CEZ, Enti Rregullator ende ka në dorë rregullimin e situatës në sistemin energjetik

0
178

Ditët e fundit, vetë ministri i Financave, duke folur për arritjet dhe sfidat e ekonomisë shqiptare aktualisht dhe gjatë vitit të ardhshëm, ka pranuar se fatura e energjisë elektrike për qeverinë ka qenë ndër vite një barrë e rëndë, që ajo e ka përballuar me kurajo dhe vendosmëri. Në këtë sektor, bashkë me qeverinë, ka ndarë problemet dhe hallet, që nga marrja e frenave të ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë në dorë, edhe grupi i madh i biznesit nga Republika Çeke CEZ Group. Problemet ishin të vjetra dhe falja e faturave të prapambetura nga ana e shtetit, për ato vite kur ai ishte pronar i sektorit, nuk kontribuoi sa duhet për të zgjidhur të ardhmen e tij. Ajo që po tingëllon sa vjen e më absurde, është se institucione të caktuara të këtij shteti, që i besoi një investitori nga më seriozët të ardhur ndonjëherë në vend pastrimin e “haureve të Avgjisë” në një përpjekje herkuliane, po përpiqen të nxjerrin në pah vetëm të meta. Në këtë moment, kjo duket se është bërë pa iu referuar statistikave të zhvillimit në sektor, të paktën për periudhën më të afërt më kohë. Të dhënat më të fundit, që janë vënë në dispozicion të publikut dhe të publikuara nga ana e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, CEZ Shpërndarje, treguan se arkëtimet u përmirësuan në mënyrë dramatike përgjatë 2012-ës, kur në tremujorin e tretë arritën në nivelin 89% dhe në tetor tejkaluan 98%. Shifra të tilla nuk ishin realizuar asnjëherë, as nga shteti, kur administronte sektorin në fjalë nëpërmjet KESH-it dhe nëpërmjet OSSH-së. Shtrohet pyetja: Përse pikërisht tani ndodhi kjo? Zhvillimet pozitive erdhën si rezultat i masave intensive për arkëtime të aplikuara nga shoqëria, fokusuar kryesisht te debitorët e mëdhenj dhe kabinat me nivelin më të lartë të debisë, duke përdorur të gjitha mjetet për ndërprerjen e furnizimit me energji për debitorët dhe fillimin e procedurave përmbarimore, thuhet në një komunikatë të këtij subjekti.

Nga ana tjetër, ky nuk ishte i vetmi rezultat i arritur nga investitori. Rezultatet e humbjeve treguan se humbjet në rrjetin e shpërndarjes qëndruan në nivele të lartë përgjatë muajve të parë të 2012-ës, kryesisht për shkak të ndërhyrjeve për përmirësimin e të cilësisë së furnizimit me energji dhe pamundësisë së investimeve të nevojshme. Por, në shtator dhe tetor nisi aplikimi i disa programeve të rinj për reduktimin e humbjeve, që sollën rezultatet e para duke i ulur humbjet në nivelin 36% në muajin tetor. Sërish, kemi të bëjmë këtu me një nivel të paarritur më parë.

Por, pavarësisht rezultateve të sipërpërmendura, u vu re një rënie në arkëtime në javët e para të nëntorit. Për këtë arsye, CEZ Shpërndarje ndërmori masat që kulmuan me ndërprerje të energjisë për ujësjellësit-debitorë të mëdhenj. Kjo, vetëm pasi u konsumuan të gjithë skemat e ndryshme lehtësuese, që nuk u pranuan nga debitorët.

Problemet dypalëshe do të zgjidhen me gjyq, ashtu sikurse pranon edhe secila nga palët nënshkruese të kontratës së shitblerjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Të dy palët do të shkojnë në këtë gjyq, qoftë në sistemin gjyqësor shqiptar apo Arbitrazhin e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris , “të blinduara” me ndihmën e studiove më të mira ligjore të biznesit në Evropa apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo çfarë nuk duhet të lihet pas dore në këtë mes është mundësia që mosmarrëveshjet të zgjidhen, në rast se nuk ka rrugë tjetër, nëpërmjet një rruge mirëkuptimi, që gjithashtu përfshihet në këtë kontratë, e pranuar si rrugë e parë nga të dy palët: shteti shqiptar dhe CEZ-i. Ende nuk janë konsumuar të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje dhe kjo do të ishte rrugëdalja më pozitive për të gjithë.

Në rast se privatizimi i Albpetrolit do të përfundonte me suksesin e merituar, dhe sipas të gjitha gjasave drejt një gjëje të tillë do të shkojë, shteti do të kishte të gjitha mundësitë për të plotësuar detyrimet e veta, pa hyrë në konflikte të pafrytshme me investitorin, ndërkohë që do t’i kërkonte këtij të fundit llogari deri më një për çdo detyrim të palës së huaj. Skenari i një buxheti me shpenzime shumë të larta buxhetore për blerje energjie nga importi me paratë e taksave dhe jo me paratë që vijnë nga pagesat normale e klientëve të kompanisë CEZ, është i rrezikshëm dhe peshon shumë mbi ritmin e zhvillimit të ekonomisë së vendit, në një kohë kur deri tani, falë politikave të zgjuara fiskale, ka ditur të shmangë më së miri krizat e importuara.

Enti Rregullator do ta meritonte me të vërtetë emrin që mban, në rast se do të përpiqet e të gjejë rrugët efikase për të rregulluar situatën, që ende janë të mundshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency