Shqipëria e zhveshur Shtatë koleksionet e fotove të panjohura nga një anglez

0

Violeta Murati

Speciale/ Albanologu Robert Elsie prezanton për herë të parë pamjet e rralla të Shqipërisë nga fotografi të hershme të disa koleksionistëve

 

“Zbulimi i Shqipërisë, si dhe i kulturës dhe historisë së saj nuk fillon vetëm me tekste, por edhe me fotografi. Për këtë arsye dëshirojmë t’ia ofrojmë publikut shqiptar dhe botëror disa pamje të rralla nga e kaluara e shqiptarëve” – është ky një prezantim që na bën qysh në krye albanologu i njohur anglez Robert Elsie. Duket se puna e kontributi i tij mbi Shqipërinë nuk sos kurrë. Së fundi ai ka krijuar enkas një faqe internet ku paraqiten për herë të parë koleksione të rralla, deri tani kryesisht të panjohura, të fotografive të hershme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tashmë njihen disa koleksione të të huajve, që rezervojnë prej një shekulli Shqipërinë e hershme, por të rejat që vijnë bëjnë fjalë për Koleksionin fotografik të Branimir Gushiqit, për Shqipërinë e vitit 1947; koleksionin fotografik të Vandeleur Robinson, si dhe koleksioni fotografik i A. Den Doolaard, mbi Shqipërinë e vitit 1932. Më herët janë të njohura, por jo të sistemuar, ashtu siç ka vendosur albanologu Elsie, koleksionet e Jozef Sekelit viti 1863, koleksioni i Bajazid Dodës, koleksioni i baronit Franc Nopça, koleksioni i Maksimilian Lamberc, si dhe e misionit ushtarak holandez në Shqipëri në vitet 1913-1914. Të gjitha këto koleksione fotografike Elsie i ka pajisur me biografi dhe historikun e sjelljes së tyre në këto troje, duke shquar pjesën etnografike në të shumtën e rasteve, portrete, episode të jetës së përditshme, qytete, natyrën si dhe monumente kulturore, si kisha apo xhami.

 

Koleksioni fotografik i Jozef Sekelit

Fotografitë e Jozef Sekelit, të bëra gjatë ekspeditës austro-hungareze në Shqipërinë e veriut, Kosovë dhe Maqedoni në vitin 1863, udhëtim ky i kryesuar nga albanologu Johan Georg fon Han, duke u konsideruar si fotografi të para të këtij rajoni te Ballkanit. Bëhej fjalë për një ekspeditë në një nga vendet më të panjohura të Evropës.

Johan Georg fon Han ka bërë tre udhëtime në Shqipëri, dhe gjatë kësaj kohe mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar. Ky material u botua në veprën e tij themelore në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), Jena 1854, duke u vlerësuar si themelet e albanologjisë. Ndër të tjera Elsie veçon faktin se “interesat e Hanit në Shqipëri dhe në Ballkanin jugperëndimor ishin të shumëllojshme dhe, gjatë këtij udhëtimi, përveç albanologjisë, i hodhi, mbase paditur, edhe themelet e historisë së fotografisë në Ballkanin jugperëndimor”. Kështu kujtohet ekspedita e vitit 1863 që “rezultoi në një koleksion prej pesëdhjetë fotografish – nga më të hershmet në rajon”. Hani kishte filluar ta përgatiste ekspeditën në lumin e Drinit në fillim të viteve 1860, kur tha: “…Është më pak i njohur se të gjithë lumenjtë e Evropës megjithëse derdhet në Adriatik jo më shumë se dhjetë milje nga kufiri jugor i territorit perandorak (të Austro-Hungarisë). Askush para meje nuk ka kryer udhëtimin njëzetditësh midis bregdetit dhe pikës ku bashkohet degat e lumit.” Në këtë link Elsie na jep këto të dhëna: “Kryeduka Maksimilian (1832-1867), i cili më vonë do të bëhej Perandori i Meksikës (mbretëroi 1864-1867), u entuziazmua me projektin dhe premtoi t’ia siguronte mjete të thjeshta të lundrimit për atë. Më 23 qershor 1863, Hani i dërgoi një letër Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf kompetent i cili do ta shoqëronte dhe do të bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi njëzetepesëvjeçarin Jozef Sekeli (Josef Székely) dhe dha në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën”. Sekel u bë fotograf profesionist me famë. Në vitin 1867 ai fitoi çmimin e bronxtë në Panairin Botërore në Paris (ndoshta me fotografitë e Shqipërisë) dhe më 1878 fitoi në Paris çmimin e argjendtë

 

Koleksioni i Sekelit

Johan Georg fon Han vlerësoi ndihmesën e madhe të Sekelit në ekspeditën e tij. Theksoi se fotografitë “mund të krahasohen lirisht me fotografitë më të mira të bëra ndonjëherë në këtë fushë.”Për fat të keq, botimi i fotografive doli tepër i shtrenjtë për Akademinë vjeneze dhe ato nuk u përfshinë në raportin e Hanit, botuar në vitet 1876 dhe 1869. Rezultati i kësaj ishte që koleksioni i Sekelit, ndër fotografitë më të hershme të Ballkanit, u la në harresë. Në vitin 1889, trembëdhjetë foto të Sekelit u botuan në vëllimin “Makedonien und Alt-Serbien” (Maqedoni dhe Serbia e Vjetër) prej Spiridion Gopçeviqit (1855-1936), por pa datë dhe pa emrin e fotografit, mirëpo, pas kësaj, koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull. U rizbulua në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë prej Mark Kohenit (Mark Cohen) në vitin 2000.Fotografitë e Jozef Sekelit të bëra në jugun a gadishullit ballkanik në vitin 1863 kanë një rëndësi të madhe historike dhe artistike. Janë fotografitë më të hershme të Shqipërisë, me përjashtim të një portretit të vetëm të kryengritësit Hamzë Kazazi, të kryer prej fotografit shkodran Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) në Shkodër në vitin 1858. Mund të jenë edhe fotografi më të hershme të Kosovës dhe llogariten ndër fotot më të vjetra të Maqedonisë.Fotografitë e Koleksionit të Jozef Sekelit u botuan për herë të parë në albumin fotografik: “Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor”, Prishtinë 2007. Koleksioni ndodhët tani në Bildarchiv të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë (www.bildarchiv.at), të cilit jemi mirënjohës për lejen për t’i paraqitur këtu.

 

Koleksioni i Bajazid Dodës

Bajazid Doda është ndoshta një nga personazhet e njohur me të cilin lexuesit shqiptarë lidhin historinë e tij të dashurisë me albanologun, baronin Franc Nopça. Takimi i tyre është bërë në Bukuresht më 1906, ku baron Franc Nopça e pranon në punë si shërbëtor të riun 18-vjeçar, Bajazid Dodën. “Nga marrëdhënia e punës lindi një dashuri dhe një bashkëjetesë e lumtur dhe shumëvjeçare…”. Elsie na flet për një dorëshkrim të mirëfilltë të Dodës ( është fjala për dorëshkrimin Jeta e fshatarëve shqiparë në Rekën e Epërme pranë Dibrës, që ruhet në Bibliotekën Kombëar të Austrisë) si dhe në versionin e botuar në vitin 2007 ku edhe gjenden fotografi origjinale të autorit, të bëra rreth vitit 1907, të cilat i ka hedhur në faqen e internetit të ndërtuar prej tij, për herë të parë. “Për lejen e shfrytëzimit të koleksionit fotografik të Dodës jemi mirënjohës Arkivit Pamor të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë (Bildarchiv, Österreichische Nationalbibliothek) në Vjenë ku koleksioni i Dodës ruhet me numrat NB902060B deri NB902076B”, shkruan Elsie. Janë rreth 76 foto në këtë koleksion ku fokusohen portretet e malësorëve, xhandarë turq, shqiptarë të rinj, myslimanë, fragment dasme (krushqi) si dhe natyrë e Rekës së Eperme.

 

Koleksioni i Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri 1913-1914

“Oficerëve holandezë të dërguar në Shqipëri në vitet 1913-1914 për të themeluar xhandarmërinë e parë të Shtetit të sapokrijuar shqiptar iu dhanë jo vetëm pajisje të zakonshme ushtarake, por – për fatin tonë të mirë – edhe nga një aparat fotografik”, shkruan Elsie. E dhëna lidhet me disa kohë devizive për historinë shqiptar, si pavarësia e vonuar, ardhja e mbretit të ri gjerman, si dhe rënia e vendit në kaos shkaktuar trazirat e brendshme dhe nga Luftërat Ballkanike në prag të Luftës së Parë Botërore. “Shumë fotografi të oficerëve holandezë janë ruajtur deri sot dhe po paraqiten këtu, shumica për herë të pare”, shkruan Elsie. Në fakt ky koleksion njeh botimin e parë në albumin Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor, Prishtinë 2007, që “përmban pamje unikale të një bote të zhdukur të cilat – shpresoj – do të mrekullojnë të gjithë njerëzit e interesuar për historinë shqiptare dhe ballkanase. Autori u është mirënjohës familjeve të oficerëve holandezë, shumë prej të cilave kanë ruajtur koleksionet e diapozitivave të vjetra prej xhami dhe i kanë ofruar bujarisht për këtë prezantim”. Për prezantimin e këtij koleksioni Elsie shkruan se është ndihmuar nga Institutin Holandez për Historinë Ushtarake (Nederlands Instituut voor Militaire Historie) në Hagë, arkivisti i tij Okke Groot, si dhe Durim Banin në Hagë, Jolien Berendsen-Prins-in, kryetarja e Fondacionit Thomson, në Groningen, Kastriot Dervishi në Tiranë, Gerda Mulder e Muzeumit Fotografik të Holandës (Nederlands Fotomuseum) në Rotterdam, Harrie Teunissen në Leiden dhe Richard van den Brink në Utrecht.

Koleksioni Maksimilian Lamberc

“Kjo faqe interneti i kushtohet jetës dhe veprës së albanologut Maksimilian Lamberc (1882-1963).Ndër albanologët kryesorë gjermanishtfolës të shekullit të njëzetë, bashkë me austriakun Norbert Jokl (1877-1942) dhe baronin hungarez Franc Nopça (1877-1933), është pa dyshim edhe austriaku Maksimilian Lamberc (1882-1963). Një bursë qeveritare bëri të mundur që shkencëtari i ri të bënte një udhëtim në Itali dhe në Greqi, gjatë të cilit, duke përgjuar bisedimet e peshkatarëve të Atikës dhe të barinjve të Thivis, ai ra në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe”, ky është prezantimi i parë që bën Elsie për filologun austriak në faqen e internetit dedikuar atij.

Elsie na njeh me të dhënën se pjesa dërrmuese e fotografive shqiptare të koleksionit të Maks Lambercit u realizua gjatë udhëtimit të tij në verë të vitit 1916, kryesisht në Mirditë. Ashtu siç shihen janë fotografi të peizazheve të Mirditës dhe të Shqipërisë se Veriut, të mirditorëve, dhe të fshatrave dhe ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore. Ka edhe një fotografi të Tiranës. Fotografitë e Koleksionit të Maks Lambercit, të botuara për herë të parë në albumin fotografik: “Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor”, Prishtinë 2007, që ndodhet tani në Bildarchiv të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë (www.bildarchiv.at), të cilit kanë lejuar albanologun Elsie për t’i paraqitur në këtë faqe të internetit. Janë gjithsej 41 foto. Fatmirësisht, thotë Elsie, për identifikimin e fotografive të koleksionit, ekziston një raport me shkrim të Lambercit për udhëtimin e tij në Mirditë në atë vit. Ky shkrim, me titullin “Raport mbi studimet e mia gjuhësore në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916″ u botua gjermanisht në gazetën e Akademisë Perandorake të Shkencave në Vjenë, po në vitin 1916.

