Gjyqësori, nis lobimi për dy vendet vakante në KLD

0

Sonja Caka

Loading...

Unioni i gjyqtarëve del me kandidaturë zyrtare, mbështetje për gjyqtarin Artan Broci. Disa nga emrat kandidatë për garën më 13-14 dhjetor, data kur mblidhet Konferenca Gjyqësore. Zgjedhjet e dy anëtarëve të rij nga radhët e gjyqësorit, me ligjin e ri


Pas njoftimit zyrtar për mbledhjen e Konferencës Kombëtare Gjyqësore më 13-14 dhjetor, në gjyqësor ka nisur lobimi i fortë për dy vendet vakante në KLD. Gjyqtarët që kanë shprehur aspirata për këto dy vende në KLD, kanë nisur fushatën mes kolegëve për të thithur sa më tepër vota. Gara është me të vërtetë e fortë dhe kandidatët për këto dy vende do jenë vetëm nga gjykatat e Apelit në vend, pasi dy shkallët e tjera të gjyqësorit gjenden të përfaqësuara në KLD, si Shkalla e Parë, ashtu dhe Gjykata e Lartë. Duke qenë se data po afron, kanë mbetur vetëm tri javë nga konkurrimi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë mësohet se do të dalë me një kandidaturë zyrtare, duke ofruar mbështetje të plotë nga gjithë gjyqtarët që janë anëtarë të tij. Artan Broci është kandidatura zyrtare e Unionit, i cili në mbledhjen më të fundit u ka bërë me dije edhe anëtarëve të tjerë të tij, të cilët kishin shprehur dëshirën për të konkurruar, se zyrtarisht do jetë ai gjyqtari që do mbështetet nga të gjithë. Ndërkohë që, bëhet me dije se janë edhe disa kandidatura të tjera nga Gjykata e Apelit të Tiranës, si Zeqine Sollaku, Agron Papajani apo dhe Astrit Mulstafa, të cilët ende jo zyrtarisht, kanë shprehur kandidaturat mes kolegëve dhe kërkojnë mbështetjen e tyre në këtë garë që mendohet të jetë e fortë. Kandidatët do të garojnë për dy vendet që lirojnë pas mbarimit të mandatit gjyqtarët Dhurata Haveri dhe Shkëlqim Miri, të cilët janë aktualisht gjyqtarë në Apelin e Krimeve të Rënda dhe Apelin e Tiranës. Për herë të parë nga miratimi në Parlament, Ligji i Ri për Konferencën Kombëtare Gjyqësore do të gjejë zbatim në dhjetor, kur do të mblidhen gjyqtarët nga të gjitha gjykatat në vend për të zgjedhur 2 anëtarët e rinj të KLD-së që dalin nga radhët e gjyqësorit.

Mungesa e ligjit, zgjedhjet me rregullore

Mbledhja e Konferencës Kombëtare Gjyqësore do të bëhet më 13-14 dhjetor dhe organizimi i saj bëhet nga kryetarja e kësaj konference, njëkohësisht edhe kryetare e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Beçaj. Disa ditë më parë, përmes një njoftimi, kryegjyqtarja Beçaj bëri publike mbledhjen, duke lançuar në këtë mënyrë edhe hapjen e garës për dy vendet vakante. Si rezultat i ankesave të bëra nga shoqatat e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, në vitin 2008 kjo gjykatë e shfuqizoi ligjin e vjetër si të papajtueshëm me Kushtetutën. Pas miratimit të ligjit nga Parlamenti, tashmë zgjedhja e dy anëtarëve të rinj nga radhët e gjyqësorit do të bëhet me ligjin e ri. Ndërkohë që, për shkak se opozita bllokoi kalimin e këtij ligji në Parlament, anëtarët e rinj të KLD-së gjatë këtyre dy viteve janë zgjedhur në mbledhjet e fundit përmes një rregulloreje të hartuar nga një grup pune.

