Jozefina Topalli bashkon shqiptarët

0

Bardhyl Londo

Loading...

 

Mund të duket një titull pak i çuditshëm, por e vërteta është se qarkullon, shpeshherë jo pa të drejtë, një thënie se është tepër e vështirë të bësh dy shqiptarë bashkë. Madje një nga mendjet më të ndritura shqiptare, Faik Konica, dhe jo vetëm ai, ka formuluar postulatin që tashmë qarkullon si një aforizëm herë me pa të keq, por nganjëherë edhe shumë me hidhësi dhe me vrer, se e keqja e Shqipërisë janë shqiptarët. Ndërsa Gjergj Fishta, i zhgënjyer por edhe për të prekur krenarinë e njohur shqiptare, deklaron: ta marë vesh bota mbar/ se Gjergj Fishta nuk asht ma shqiptar. Por Faik Konica i madh ka edhe postulatin tjetër: i dua shqiptarët me gjithë të metat që kanë. Është një dashuri pa kushte, madje një dashuri deri në kufijtë e fshirjes së personalitetit dhe të parapëlqimeve individuale, e sakrifikimit të gjithë këtyre në emër të dashurisë për bashkëkombësit dhe, më tej ende, në emër të njeriut.

Të gjitha këto m’u kujtuan kur pashë nismën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli, për t’ u dorëzuar 200 personaliteteve të fushave të ndryshme aktet e shpalljes së pavarësisë. Thënë ndryshe për të zgjedhur në pyllin e madh të personaliteteve shqiptare dyqind lisa që ia kanë shtuar hijeshinë këtij pylli, ia kanë rritur atij madhështinë. Tej skepticizmit të zakonshëm shqiptar, por edhe atij njerëzor në përgjithësi për të përfolur nisma të tilla, tej pakënaqësisë të zakonshme dhe të pashmangshme “përse është ky dhe nuk jam unë”, “përse është ai dhe nuk është miku im, përse janë kaq nga një qytet dhe janë më pak nga tjetri”, më duhet të pohoj qysh në fillim se nisma e zonjës Topalli më duket tepër interesante dhe fryt i një mendjeje dhe fantazie krijuese dhe të qytetëruar. Larg dekorimeve stereotipe që jemi mësuar të shohim çdo natë duke ndjekur lajmet, larg titujve dhe certifikatave standarde që jo rrallë të vjen turp edhe t’i pranosh kur t’i japin, Kryetarja e Kuvendit ka gjetur një logo tepër intriguese.

Por kjo është vetëm njëra anë e problemit që po përpiqem të shtjelloj. Ana tjetër është më e rëndësishme. Fantazia krijuese në rast se nuk mbështetet në të vërtetën mbetet thjesht një akt që të emocionon për disa sekonda apo minuta dhe pastaj harrohet. Zonja Topalli dhe stafi i saj (në fund të fundit zotësia e shefit është të zgjedhë stafin) kanë ditur që nismën e tyre ta çojnë deri në fund dhe të arrijnë deri atje ku shumica e shqiptarëve (nuk e kam fjalën fare për politikanët të cilët janë skeptikë sharlatanë të pandreqshëm në marrëdhëniet opozitë – pozitë) nuk besojnë kurrë: të bashkojë shqiptarët, pa marrë parasysh asgjë tjetër veç të qenit shqiptar dhe të shërbesave që i ke bërë këtij emri, të vlerave që paraqet puna e secilit.