 

Koleksioni i Fotografive të A. Den Doolaard ( Shqipëri 1932)

Ky është koleksioni më i ri që na prezanton Robert Elsie. Ndërsa bëhet fjalë për shkrimtarin dhe gazetarin holandez, A. Den Doolaard (1901-1994), pseudonim i Cornelis Johannes George Spoelstra, ka lindur në Zwolle në Holandë si djalë i një predikuesi protestant.

Prirja e A. Den Doolaard ishte të shëtiste botën, kështu nisi udhëtimet në Francë dhe më vonë në Ballkan. Udhëshkrimet e tij për gazeta holandeze shpesh shoqëroheshin edhe me fotografi. Elsie na bën me dije se në fillim të vitit 1932 u nis nga Selaniku për në Sarajevë duke kaluar kësaj radhe Shqipërinë. Nga Struga shkoi në Shkodër, kryesisht duke ecur në këmbë për dy javë. Prej andej vazhdoi për në Theth në malet e Dukagjinit. “Den Doolaard ishte shume i interesuar për fenomenin e gjakmarrjes, për të cilin kishte mësuar nga një udhëtar gjerman. Rezultati i udhëtimit në Shqipëri ishte romani i tij De herberg met het hoefijzer, Amsterdam 1933 (shqip Bujtina me patkua, Tiranë 2005), i cili merret me vrasje dhe gjakmarrje në veri të Shqipërisë. Vetëm tetë fotografi na njofton Elsie kanë mbetur nga udhëtimi i Den Doolaard-it në Shqipëri. “Jemi mirënjohës Zonjës Gerda Mulder e Muzeut holandez të Fotografisë (Nederlands Fotomuseum) në Roterdam, dhe Zonjës Branda Hedel-Spoelstra, të cilat mundësuan prezantimin e këtij koleksioni”.

 

Koleksioni Fotografik i Vandeleur Robinson-it

(Shqipëria në vitin 1939 dhe në vitet 1944 – 1945)

 

Mes të tjerave ja ç’na njofton, albanologu Elsie për jetën e autorit të këtij koleksioni: “Shkrimtari dhe figura ushtarake britanike Vandeleur Robinson (1902-1990), emri i vërtetë i të cilit ishte Vivian Dering Vandeleur Robinson, ishte djali i një koloneli anglez. Studimet i kreu në Kolegjin Cheltenham. Për një kohë ishte kadet në akademinë ushtarake Woolwich. Më pas, studioi për histori në kolegjin Emmanuel në Kembrixh. Në vitet 1930, Robinson-i punoi në Lidhjen e Kombëve si organizator rajonal për Evropën juglindore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Robinson-i shërbeu si kapiten në ushtrinë britanike ku, me sa duket punoi për organet e zbulimit. Ai erdhi në Shqipërinë në tetor të vitit 1944, ku takoi udhëheqësit e ardhshëm komunistë. Në mars të vitit 1945, Robinson-i ishte atashe shtypi në misionin ushtarak britanik në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Shqipëri, si vëzhgues i huaj diplomatik, ai pati mundësi të merrte pjesë në Gjyqin Special të zhvilluar kundër gjashtëdhjetë përfaqësuesve të regjimit para-komunist, gjatë të cilit të pandehurve iu dhanë dënime të ashpra me vdekje, ose me burgim të gjatë si kriminelë luftë dhe armiq të popullit. Në maj dhe qershor të vitit 1945, ai bëri një udhëtim të gjatë me një xhip ushtarak në jug të vendit të shkatërruar nga lufta. Marrëdhëniet midis regjimit të ri komunist në Shqipëri dhe fuqive perëndimore u përkeqësuan shpejt, kështu që misionit ushtarak britanik bashkë me Robinson-in ju desh të tërhiqej nga Tirana”. Sipas albanologut për disa dhjetëvjeçarë informacionet dhe fotografitë për Shqipërinë ishin të pakta, prandaj fotot e viteve 1944-1945 i konsideron me një rëndësi të veçantë. Ky koleksion fotografik i Vandeleur Robinson-it Elsie e ndan në dy pjesë: (1) fotot e vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1939, të cilat u botuan në librin Albania’s Road to Freedom (Londër 1941) dhe sigurisht nuk ishin të gjitha nga Robinson-i vetë, dhe (2) fotografitë – deri tani të panjohura – të bëra në Tiranë dhe në Shqipërinë e jugut në fund të vitit 1944 dhe në mes të vitit 1945, para dëbimit të tij nga Shqipëria.

