Ekspozita lëvizëse e Bankës së Shqipërisë ndalet në Prishtinë

0

Në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë, ekspozita lëvizëse e Bankës së Shqipërisë “100 vjet pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare” ndali udhëtimin e saj në datë 23 nëntor 2012, në Prishtinë, në ambientet e Muzeut Kombëtar. Kjo ishte hera e parë që Banka e Shqipërisë organizon një ekspozitë numizmatike jashtë vendit. Ekspozita vjen në qytetin e Prishtinës si një nderim për të gjithë ata rilindës e patriotë shqiptarë që dhanë kontributin e tyre në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Loading...

Ekspozita bashkë me historinë e monedhës dhe të kartëmonedhës shqiptare, synon të sjellë për publikun edhe zhvillimin e bankës qendrore në Shqipëri, e cila zë fill pas Pavarësisë me përpjekjet e Ismail Qemalit për krijimin e saj nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje me grupe financiare austro-hungareze dhe italiane. Ismail Qemali do ta quante krijimin e bankës si të dytën fitore pas lirisë, një mendim vizionar i cili është ende i vlefshëm edhe sot, pasi banka qendrore renditet ndër institucionet më të rëndësishme të një vendi. Në ekspozitë, përveç koleksionit numizmatik, publiku i gjerë pati mundësinë të shikojë nga afër edhe serinë e monedhave përkujtimore që Banka e Shqipërisë ka emetuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Udhëtimi në Prishtinë ishte ndalesa e tetë e ekspozitës lëvizëse, ndërkohë që ajo është organizuar edhe në shtatë qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës.

 

Loading...