skuadra e Duros (që pa pjesën tjetër të ndeshjesh i ulur në bankinë) arriti që të rihapë “letrat” në minutën e 63-të me në të Rexhës që realizoi falë “bashkëpunimit” të Koliqit. Mbrojtësi ekstrem i Flamurtarit do të merrte edhe golin e dytë në minutën e 78-të kur nuk frenoi dot takimin me golin të Deliçit. Pas këtij episodi gjithçka ndryshoi. Skuadrat u hodhën në sulm për të gjetur golin që nga njëra anë do të jepte sigurinë e tri pikëve ndërsa nga ana tjetër do të shpëtonte nderin një qyteti të tërë. Fusha e blertë pa teksa të realizohej hipoteza e dytë. Në minutën e pestë shtesë skuadra e Vllaznisë arriti që të ekuilibroi shifrat. Rexha ishte heroi i “Loro Boriçit” teksa me golin e dytë personal që ishte i treti për Vllazninë mundi të kthejë fatet e një takimi që për shumë ishte mbyllur që në minutën e 53 kur vlonjatët trefishuan avantazhin.

Rrezohet Tirana, ngrihet Kukësi

Tirana bie në Ballsh. Kryeqytetasit në javën e 12 të Kategorisë Superiore u mundën me rezultatin minimal 1-0 nga Bylisi. Bardhekaltrit, të cilët pas dy fitoreve radhazi, u dukën sikur lanë pas krizën e klubit. Megjithatë ekipi i Alban Tafajit u dorëzua përballë golit të Bakiut në minutën e 68-të. Edhe pse 24 herë kampionët e vendit përpiqen për të barazuar rezultatin në fund janë vendasit ata që marrin 3 pikët.

Nga ana tjetër Kukësi, i cilësuar si skuadra surprizë e këtij sezoni në kampionat, fiton bindshëm 3-1 ndaj Kastriotit. Fillimisht janë miqtë ata që kalojnë të parët në avantazh me një gol që në minutën e 2-të nga Daja. Gjithsesi, skuadra veriore arrin ta marrë shpejt veten dhe në minutën e 25-të është Progoni ai që barazon rezultatin. Në pjesën e dytë Kukësi dominon lojën dhe për t’i dhënë fitoren mendojnë Popoviçi dhe Allmuça të cilët shënojnë respektivisht në minutën e 70 dhe 89. Në takimin tjetër Tomori barazoi pa gola përballë Shkumbinit.

 

Java e 12-të

 

Dje

KUKËSI-KASTRIOTI  3-1

Golat: Progni 25′, Popoviç 70′, Allmuça 89′ / Daja 3′

 

BYLISI-TIRANA  1-0

Golat: Bakiu 68′

 

TOMORI-SHKUMBINI  0-0

 

VLLAZNIA-FLAMURTARI  3-3

Golat: Rexha 63′, 90+5′, Delic 78′ / Osmani 27′ (aut), Muzaka 31′, Pepa 53′

 

Sot (14:00)

LUFTËTARI-SKËNDERBEU

APOLONIA-BESA

LAÇI-TEUTA

 

Renditja          Nd.      Pikë

1 Skënderbeu            11        27

2 Kukësi         12        21

3 Teuta                       11        20

4 Tirana          12        19

5 Bylis                         12        18

6 Laçi             11        18

7 Vllaznia       12        17

8 Flamurtari   12        16

9 Besa                        11        16

10 Kastrioti    12        12

11 Luftëtari     11        11

12 Shkumbini            12        9

13 Tomori      12        6

14 Apolonia   11        5

 

 

Loading...