 

Koleksioni fotografik i Branimir Gushiqit  

(Shqipëri, rreth vitit 1947)

Branimir Gushiqi, pinjoll i një familjeje të vjetër kroate, ishte një figurë e shquar e mjekësisë kroate, i njohur si specialist dhe profesor i otorinolaringologjisë. Ai u gjend në Shqipëri si një njeri veçanërisht i interesuar për alpet dinarike në rajonin kufitar Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, ku udhëtoi shpesh nga vitet 1930 deri në vitet 1960. Botoi një libër për malin Durmitor (2522 m.) të Malit të Zi, dhe në vitet 1930-1932 bëri një film dokumentar për një ekspeditë aty. Ngjiti Malin e Kokërdhakes (2508 m.) në Shqipëri dhe kaloi shumë kohë në dhe rreth malit të Jezercës (2694 m.) në Bjeshkët e Nemuna. Gushiqi njihej edhe si etnolog. E shoqja e tij, Marijana Gushiq (1901-1987), ishte edhe ajo etnologe e njohur dhe punoi shumë vjet si drejtoresha e muzeut etnografik të Zagrebit. Së bashku ata udhëtuan shpesh, jo vetëm në Malin e Zi dhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe para edhe pas Luftë së Dytë Botërore. “Marijana Gushiq shquhet për punën e saj etnografike për xhubletën shqiptare dhe mblodhi për muzeun e Zagrebit një koleksion të spikatur veshjesh dhe sendesh popullore të fiseve të Shqipërisë së Veriut. Ky koleksion i fotografive të Branimir Gushiqit duket është bërë gjatë një vizite në Shqipëri rreth vitit 1947. Nga fotot, që për mungesë dokumentacioni nuk janë të gjithë të identifikuara, duket e qartë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin jo vetëm në veri, por edhe në jug të Shqipërisë: Elbasan, Himarë, Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Voskopojë, Korçë dhe Pogradec. Gjithmonë e varfër dhe e prapambetur, Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1944).”, shkruan Elsie.

Albanologu duke iu referuar izolimit komunist, kohën kur u ndërprenë marrëdhëniet me perëndimin, fotot e realizuara nga Branimir Gushiqi më ’47 i shikon si një rast unik dhe mjaft të rëndësishme. Fotografitë e Gushiqit nuk tregojnë gjë për terrorin politik të kohës në Shqipëri, por ofrojnë pamje të qartë – disa me një bukuri të rrallë – të qyteteve dhe të peizazheve të vendit, siç i kishte përjetuar fotografi kroat. “Për dhënien në dispozicion të këtij koleksioni fotografik jemi mirënjohës Zotit Anton Kaçinari të Zagrebit dhe Zotit Bejtullah Destani të Qendrës së Studimeve Shqiptare (Centre for Albanian Studies) të Londrës”.