Standard.al

100-vjetori, Nishani merr urime nga Gjermania, Holanda dhe Austria

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë dje mesazhe të shumta urimi nga krerë shtetesh. Kreu i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, në mesazhin e tij theksoi: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë e madhe t’ju përcjell Juve urimet më të ngrohta. Gjej rastin t’ju uroj për mirëqenien tuaj dhe për një të ardhme të lumtur për popullin shqiptar”. Ndërsa Mbretëresha e Holandës, Beatrix R. pohoi në mesazhin e saj: “Me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj, urimet më të mira për mirëqenien e popullit shqiptar”. Ndërkohë Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, pasi përcolli urimet më të mira për përvjetorin e njëqind të pavarësisë, nënvizoi: “Edhe në të ardhmen, Gjermania do t’i japë vendit tuaj çdo mbështetje, me qëllim që procesi i përafrimit të Shqipërisë me Evropën të mund të vazhdohet me sukses. Veçanërisht kryesimi i Këshillit të Evropës, nga Shqipëria deri pak javë më parë, bën të qartë se dy vendet tona janë të lidhura edhe nëpërmjet vlerave të përbashkëta. Politika rajonale konstruktive e vendit tuaj u përgjigjet kërkesave, që shtrohen nga kjo qasje. Ju uroj Juve personalisht mbarëvajtje, edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, ndërsa popullit shqiptar i uroj një të ardhme të mirë, paqe liri dhe mirëqenie!” Nga ana e tij, Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, në mesazhin e urimit theksoi: “Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, jam i gëzuar që t’ju përcjell Juve dhe popullit shqiptar urimet e mia më të përzemërta, sikurse dhe urimet më të mira për prosperitetin e vendit tuaj dhe qytetarëve të tij!”

 

Comments are closed.