Tri ese pa lidhje

0

 Artan Fuga

Loading...

A.   Me çfarë parametrash matet sjellja e kombeve?

Në këto ditë kur vendoset nëse Shqipëria do të marrë ose jo statusin e vendit kandidat zyrtar për integrim në Bashkimin Evropian, dilemat dhe pyetjet nuk kanë fund. Edhe një lloj ankthi kolektiv i qytetarëve pavarësisht se jo gjithmonë i shprehur në mënyrë të qartë vazhdon të ekzistojë. Edhe ata që shprehen se nuk iu bëhet shumë vonë sesi do t’i bëhet halli kësaj çështjeje, edhe ata, në fakt, i “bien me shkelm” një procesi që do të vendosi për fatet e vetes dhe të pasardhësve të tyre në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Këta të fundit nuk bëjnë tjetër veçse ia lënë ankthin të tjerëve, duke e ditur mirë se të tjerët nuk do të hezitojnë ta zgjidhin si munden këtë çështje.

Me këtë rast, sikurse është edhe zakoni, instancat evropiane, sikurse ishte rasti edhe i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian përpara dy ditësh, e shikojnë këtë proces duke u bazuar në analiza objektive, shumë te drejta, që nisen nga parametra matës rigorozë të zhvillimeve sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri.
A na japin të drejtë këta parametra matës prej ekspertize që të pretendojmë integrimin gradual apo jo?

Parametrat matës vendosin “metrin” objektivisht mbi nivelin e korrupsionit, mbi drejtësinë që japin apo nuk japin gjykatat, mbi shkallën e emancipimit të jetës politike dhe të veprimtarisë të institucioneve shqiptare, mbi papunësinë, etj.
Krejt normale. Bashkimi Evropian, ndonëse ka vetë ai pa fund probleme institucionale, ekonomike dhe politike, është arritja më e lartë e popujve evropianë, dhe ka kërkesa të larta për të gjithë kombet që duan të bëhen pjesë e tij.

Mirëpo veç matësve dhe parametrave teknikë, profesionistë, shpresoj se ka edhe disa parametra të tjerë që nuk masin thjesht performancën dhe arritjet e klasës politike dhe të shtetit shqiptar, por edhe shkallën e gatishmërisë dhe të besimit që opinionin publik shqiptar ka te Bashkimi Evropian ose sikurse thuhet ndryshe nga populli “Evropa e Bashkuar”.
Evropa nuk është thjesht e elitave politike, apo e aparateve burokratike kontinentale apo thjesht e ekspertëve që masin me saktësi të duhur gjithçka që ndodh, që nga debati parlamentar deri se sa centimetra është perimetri i mollëve që hyjnë në tregun e Bashkimit Evropian. Evropa më së pari është e popujve, e qytetarëve dhe pra duhet matur edhe performanca e sjelljes politike dhe sociale e qytetarëve shqiptarë për te vlerësuar se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit tonë.

Asnjëherë nuk dëgjojmë të matet ajo dhe për këtë ndjen një lloj keqardhje. Parametrat teknikë që nuk masin edhe shkallën e ndërgjegjes qytetare, shkallën e dëshirës kolektive për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, vullnetin kombëtar për t’iu bashkëngjitur Evropës, bëhen të ftohtë, të pamjaftueshëm, bosh.

Bashkimi Evropian nuk do të integrojë nga Shqipëria vetëm klasën politike, gjyqtarët, profesorët, sado të mirë a të këqij të jenë këta. Evropa do të integrojë më së pari ata miliona qytetarë shqiptarë që janë forca e vërtetë dhe e vetme e qëndrueshme e kombit, dhe më pas si qytetarë evropianë.

Por, dikush mund të thotë së me çfarë e masim ne performancën e popujve, për t’i konsideruar ata të denjë për të arritur një objektiv ose për t’i përbuzur, për të mos i pranuar ose pranuar, për t’i shtyrë tutje ose afruar, për të mos i mbajtur ose mbajtur premtimet historike të dhëna në çaste të vështira për Evropën.