Po çfarë është ky bashkim që simbolizon ose nënkupton dorëzimi i akteve të pavarësisë dyqind personaliteteve? Kush ka ndjekur me vëmendje emrat që patin fatin të zgjidhen për të merituar aktet e Pavarësisë, do të kuptojë me njëherë se aty është edhe Qemal Stafa edhe Abaz Kupi, edhe Mit’hat Frashëri edhe Sejfulla Malëshova, edhe Safet Butka, edhe Asim Zeneli. Po çfarë ka këtu do të pyesë skeptiku i pandreqshëm, apo ai që mendon se vetëm ai ka trutë dhe mundësitë t’i bëjë mirë të gjitha që nga formimi i opinionit publik, tek shëndetësia, turizmi, futbolli, bimët medicinale etj., etj. Deri tani jemi mësuar ose më saktë janë përpjekur të na bindin se kufijtë politikë ekzistojnë jo vetëm midis të gjallëve por edhe midis të vdekurve apo të rënëve. Janë rrekur dhe rreken vazhdimisht të na bindin se nuk mund të bashkëjetojë njëkohësisht edhe Qemal Stafa edhe Abaz Kupi, edhe Safet Butka edhe Asim Zeneli, edhe Mit’hat Frashëri edhe Sejfulla Malëshova. Madje, ithtarët dhe propaganduesit e këtij arsyetimi absurd arrijnë deri atje sa edhe të vdekurit apo të rënët t’i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre të paudha: socialistët apo të majtët të pranojnë Qemal Stafën, por assesi Mit’hat Frashërin, të duartrokasin Asim Zenelin por të pështyjnë Safet Butkën, të çojnë lule tek lapidari i Margarita Tutulanit dhe i vëllait të saj por mundësisht të abandonojnë ose edhe ta pshurrin varrin e Gani Kryeziut. Ky mentalitet dhe kjo politikë e çmendur dihet ku na ka çuar. Por ja që Jozefina Topalli, të cilën rivalët politikë (nuk po them kundërshtarët sepse më duket tepër e ashpër) nuk lenë vend pa e etiketuar si “ekstremiste” na jep një leksion delikatese dhe fisnikërie, ajo i bashkon të gjithë edhe të majtët edhe të djathtët, mjafton të jenë përpjekur për Shqipëri, ashtu siç e mendonin ata. Por kujdes: Jozefina Topalli nuk arrin deri atje sa të bashkojë persekutorët me të persekutuarit, viktimat me xhelatët siç ndodh shpesh herë. Në rast se do të bënte këtë, atëherë do të kishim një anarki kriteresh, një moral kokëposhtë dhe një etikë që do të ishte në të vërtetë përmbysje e çdo etike.

Dakord, do të thonë kritizerët, moralistët e pa moral dhe ata që mendojnë se kanë në dorë formimin e opinionit publik, por këta janë të gjithë të vdekur, si i bëhet me të gjallët? Atëherë vjen leksioni tjetër që na jep Kryetarja e Kuvendit. Ajo bashkon Azem Hajdarin e Mandelën e Shqipërisë, Pjetër Arbnorin me Fatos Nanon, Ylli Bufin, Aleksandër Meksin e Bashkim Finon (ky i dyti zëvendësoi Meksin si kryeministër). Ndoshta, tani që e bëri zonja Topalli këtë moralistët e pamoral dhe kritizerët e pandreqshëm do të ngrihen dhe do të thonë: këtë mund ta bënte kushdo. Dakord, por pse nuk e ka bërë, kur po shohim që bëjnë krejt të kundërtën? A s’ kanë të drejtën njerëzit t’u bëjnë pyetjen e zakonshme kësaj kategorie njerëzore “ku ishe ti, Adam?” Ose të paktën t’u kujtojnë etiketimet e tyre për ekstremizëm, për njëanshmëri, për keqtrajtim të opozitës në Kuvend etj., etj.

Si shtesë të këtij mësimi kaq të vyer për mentalitetin dhe psikologjinë shqiptare, unë do të sillja edhe bashkimin e Rugovës me Adem Jasharin. Nuk kam pikë dyshimi se ata kanë qenë dhe janë bashkë, se janë përpjekur dhe kanë luftuar secili me mjetet e tij për të njëjtin qëllim. Por, zotërinj moralistë, hapni shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës, shikoni dhe dëgjoni dhjetëra e dhjetëra emisione televizive dhe radiofonike, dhe do të vini duart në kokë nga ajo që do të dëgjoni: Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova trajtohen gati-gati si armiq. Madje fantazia e shfrenuar e politizuar shqiptare (kujdes: e politizuar) arrin deri atje sa njërin ta lidhë me njërën parti politike në Tiranë, kurse tjetrin me partinë rivale. Atëherë a nuk iu duket se një pjesë jo e vogël e opinionit shqiptar, për të mos thënë shumica e tij, kanë domosdoshmëri për leksione të tilla për të cilat po flasim?

