100-vjetori, Berisha: Nderim për figurat që firmosën aktin e pavarësisë

0

Ina Jano

Loading...

Kryeministri vendos kurora me lule tek busti i Bab Dudë Karbunarës dhe shpreh mirënjohje për Iliaz Vrionin, Selim Vokopolën, Dhimitër Tutulanin dhe Xhelal Koprencën


Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur që ditën e shtunë të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë që u zhvilluan në qytetin e Beratit. Kreu i mazhorancës në fjalën e tij përshëndetëse shprehu nderim të thellë për të gjitha figurat e ndritura të cilat, firmosën aktin e pavarësisë një shekull më parë, por edhe për të gjithë të tjerët të cilët gjatë një kësaj periudhe kohe kanë punuar dhe luftuar fort për Shqipërinë. “Sot së bashku le të shprehim ne nderimin tonë më të madh, para atyre burrave të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë, që 100 vjet më parë, të udhëhequr nga Ismail Qemal Vlora, burri vizionar i kombit, ati i pavarësisë së shqiptarëve, do të firmosnin në Vlorë aktin e pavarësisë dhe do të ngrinin krenar flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut”, – tha Kryeministri. Në festimet e organizuara nga Bashkia e Beratit, merrnin pjesë deputetë të këtij qarku, përfaqësues të pushtetit vendor dhe në shesh kishte shumë qytetarë të grumbulluar. Zoti Berisha, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, nderuan figurën e Babë Dud Karbunarës, pranë bustit të të cilit vendosën kurora me lule. “Sot është dita të shprehim nderimin tonë më të madh ndaj Babë Dud Karbunarës, Iliaz Vrionit, Selim Vokopolës, Dhimitër Tutulanit, Xhelal Koprencës dhe burrave të tjerë, të cilët firmosën në Vlorë aktin themeltar të shtetit të pavarur shqiptar”, – theksoi kryetari i ekzekutivit në fjalën përshëndetëse që pati në këtë aktivitet me rastin e jubileut të pavarësisë. Sheshi i Beratit, ashtu si edhe të gjitha sheshet e qyteteve të tjera ishte veshur kuqezi, ndërsa dekori nuk mungonte as në rrugët dytësore, ku dallohej qartë që edhe qytetarët kishin luajtur rolin e tyre në këtë zbukurim. Duke u ndalur në të kaluarën dhe në këtë shekull si vend i pavarur Berisha nuk harroi të përmendë të gjithë ata që gjatë kësaj kohe e kanë ndryshuar Beratin dhe e kanë përmirësuar atë, duke e futur edhe në listën e vendeve që janë më të vizituara në Shqipëri dhe jo vetëm. “Më të bashkuar se kurrë, rreth flamurit tonë kombëtar, rreth idealeve të atyre që 100 vjet më parë themeluan shtetin shqiptar, të atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që flijuan jetën për lirinë dhe dinjitetin tonë, të bëjmë gjithçka për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre, ëndrrën e bashkimit kombëtar, ëndrrën e tyre evropiane. Shqipëria në Evropë ishte ëndrra fisnike ndaj dhe le të vazhdojmë ne në këtë rrugë, rrugën e Shqipërisë evropiane. Nder për jetë burrave, që themeluan shtetin shqiptar, nder përjetë atyre, që ranë për tu bërë të pavdekshëm, për liri dhe flamurin kombëtar”, – uroi lideri i mazhorancës. Ndërsa aktiviteti i organizuar nga bashkia, nisi në sheshin qendror të qytetit me koncertin festiv të performuar nga grupet rinore dhe grupet folklorike. Pas vendosjes së kurorës me lule tek busti, Kryeministri vizitoi pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” në hollin e të cilit ekspozohej Kodiku i Purpurt i Berat shek. VI. Ai gjithashtu vizitoi ekspozitën e çelur me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë ku ekspozoheshin 111 piktura, fotografi dhe vepra të tjera arti të realizuara nga 97 autorë të ndryshëm shqiptarë. Në përfundim, zoti Berisha dhe Kryetari i Bashkisë shpërndanë dekorata mirënjohjeje për familjet patriotike. Kryeministri shprehu vlerësimin për Bashkinë e Beratit dhe për Këshillin Bashkiak të këtij qyteti për këto vendime, të cilat i cilësoi si vendime fisnike duke theksuar se një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata që nderon. “Shpreh vlerësimin për vendimet fisnike që keni marrë për të nderuar ata burra të cilëve ne u detyrojmë kaq shumë sot dhe brezat që vijnë. Ne shprehim mirënjohje ndaj tyre. Kjo mirënjohje është plotësisht e merituar dhe uroj që kjo mirënjohje të vijë gjithnjë në rritje. Një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga ata gra dhe burra që nderon. Dhe ne këtu po nderojmë ata që kanë vënë shpirtin, gjeninë e tyre krijuese në themel të një Shqipërie të lirë e të pavarur”, – përfundoi shefi i qeverisë.

 

Loading...