Festimet për 100-vjetorin, policia publikon planin e masave

0

Sonja Caka

Loading...

Bllokohen sheshe e zona të caktuara, policia: Garantimi i sigurisë në qytete dhe akse rrugore për festat, në qarqe shtim forcash të policisë


Policia e Shtetit publikoi dje planin e masave që ka përgatitur për festën e 100-vjetorit të pavarësisë, të cilat pritet të implementohen nga strukturat qendrore dhe vendore të policisë, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së të gjithë veprimtarive që do të zhvillohen në kuadër të kësaj feste. Përmes këtyre masave, nga ana e policisë synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive, garantimi i sigurisë rrugore me standarde në akset kryesore dhe në zonat urbane, ku zhvillohen aktivitetet dhe gjatë lëvizjes së personaliteteve shqiptare dhe të huaja, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta në përputhje me Kodin e Etikës së Policisë. “Në kuadër të këtyre masave Drejtuesit e Drejtorive të Policisë në Qarqe dhe të Drejtorive Rajonale për Kufirin e Migracionin po mbajnë kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore, me qëllim realizimin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të masave e veprimeve policore për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta në të gjithë territorin e vendit, dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës e Vlorës” bën me dije Policia e Shtetit, përmes një deklarate për shtyp.

Plan masash për Tiranën e Vlorën, edhe nga drejtoritë përkatëse

Nga të gjitha strukturat vendore të policisë janë hartuar plane të veçanta me detyra të mirëpërcaktuara për strukturat në varësi për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, garantimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e trafikut interurban dhe urban. Kështu, sipas Policisë së Shtetit, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë masa të veçanta janë programuar dhe për garantimin e mbarëvajtjes së zhvillimit të provave të përgjithshme të Paradës. Ndërkohë, një plan i posaçëm është hartuar për planifikimin, organizimin e vendosjen e shërbimeve të plota policore, në datën 28 nëntor 2012, gjatë zhvillimit të Paradës Ushtarake, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Masat e marra nga Policia Rrugore

Masa janë marrë gjithashtu në drejtim të menaxhimit të fluksit të shtuar të lëvizjes, rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të aksidenteve rrugore, duke përforcuar shërbimet e policisë në akset kryesore rrugore, në veçanti në akset Morinë –Tiranë –Vlorë; Qafë-Thanë – Tiranë – Vlorë dhe Kakavijë – Tiranë – Vlorë, si dhe duke shtuar prezencën e patrullave të policisë rrugore në këto akse. Po ashtu, nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve, nëpërmjet strukturave në varësi janë planifikuar e marrë të gjitha masat e nevojshme për shoqërimin dhe eskortimin e personaliteteve të larta të Shtetit, trupit diplomatik dhe delegacioneve të huaja, që do të marrin pjesë në aktivitete me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si dhe të grupeve të mjeteve autokolonë që do të qarkullojnë nga qytete të ndryshme të vendit në drejtim të qytetit të Tiranës dhe të Vlorës. Në kuadër të këtyre masave, nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në segmentet rrugore, sheshet, si dhe në afërsi të objekteve, ku do të zhvillohen aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Për festat, forca shtesë për policitë në qarqe

Në dispozicion të drejtorive të policive në qarqe, sipas kërkesës, do të vihen dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, veçanërisht për menaxhimin e lëvizjes në akset kryesore rrugore. Për përballimin e fluksit të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe për garantimin e një shërbimi të shpejtë dhe cilësor, nga Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit janë marrë të gjitha masat për shtimin e numrit të sporteleve të shërbimit dhe për bashkëpunimin me organet doganore e struktura të tjera të zbatimit të ligjit. Ndërkohë duke filluar nga sot, strukturat e Policisë së Shtetit do të kalojnë në Shërbim të Përforcuar. Monitorimi i masave të marra nga strukturat e policisë vendore do të kryhet nga grupet e drejtimit e monitorimit të ngritura nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Departamenti për Sigurinë Publike dhe Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. “Nisur nga larmia e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, si dhe për shkak të numrit të lartë të personaliteteve dhe të qytetarëve vendas e të huaj që parashikohet të marrin pjesë në këto aktivitete, Policia e Shtetit, kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve, në mënyrë që të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkullimin me automjete në zonat urbane gjatë këtyre ditëve, veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe të Vlorës, ku aktivitetet do të jenë më të shumta”, – përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.

Loading...