Leksionet që na jep zonja Topalli me veprimin e fundit të saj janë të natyrave të ndryshme, por gjithsesi aktualë dhe të vyer. Këto leksione nuk vuajnë nga komplekse të kota siç vuan zakonisht politika shqiptare. Zonja Topalli nuk ngurron të bashkojë me dhurimin e akteve të pavarësisë Mitrush Kutelin me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin me Lasgush Poradecin, Aurel Plasarin me Sabri Hamitin. Ajo nuk ka frikë se mund ta quajnë “nacionaliste”, “shoviniste” se “po bën Shqipërinë e madhe” etj., etj. Ajo nuk ka droje as nga opinioni që po gëlon jo pak në Kosovë mbi të ashtuquajturin “identitet kosovar” apo lloj-lloj predikimesh moraliste (në fakt janë të pamoralta) se nuk duhet të flasim shumë për Kosovën apo për shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme, se do të na quajnë shovinistë, nacionalistë, të mykur, të krimbur etj., etj. Si admirues i periudhës së Rilindjes, do të doja të shikoja tek fatlumët e përzgjedhur që kanë tashmë në dorë aktet e Pavarësisë edhe personalitetet arbëreshe, jo vetëm se ata janë shqiptarë dhe kanë ndihmuar aq shumë çështjen shqiptare (disa prej tyre njëkohësisht edhe çështjen italiane), por edhe për faktin e pamohueshëm se Rilindja jonë rrënjët i ka tek arbëreshët, se shtypi ynë fillon me “Fjamurin e Arbërit” dhe se “Këngët e Milosaos”, për mendimin tim, mbetet një perlë e letërsisë shqipe dhe një poemë nga më modernet.

Në fund, por jo nga rëndësia, do të vij tek fusha së cilës i përkas edhe vetë. Lista e shkrimtarëve dhe artistëve të përzgjedhur është më e gjata nga të gjitha listat. A nuk është ky një leksion tjetër që na jep zonja Topalli? Dashje pa dashje na kujtohet ajo shprehja me të cilën poetët dhe dashamirët e tyre përkëdhelin njëri-tjetrin: atdheun e kanë bërë poetët. Në mos këtë leksioni i zonjës Topalli na kumton një gjë të rëndësishme: vendin që zë kultura në një ngjarje të shënuar siç është 100-vjetori i pavarësisë. Dhe kjo nuk është pak. Përkundrazi.

Në panteonin që krijon zonja Topalli rrinë pranë e pranë edhe ata që e kishin siguruar panteonin qysh në kohën e komunizmit edhe ata që u anatemuan dhe u ndaluan nga komunizmi; edhe ata që gëzuan profesionet e lira, lejet krijuese dhe honorarët e komunizmit, edhe ata që u arratisën, që u burgosën apo që u vranë. Por atëherë a nuk kemi këtu anarki kriteresh? Jo, zonja Topalli, na përsërit edhe njëherë se në kulturë, letërsi, arte, ashtu si në fushat e tjera, e para dhe e fundit është vlera. “Panteoni” i krijuar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, natyrisht që mund të ishte më i gjerë dhe më i saktë, por askush nuk mund të thotë për të se ai nuk është ngritur mbi bazën e vlerave, askush nuk mund të kundërshtojë emrat e përfshirë në të. Sa më përket mua, ajo që më vjen keq është se nuk pashë emrat e De Radës, Migjenit, Odhise Paskalit, por sidomos të De Radës.

Sidoqoftë leksionet e Kryetares së Kuvendit janë të qarta dhe mund t’i lexojë kushdo. Do bënte mirë t’i lexonte sidomos politika që vuan nga sindroma e kundërt e këtyre leksioneve. Sa për kritizerët e pandreqshëm dhe moralistët pa moral e di që do të nxjerrin një lumë me “argumente” kundër, ose në rastin më të mirë do të heshtin duke u shtirë se janë krejt indiferentë dhe e injorojnë këtë akt. Në të vërtetë, në rast se nuk kanë gjë për të thënë, nuk bëjnë keq të heshtin.

 

Loading...