Kur Evropa e Lindjes vuante nga totalitarizmi stalinist, kur ajo e Perëndimit kërcënohej nga Lindja komunisto-sovjetike, Evropa iu bëri një premtim popujve: Hajdeni në një Evropë të Bashkuar! Dhe shqiptarët e dëgjuan me besim dhe sinqeritet. Tani ata kërkojnë besën dhe fjalën e dhënë. Çdo parametër që nuk shkon në zhvillimet e sotme shqiptare nuk është i qytetarëve shqiptarë, por i nëpunësve që jo të gjithë kanë lartësinë e ndërgjegjes qytetare. Kurse të masësh parasysh vetëm performancën e tyre dhe jo të popullit e të kombit, kjo do të ishte fatale.

Ne kemi rastin të themi se parametrat për të matur sjelljen e kombit janë gjigante sikurse është vetë kjo qenie kolektive. Si është sjellë kombi lidhur me Evropën pa kufij në këta pesëdhjetë vjetët e fundit?

Kam katër parametra që dua t’ua shtoj atyre të eksperteve evropianë:
1. 1973. Sapo pa pak dritë liberalizimi, elita artistike dhe intelektuale shqiptare si edhe audienca e gjerë e mediave të huaja në Shqipërinë e kohës, u dha pas muzikës, sportit, artit, letërsisë, shkencave sociale evropiane. Vetëm brenda pak muajve, ideologjia staliniste e pa veten e vet të braktisur. Qindra intelektualë, artistë dhe krijues u persekutuan më pas në forma të ndryshme. Mijëra e dhjetëra mijëra të rinj e panë veten e tyre të frustruar dhe shtrënguar në një izolim represiv aq sa edhe të dëgjoje një radio evropiane ishte një akt i dënueshëm ilegal. Janë këto vuajtje performanca matëse që nuk harrohet.
2. 1990. Në të gjitha sheshet universitare, pastaj urbane dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë transformimet sociale dhe politike nisën me thirrjet studentore: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Më kujtohet se të gjithë ndiqnin me pasion ose këndonin këngën e Totos mbi Evropën e Bashkuar. Është një performancë e lartë proeuopiane që besimin e ndryshimit social ta vendosësh krejtësisht mbi besueshmërinë e pranimit të një Evrope të Bashkuar.
3. Emigrimi klandestin dhe masiv shqiptar, atje ku humbën jetën në detra e male, qindra njerëz u drejtua nga vendet e Evropës. Shkon njeriu atje ku idealet dhe ëndrrat e tij e çojnë. A nuk është një parametër i lartë integrues ekzistenca madhore e emigracionit shqiptar në Evropë dhe Perëndim?
4. Lirinë dhe sigurinë shqiptarët e Ballkanit, ku do që jetojnë dhe punojnë e kanë mbështetur te modeli evropian dhe perëndimor i demokracisë dhe i marrëdhënieve ndërkulturore. Janë evropianistët më të sinqertë jo se janë më të mirë se kombet e tjerë, por sepse historia i ka bërë që vetëm demokratizimi i marrëdhënieve ndëretnike i bën shqiptarët që edhe të rifitojnë të drejtat e tyre politike, por edhe të kenë të drejtën të komunikojnë lirisht mes tyre dhe me popujt e tjerë.
Në të gjitha këto ngjarje historike objektive shqiptarët si komb dhe qytetarë kanë treguar se janë në parametrat më të lartë të vullnetit për të qenë të asociuar me projektin e Bashkimit Evropian, dhe si të tillë meritojnë më së pari të vlerësohen.

 

——————————–

 B.   Pse na bëjnë “çorap” disa historishkrues? 

Veç historianëve seriozë në këtë fund viti ka edhe të tjerë që merren me histori si historishkrues. Disa prej tyre mendojnë (së paku veprojnë) sikur çdo letër e vjetër, raport spiunësh të dikurshëm, udhëtarësh (turistësh të kohës), konsujsh, është me përmbajtje të vërtetë. I lexojnë njëri-tjetrit para kamerës fjali të shkëputura gjetur nuk di se ku. Harrojnë një parim metodologjik bazë:
A është e vërtetë ajo që është shkruar aty?

A kanë nevojë shqiptarët pas njëqind vjetësh të pyesin për dokumentet e sotme: A është i besueshëm ai që i ka shkruar?

Kështu, historishkrues të ndryshëm, veç historianëve seriozë, ngatërrojnë dokumentin me faktin historik duke i barazuar, ngatërrojnë përmbajtjen e dokumentin me historinë e vërtetë, analizojnë fjalinë pa studiuar dot fjalishkruesin e dikurshëm. (Sikur Uikiliksi i sotëm të ishte i vërtetë ndërkohë që çfarë thotë një ambasador sot nuk thotë tjetri!).

