Tri ligjet Topalli: Rama mos t’u bëjë karshillëk shqiptarëve, ka detyrim të votojë

0

Florenc Drizari

Loading...

Evropianët votuan për Shqipërinë, kolegët socialistë nuk votojnë ligjet e integrimit. Ftoj Ramën t’i lejojë deputetët të votojnë kërkesat e Brukselit.

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri thirrje kryesocialistit Edi Rama të lejojë deputetët e opozitës të votojnë tri ligjet e integrimit, si një kërkesë që vjen edhe nga komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian kundrejt klasës politike shqiptare. Duke iu referuar vendimit të dy ditëve më parë nga komisionit të jashtëm të PE-së, i cili miratoi rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kryetarja Topalli theksoi se ligjet duhen miratuar pa vonesa duke i hapur rrugë proceseve integruese të vendit. “Tri ligje presin të miratohen në Kuvend, tre ligje të cilat Komisioni Evropian, komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian, dhe sigurisht Parlamenti Evropian i identifikojnë si të rëndësishme në procesin tonë të reformave. Prandaj ata kërkojnë një zëri që ne t’i miratojmë ato. Pa kushte dhe pa vonesa! Duke votuar këto tre ligje, Parlamenti kryen detyrën. Dje, të majtë e të djathtë evropianë, jo shqiptarë votuan për Shqipërinë, votuan për rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Ata nuk janë shqiptarë, por votuan për Shqipërinë”, – tha Topalli.

TOPALLI PËR RAMËN

Kryetarja e Kuvendit iu drejtua kryetari të opozitës duke thënë se vota për tri ligjet me 3/5 e votave nuk është një dhuratë për 100-vjetorin e pavarësisë, por një detyrim i Partisë Socialiste për proceset integruese. “Refuzimi i zotit Rama për të votuar tre ligjet nuk është karshillëk ndaj qeverisë, as ndaj Komisionit Evropian, as ndaj Parlamentit Evropian. Refuzimi për të votuar tre ligjet është karshillëk ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj gjej rastin si Kryetare e Kuvendit të përsëris thirrjen time për zotin Rama, për votimin e këtyre tre ligjeve. Nuk ia kërkoj si dhuratë për 100 vjetorin e Pavarësisë, ia kërkoj si detyrë, detyrë ndaj shqiptarëve të cilët e mbajnë në politikë”, – tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj edhe deklaratave të deputetëve socialistë të bëra dy ditë më parë, të cilët thanë se ligjet nuk janë gati për tu votuar dhe se ato ekzistojnë formalisht në Kuvend. “Edhe dje në Kuvendin e Shqipërisë ishin në axhendë si për disa muaj rresht, tre ligjet që kërkon Evropa. Por koleget e mi socialistë nuk i votuan ato. Ata janë shqiptarë por nuk votuan për Shqipërinë”, – tha Jozefina Topalli. Në fjalën e saj Kryeparlamentarja falënderoi përfaqësuesi i Parlamentit Evropian të cilët miratuan rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe, me konsensus të gjerë i dhanë mbështetjen Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit. “Në emër të Kuvendit i shpreh falënderimet e sinqerta Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Jam besim plotë se rezoluta e miratuar nga komisioni i jashtëm do të gjejë mbështetjen edhe nga Parlamentit Evropian. Por, ky akt vlerësimi nuk më largon dot nga shqetësimi i thellë që ndiej për pengesa që i vijnë procesit nga brenda Shqipërisë. Ato janë të pa justifikueshme, ato janë të padrejta, ato janë të dëmshme, ato duhet të ndërpriten menjëherë”, – tha kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Ndërkaq, qëndrimet e kundërta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me votimin e tri ligjeve të integrimit. Edhe pse dy ditë më parë opozita u “tërhoq” nga kushtëzimi i votës së saj për ligjin e nëpunësit civil dhe rregulloren e parlamentit, duke thënë se këto dy nisma nuk manë lidhje me çështjen në Qarkun e Fierit, projektligji për Gjykatën e Lartë vazhdon të mbetet kusht për Partinë Socialiste deri në zgjidhjen e ngërçit të krijuar në qarkun e Fierit.

 

“Refuzimi i zotit Rama për të votuar tri ligjet nuk është karshillëk ndaj qeverisë, as ndaj Komisionit Evropian, as ndaj Parlamentit Evropian. Refuzimi për të votuar tri ligjet është karshillëk ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve…”

 

 

PS tërhiqet nga dy ligjet, mban kusht Gjykatë e Lartë

Partia Socialiste tërhiqet nga vendimi për të kushtëzuar votën e saj për tri nismat ligjore që janë vënë kusht për marrjen e statusit nga Brukseli, pa zgjidhur më parë çështjen në Qarkun e Fierit. Të enjte e kaluar, deputeti i opozitës, Armando Subashi, shpjegoi se jo të tria ligjet janë kusht për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në këtë qark. Sipas deputetit Subashi, njëkohësisht i zgjedhur i kësaj force politike në Qarkun e Fierit, projektligji për statusin e nëpunësit civil dhe reforma parlamentare nuk janë kusht për Qarkun e Fierit. Për herë të parë opozita, që pas ngërçit politik të krijuar me mazhorancën për votimin e tri ligjeve të integrimit, duke e kushtëzuar votën e saj me zgjidhjen e çështjes së “Fierit”, ka ndryshuar qëndrim, duke vënë si kusht vetëm voton kundër projektligjit për Gjykatën e Lartë.

 

Loading...