Ligji i ri i KGJK-së

Anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, nuk mund të paraqesin kërkesë për transferim apo ngritje në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Ligji parashikon që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë 5 gjyqtarë të gjykatave të Shkallës së Parë; 3 gjyqtarë të gjykatave të Apelit; dhe 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Kjo formulë përzgjedhjeje siguron përfaqësimin në këtë organ të interesave të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, duke garantuar mbrojtjen e tyre nga çdo ndikim i papërshtatshëm. Nga ana tjetër, ligji i ri parashikon një procedurë të hollësishme të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedurë kjo që garanton transparencën, parimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar një përbërje cilësore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe funksionimin me anëtarësi të plotë të këtij organi në çdo kohë. Projektligji synon të largojë çdo të metë apo handikap të krijuar gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë vakancave në procesin e zgjedhjes, duke parashikuar fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve, të paktën 90 ditë para mbarimit normal të mandatit për anëtar të KLD-së.

Propozimi për kandidat për anëtar KLD-je

Kandidatët për anëtarë të KLD-së duhet të propozohen me shkrim nga të paktën 10 gjyqtarë, që nënshkruajnë propozimin. Këtij propozimi i bashkëngjitet edhe pëlqimi me shkrim i gjyqtarit që kandidon, së bashku me jetëshkrimin përkatës. Një gjyqtar mund të mbështesë vetëm një kandidaturë për çdo vend vakant në KLD. Gjyqtarët, ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, për aq kohë sa këto masa janë në fuqi, ndalohen të kandidojnë për anëtarë të KLD-së. Kandidaturat paraqiten deri në 7 ditë para datës së caktuar për votimin e tyre nga KGJK-ja në mbledhjen e përgjithshme të saj.

Mënyrat e zgjedhjes

Kandidati për anëtar i KLD-së quhet i zgjedhur kur për të kanë votuar më shumë se gjysma e votuesve të pranishëm në votim. Në qoftë se në votimin e parë kandidati apo kandidatët nuk merr numrin e mjaftueshëm të votave, atëherë organizohet një votim i dytë. Në votimin e dytë marrin pjesë vetëm kandidatët në numër sa dyfishi i numrit të vendeve që kanë ngelur vakant nga votimi i parë. Në këtë rast quhen të zgjedhur anëtarët që kanë marrë numrin më të madh të votave. Kur shumicën e kërkuar e kanë siguruar disa kandidatë, fitues është kandidati me numrin më të madh të votave. Kur, për një vend, dy ose më shumë kandidatë kanë marrë numër të barabartë votash, votimi përsëritet midis këtyre kandidatëve. Në rast se përsëri rezultati i votimit del i barabartë, atëherë fituesi caktohet me short.

Votimi

Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së bëhet gjithmonë i fshehtë. Votimi bëhet duke përdorur fletën e votimit të miratuar paraprakisht nga kryetari i KGJK-së. Procesi i numërimit të fletëve të votimit dhe i nxjerrjes së rezultatit të votimit është i hapur dhe transparent. Komisioni i votimit vlerëson fillimisht votat e pavlefshme dhe pastaj fillon numërimin. Rezultati i votimit pasqyrohet në një procesverbal të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Komisionit të Votimit. Vendimi i këtij komisioni është i formës së prerë.

KLD, pritet zgjedhja e një anëtari edhe nga Parlamenti

Një tjetër anëtar i KLD-së e lë vendin vakant pas emërimit në krye të KQZ-së. Bëhet fjalë për znj. Lefteri Lleshi, e cila prej disa vitesh mban vendin e anëtares së zgjedhur nga Parlamenti dhe që pas kalimit në krye të KQZ-së, ky vend ngel vakant. Pritet që së shpejti edhe Parlamenti të gjejë një tjetër figurë në fushën juridike dhe të bëjë zëvendësimin e znj. Lleshi me një tjetër anëtar.

Si duhet të jetë përbërja e KLD-së

5 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë;

3 gjyqtarë të gjykatave të apelit;

1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë

Anëtarëve që u mbaron mandati

Dhurata Haveri, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda

Shkëlqim Miri, Gjykata e Apelit të Tiranës

Disa nga kandidatët për në KLD

Artan Broci, me mbështetje zyrtare nga Unioni i Gjyqtarëve

Zeqine Sollaku

Astrit Mulstafa

Agron Papajani

Loading...