Me një fjalë e barazojnë zanatin e historianit me të atij që gjen e mbledh sa më shumë letra të vjetra në dengje dokumentesh të zverdhura.

Ngatërrojnë punën e nderuar të historianit më mundësinë e aksesit në letra e dokumente të vjetra.

Duke pasur shumë historishkrues këtë fundviti jo vetëm bëhemi “çorap” sepse njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, jo vetëm historinë e ngatërrojmë me rrëfimin historik subjektiv, por edhe vendosim në hije historianë seriozë (jo nga pamja) që pak-kush i le vend të flasin.

Kjo është një nga pasojat e rênda të masivizimit të shkencës historike dhe e mediatizimit të saj sikur të ishte një bisedë për pastërtinë e qyteteve të sotme.

Ajo që na duhet është pikërisht një filozofi dhe epistemologji e historisë që të na ndihmojë të kuptojmë fenomenologjinë e historisë. Historia e së kaluarës është si parashikimi i së ardhmes. E shkuara është si e ardhmja, nuk ekziston më objektivisht, ka qenë por nuk është më. E ardhmja është në imagjinatë, kurse e kaluara është në kujtesën individuale dhe kolektive. Duke parashikuar të ardhmen ne vetëm imagjinojmë sesi do të jetë, por asnjëherë si do të jetë vërtetë. Duke folur për historinë në vetëm studiojmë kujtesën tonë për atë që ka ndodhur, por jo vetë atë që ka qenë ngjarja historike “objektive”.

“Objektiviteti” në histori është kulmi i subjektivitetit i imponuar publikut me doza të forta autoritarizmi. Në fakt, ja nga duhet të shpëtojë shkenca, nga autoritarizmi metodologjik që përplas pastaj ironira, sarkazma, sharje, ofendime në media, ndërsa publiku në këtë 100-vjetor bëhet edhe më i çoroditur për historinë e vet.

 

———————————————

C.   I vjedhur shumë herë

 

Njoh një njeri që përgjatë kohës së tranzicionit demokratik e kanë vjedhur disa herë.
– Nuk mori dot pronat e familjes, sepse ia kishin uzurpuar të fortët dhe gjykata nuk funksiononte veçse si teatër.

– Nga shtëpia me ish pronar e nxorën prej xhakete, ndonëse kishte paguar rregullisht qiranë shtetit si gjithë të tjerët.

– Shtëpi falas nuk privatizoi si gjithë të tjerët, ndonëse kishte kontribuar

si të gjithë edhe ai.

– Nuk mori asgjë nga pronat publike, ndonëse ato konsideroheshin të të gjithëve. Ia vodhën.

– Përgjatë vitit 1997 i vodhën lekët e vendosura në firmat piramidale, ndonëse disa politikanë i tërhoqën lekët dhe me interesat bashkë disa ditë më parë se piramidat të binin.

– E vodhën në banesë me thyerje vjedhësit e zakonshëm dhe policia informoi se e gjeti autorin, por kishte ikur në drejtim të panjohur. Askush nuk i tha asgjë se çfarë u bë. Demokratizimi i policisë në raport me qytetarin.

– Apartamentin e blerë korrektësisht nuk ia hipotekojnë dhe pra ka një pronës që formalisht ia kanë marrë, vjedhur.

– Korporata të ndryshme energjetike e kanë faturuar shpesh mbi harxhimet e bëra, pra vjedhur.

– Në qendrën e punës, një ndërmarrje private, i vodhën të ardhurat e punës së tij bash kolegët dhe miqtë.

– E vjedhin sepse pushteti lokal i kërkon taksë pasurie ndërkohë ai nuk ka pasuri formalisht se nuk ka hipotekë.

– Dy herë kanë votuar për të ndonëse ai nuk ka qenë fare i pranishëm në atë territor.

Ai është mësuar ta vjedhin, ndonëse jeton në një shtet ligjor.

Qesh, se nuk do të qajë.

Mos më merrni identitetin tim – ulëret gjithandej, mos më quani qytetar, por i vjedhur.

I vjedhuri Qenan K. akuzoheni se nxini realitetin!

Kush mendon se këtë njeri e kam shpikur, e ka gabim, unë mund të jap edhe emrin e tij, nëse duhet për të provuar se po shkruaj ndershmërisht. Por, më parë duhet të marr autorizimin e tij.

Loading...